Liria ka emra

Liria nuk ka vetëm emër të përveçëm, por emër kolektiv shqiptar dhe emra të përveçëm si Bill Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair. Mosmirënjohja shkatërron aleanca e miqësi!
Bibla thotë: në fillim ishte fjala. Unë them: për ne, në fillim ishte Amerika, pastaj fjala.
Gjermania, në çdo festë përkujtimore, e falënderon Amerikën për çlirimin nga fashizmi dhe ndihmën pas luftës. Tek ne, sekuestruesit e lirisë e kanë reduktuar atë në një fjalë demagogjike: aleat.
Kur ti më thua se dikush ka humbur dikë në luftë, se ka luftuar, se duhet të respektohet edhe kur vjedh, edhe kur kërcënon, edhe kur shan, unë të them: si nuk ke kokërr dinjiteti e ftyre ta përmendësh atë, kur ke përballë flijimin e Jasharajve me 59 anëtarë, dhe në mesin e tyre gra e fëmijë? Si të lutem?
Dhe, nuk i kanë marrë asgjë Kosovës, por i kanë dhënë çdo gjë që patën!
Merreni me mend për një çast, ju lutem, se jeni një përfaqësues i ambasadës amerikane, angleze, gjermane, apo edhe vetë ambasador i njërës prej tyre. Ju jetoni në Kosovë dhe shihni çdo ditë, në debate, tribuna, protesta, fushata, portale e media sociale, se “Liria ka disa emra” dhe ata qenkan: Thaçi, Haradinaj, Lushtaku, Veseli e të tjerë.
Dhe merreni me mend tani se jeni një ushtarak amerikan në Bondsteel, dhe ju gati çdo ditë dëgjoni se cilët emra i paska liria. Disa të përveçëm. Disa emra që e privatizuan shtetin e Kosovës, e përvetësuan dhe e trajtuan si pronë private, duke gëzuar imunitet për çdo vepër me të cilën shkelnin ligjet e Kosovës. Jo të Serbisë.
Madje edhe duke krijuar institucione drejtësie jo për drejtësi, por për të fituar disa prej tyre një lloj licence për t’u bërë milionerë me vjedhje.
Dhe atyre ambasadorëve, ushtarakëve, atyre në Bondsteel dhe atyre nëpër kufijtë e Kosovës, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të tundin kokat dhe të thonë: “A ndihmohet ky popull?! Vallë kjo qenka mirënjohja për çlirimin dhe për ruajtjen e sotshme të sovranitetit? Për ruajtjen e lirisë së tanishme?”
Mosmirënjohja, zotëri, shkatërron miqësi private dhe aleanca mes shteteve!
Ajo mosmirënjohje nuk ka ekzistuar kurrë në kodin shqiptar. Shqiptari edhe për një cigare falënderohet. Ajo është sjellje tallava e një grupi mediokërish, të arsimuar përgjysmë apo fare, me pak vite shkollë apo diploma të blera, që besojnë se dinë shumë edhe pse dinë tepër pak — madje çdo gjë gati përgjysmë. Copa-copa.
Që besojnë se e çliruan vendin, edhe pse realisht NATO na çliroi të gjithëve: ata dhe neve.
Nga shantazhet, vokabulari mafioz, kërcënimet dhe zëshmëria e ashpërsia e disa prej tyre, njerëzit as që guxojnë ta thonë të vërtetën publikisht. Kanë frikë.
Nga përsëritja e shpeshtë, ata besojnë seriozisht se e liria e ka vetëm emrin e tyre. Prandaj, populli, për meritat e djeshme, ia mundëson akomodimin mbi ligjin, mbi Kushtetutën. Dhe, e mbështet qëndrimin e tyre atje. Me fjalë apo me heshtje.
Siç u tha në fillim, Gjermania nuk harron kurrë ndihmën. Tek ne, SHBA-ja është zvogëluar, në “aleate”, ndërsa lirinë — po, lirinë — e paskemi fituar vetë. Edhe pse e dimë se, në kapitullimin e Serbisë, ne as nuk kemi qenë palë nënshkruese në Kumanovë.
Liria paska emrin tënd, por para Amerikës Serbia firmos kapitullimin. Njeri pa kokërr ftyre, karakteri dhe mirënjohjeje.
Kështu, i nderuar zotëri, mosmirënjohja shkatërron miqësi private, familjare dhe aleanca!
Dhe pastaj shfaqet tjetri dhe thotë: mos kritiko heroin e gjallë, edhe kur shan; mos e qorto, edhe kur vjedh, sepse liria paska emrin e tij. Atij i lejohet çdo gjë! Domethënë, atij që ka luftuar për shtet, t’i lejohet mundësia për ta dobësuar e rrënuar shtetin — nga lakmia e madhe.
Pastaj habitemi pse SHBA sillet me aq butësi ndaj Serbisë, kur sheh një turmë që mburret e rreh gjoks si gjeli mbi pleh, duke thënë se ai e ka çliruar vendin, dhe ushtarët e KFOR-it dhe Bondsteel-it nuk janë asgjë tjetër, pos refugjatë në Kosovë që ne po i mbrojmë nga persekutimet në vendet e tyre — ose që janë fshehur nga Serbia.
Njeriu me dinjitet nuk i ngjet lirisë emër. Njeriu me etikë dhe integritet nuk e përvetëson lirinë, sepse ajo liri ishte kontribut kolektiv — nga Kosova, Lugina, Ilirida, Mali i Zi, Shqipëria, Austria, Zvicra, Belgjika, Gjermania, Amerika dhe kudo ku jetonin shqiptarët dhe miq të shqiptarëve.
Ky shtet sot është kontribut kolektiv dhe ka emër kolektiv. Mos e harro kurrë këtë!
Liria nuk i takon vetëm atij që mori pushkën në dorë, por edhe atij që e financoi atë pushkë; jo vetëm atij që gjendej në mal, por edhe atyre që ndihmonin jashtë me fonde apo kontakte të ndryshme nëpër zyra e protesta.
Jo vetëm atyre që ishin në luftë fundi i fundit, por edhe atyre që fluturonin me avionë luftarakë dhe bombarduan Serbinë. Pa këtë ndërhyrje, sot do të ishim si palestinezët.
George Bushi vendosi për ndërtimin e shtetit. Pikë.
Liria është rezultat i dhjetëra mijëra njerëzve dhe një lufte që nga viti 1912 e këtej, e jo e disa individëve që e përvetësuan atë. Liria ka emrin edhe të 20,000 grave të dhunuara, që ne nuk i mbrojtëm, mbi 1,000 fëmijëve të vrarë dhe 50% të popullit të dëbuar.
Përvetësimi i lirisë nuk është çështje normale, nuk është e zakonshme; nuk është e drejtë, as e moralshme. Kjo është pafytyrësi skajshme — mosmirënjohje rrënuese dhe vetëdëmtuese. Pse? Sepse mosmirënjohja shkatërron miqësi e aleanca!
Rugova bëri rezistencë pasive, ndihmoi në krijimin e empatisë dhe simpatisë ndaj Kosovës, ndërtoi ura që nuk i kishim pasur kurrë, por vendin nuk e çliroi.
UÇK-ja bëri rezistencë aktive, ndikoi në intervenim dhe përshpejtim, por nuk e çliroi vendin e vetme. Vendin e çliroi edhe SHBA-ja dhe NATO.
Liria e një kombi nuk mund të shtrydhet në disa veta, por është rezultat i dhjetëra mijëra, qindra mijëra njerëzve. Dhe pikërisht empatia dhe simpatia që krijuan Demaçi, Rugova, Kadare, Nënë Tereza, rrezatimi i tyre moral, social dhe publik, ndikuan që ne të shiheshim si një popull i përvuajtur, një popull europian.
Rugova u dukej si Krishti në Kalvar.
Përmendorja e Clintonit në Prishtinë flet për mirënjohje monumentale, reale. Ligjërimi publik, në ndryshim, është mosmirënjohje e shndërruar në bindje publike; madje, njerëzit kanë frikë të mos besojnë dhe të mos mbështesin sajesën epidemike. Rrenën! Krekosjen! Për vota!
Kanë frikë të thonë të vërtetën, sepse përvetësuesit e lirisë e kanë fituar “licencën” e saj me përsëritje të vazhdueshme, për të bindur veten se vërtetë e çliruan.
E krijuan UÇK-në e veteranëve me mbi 40,000 ushtarë — në paqe, jo në luftë. Në luftë guxim ka pakica. Pakica ka pasionin e atdhedashurisë sakrifikuese. Askund në botë shumica nuk rrezikon.
Askund në botë shumica nuk është e gatshme të vdesë.
Ata, secili prej tyre, meritojnë respekt dhe mirënjohje për kontributin, por disa prej tyre meritojnë edhe burgun për dëmtimin e shtetit.
Nëse do shtet, duhet ta duash ligjin e shtetit tënd. Nëse nuk e do, vidh, bëhu milioner dhe përmend veprimtarinë tënde të djeshme si maskë për ta mbuluar surratin e sotshëm.
Natyrisht, ata që guxuan dhe rrezikuan jetën meritojnë mirënjohje, respekt dhe pensione të denja, por jo imunitet për të shkelur ligjet dhe për të vjedhur.
Natyrisht, veteranët e vërtetë — diku nga 3,500 deri në 10,000 — meritojnë së paku një mijë euro në muaj, por jo ata 30,000 të tjerë që e vjedhin shtetin muaj për muaj. Sepse ata që e bëjnë, në rast të një sulmi, do të jenë të parët që do të arratisen, si edhe dje. Ata 30,000 veta u blenë për vota! Ata jan votues të parapaguar.
Përfundim:
Ne, që nuk luftuam, por në mënyra të ndryshme e ndihmuam Kosovën dhe e bëjmë edhe sot, nuk kërkojmë as pozita, as privilegje, as para, as mirënjohje. Ne duam vetëm që të respektohet ligji i atij shteti, për të cilin janë varrosur mijëra veta dhe është traumatizuar një komb i tërë. Ne nuk jemi armiq, siç na vizatojnë disa, por pjesë e juaj. Ne jemi diaspora që vuan për ju! Për hallin tuaj.
Ne jetojmë në shtete ligjore dhe duam shtet ligjor, të drejtë, jo shtet të kapur.
Ne po kontribuojmë ende, dhe lufta jonë për shtet juridik nuk do të përfundojë derisa të jemi gjallë, edhe kundër atyre shqiptarëve që sot e sabotojnë ose e vjedhin Kosovën...

Comments
cufi@yahoo.com
Asnjë vërejtje për shkrimin sepse pasqyron drejt atë që ndodhi me Kosovën... kush e çliroj dhe kush e ka pronë sot... kush po e zvarrit sot.!! Historia nuk të vjen mbrapa e as të lavdëron por të gjykon, madje pa mëshirë.. !! E vetmja vërejtje është se Kosova pati mbështetje në arenën ndërkombëtare të Qeverisë Demokratike Shqiptare ku në çdo takim.. e tryezë ndërkombëtare ngrinte "Çështjen e Kosovës" dhe kjo mund të dëshmohet... kur kërkonte që të pranoheshin si interlokutorë përfaqësuesit Legjitim të popullit Kosovar : Rugova e Bukoshi.... e më vonë ndihma e strehimi i atyre që u larguan nga dhuna e Milosheviçit...
Add new comment