Nga Diktatori te Piktori

Postuar në 11 Qershor, 2026 02:32
Lis Bukuroca

 

Në kujtesën time si nxënës, emri dhe mbiemri "Enver Hoxha" ishte pothuajse i vetmi që identifikohej me shtetin shqiptar. Ekzistencën e një ministri e mësoja vetëm kur niste dhuna verbale ndaj tij nëpërmjet etiketave standarde si: "armik i popullit", "tradhtar", "revizionist", "borgjez", "agjent i imperializmit", "bandit", "element i degjeneruar" etj., dhe me ato denigrime publike paralajmërohej dhe përligjej përndjekja, eliminimi politik apo edhe fizik i një "armiku".

Zakonisht, partia e duartrokiste kur fliste për përmbushjen e planeve pesëvjeçare, kur akuzonte dikë, edhe kur ekzekutohej dikush. Një armik më pak dhe një vigjilencë efektive më shumë. Kështu kuptohej edhe nga unë si adoleshent. I tillë ishte mesazhi.

Përbuzjet ndaj një personaliteti nuk synonin vetëm demonizimin e dikujt, dehumanizimin, por ai duhej të bëhej i përshtatshëm për eliminim.

Ato lajme, në ish-Jugosllavi, në moshë të re, i kuptoja si rregull të madh dhe patriotizëm. Kështu, nëpërmjet Radio Tiranës, Enver Hoxha u bë edhe idhulli ynë, që na e rriste dashurinë për Shqipërinë dhe urrejtjen ndaj vetëqeverisjes jugosllave.

Në Shqipëri, tinëz, e ëndërronin Italinë, por edhe Jugosllavinë. Ne, kryesisht Shqipërinë, edhe pse nuk dinim gjë për vuajtjen e brendshme. Madje, ndonjë profesor që kthehej nga Shqipëria na fliste për rregullin e madh dhe parajsën epike.

Në atë sistem, sekretari i parë, udhëheqësi, ishte partia, qeveria dhe bashkia; me një fjalë, krejt shteti identifikohej dhe shtrydhej në një njeri, te diktatori. Ai e posedonte dhe drejtonte shtetin personalisht, ndërkaq të tjerët ishin vetëm shoqërues dekorativë. Ai ishte ‚Alfa-bisha‘, të tjerët karrigëmbajtës; përndryshe përjetonin purgatorin si të gjallë, jo vetëm ata, por edhe familjet e tyre.

Enver Hoxha, kur u bë i gjithëfuqishëm, ua ndaloi edhe zotave qëndrimin në Shqipëri; ua rrënoi shumë shtëpi, i dëboi dhe e bëri vetveten ZOT me tri shkronja të mëdha. Partia e Punës e mbështeti. Populli e duroi dhe qau kur vdiq. U trondit sepse iku ZOTI real i Shqipërisë.

Perëndia e monoteizmit pranoi dështimin në heshtje, u tërhoq dhe u mjaftua me kompetencat e veta për t'i dënuar njerëzit vetëm pas varrimit; Enveri para, dhe ia zot, ndoshta me falënderime, sepse i yni përshpejtonte transferimin te i ëndërruari. Kështu që të dy kishin punë. Enveri në Tokë, ai në Qiell. Një koalicion i pashpallur.

Unë dhe shokët e mi, edhe si studentë, e adhuronim. Ata që e kritikonin atë, i përjetonim si tradhtarë apo të asimiluar në jugosllavë. Sepse me të mburreshim. E ëndërronim "parajsën" e Shqipërisë. Na dukej guximtar dhe i pamposhtur. Ne e adhuronim atë, edhe komunizmin e tij, të cilin e njihnim vetëm nga Radio Tirana; unë, më vonë, edhe nga librat e tij, që i pata blerë në Zvicër në vitin 1979.

Nga ajo ideologji represive në Shqipëri përfitoi kombi i pushtuar nga Serbia në ish-Jugosllavi.

Unë e kisha idhull, deri kur eliminoi Mehmet Shehun. Aty pata kuptuar për herë të parë se nuk mund të ishte vetë i mirë ai që eliminonte vazhdimisht bashkëpunëtorë. Ishte viti 1981. Diku nëntë muaj më parë, patëm nisur protestat në Prishtinë kundër diskriminimit jugosllav.

Atë vit u ndriçova si student dhe pata kuptuar se nuk ishte e drejtë, as e urtë, as humane, të adhuroja vrasësin e dikujt, vetëm pse nuk kishte vrarë të afërmit e mi. Pata lexuar se kishte vrarë diku 5.000 veta. Për fat, ajo periudhë historike u mbyll, menduam, por rezultatet e saj u shfaqën përsëri në majë në rendin e ri nëpërmjet Sali Berishës, mik i besueshëm i familjes së diktatorit të atëhershëm. Pastaj Nano e solli Edi Ramën e cullakosur nga Parisi.

Partia e Punës ishte në fazë riciklimi. Kuadrot e saj kudo kishin pushtetin. Por, në kushte të reja, në rrethana të reja, mirëpo gjuha, dhuna foljore, mënyra si ushtrohej pushteti dhe si zgjidheshin kandidatët, mbetën të asaj shkolle. Pa asnjë ndryshim. Si te Berisha, ashtu edhe te Rama. Ndryshe nuk dëshironin, ndryshe nuk dinin. Pra, dhuna verbale ndryshoi në nuanca, por jo në dehumanizime dhe qëllime: ruajtjen e pushtetit.

Enver Hoxha kishte ideal barazinë, por jo një apo disa mbi të tjerët. Te nxënësit e tij, në rrethana të reja, duheshin disa mbështetës që bëhen milionerë, oligarkë, disa media, dhe pushteti, si ai i Enverit, autokratik, garantohet edhe sot, mu si atëherë.

Sot, skena politike shqiptare dominohet nga Edi Rama, ‚Alfa bisha 2’ i cili perceptohet si qendër graviteti e jetës publike, shtetërore, qeveritare, por edhe kulturore. Madje edhe e ndërtimeve, punësimeve dhe përjashtimeve.Me asnjë ndërtim në Shqipëri nuk mburret kryebashkiaku, por, duke qeverisur nga Facebook-u, ai çdo ndërtim, madje edhe hotele, kopshte e shkolla, i nxjerr me imazhe, thua se investimet janë të tijat. Këtë nuk e bën asnjë kryeministër në Europë, pos presidentit serb. As nuk mund të merret me mend që kancelari gjerman të merret me çështje komunale.

Ministrat e Ramës i njeh publiku vetëm kur përfshihen në skandale, kur ngrihen akuza, kur arrestohen apo arratisen, mu si në kohën e Enverit, kur me akuzë kuptohej ekzistenca e një ministri. Ka ndryshuar sistemi, ligjet, por jo ambicia jonormale për pushtet; prandaj sot kemi një autokraci të stabilizuar, mu si në Serbi.

Nganjëherë mendoj se Rama do të dëshironte të largohej, por nuk guxon nga oligarkët që i ka krijuar dhe nga krimi që e ka mundësuar dhe duruar. Që e ka rritur dhe zhvilluar. Atyre u duhet ky njeri që udhëheq të majtën, por nuk ka asnjë mik të majtë. Ai është anarkist, si ishte në Paris, tani jo cullak, por lara-lara dhe shpesh i veshur si figurant i një teatri absurd. Shqipëria dikur ishte e mbyllur dhe gati askush nuk mund të dilte jashtë; sot ka hapur portat për ikje dhe dritaret për kriminelët, për shpëlarje parash. Personalitetet e tjera në qeveri e parti janë për të duartrokitur Ramën.

Ai shan e kërcënon si Enveri. Acarohet, kapardiset dhe krekoset si ai. Kështu është edhe Sali Berisha. Janë të krijuar nga i njëjti harduer dhe me të njëjtin softuer. Nga i njëjti brumë dhe ndryshojnë fizikisht, por jo mendërisht. Në Shqipëri shteti është Rama dhe kush e kundërshton atë, do të qortohet, shahet dhe poshtërohet publikisht. Madje edhe me rekomandimin: "Bëj vetëvrasje."

Në atë kohë, në Shqipëri, tinëz, populli shikonte TV italiane; ne të rinjtë në ish-Jugosllavi shpesh dëgjonim Radio Tiranën apo, kur mundnim, edhe RTSH-në.Te ne, për të dëshmuar dashurinë dhe mallin ndaj Shqipërisë, pagëzonim fëmijët edhe me emra të qyteteve shqiptare. Në Shqipëri, nga liria e munguar, me emra të huaj, perëndimorë. Kjo shihet edhe sot; rrallë shihet një hotel me emër shqiptar. Distancim dhe refuzim i vetvetes. Mjafton të shohësh emrat e hoteleve, shitoreve, rezidencave dhe lokaleve. Njeriu ka përshtypjen se gjendet në një shtet të huaj, por jo në Shqipëri.

Nga Shqipëria e Enver Hoxhës nuk mund të arratisej njeriu pa rrezikuar jetën. Në Shqipërinë e Ramës njerëzit ndihen të rrezikuar nëse mbeten brenda.

Në Shqipërinë e Enverit kishte shtet funksional. Diktaturë, por funksiononte.

Në Shqipërinë e Ramës kemi shtet jofunksional. Formal.

Nga Shqipëria e Enverit nuk mund të ikej, nga Shqipëria e Ramës iket prej padrejtësive.

Në Shqipërinë e Enverit rritej populli, në Shqipërinë e Ramës zvogëlohet vazhdimisht.

Në Shqipërinë e Enverit nuk kishte të pasur.

Në Shqipërinë e Ramës ka të pasur dhe njerëz që punojnë dy turne për të mbijetuar.

Në Shqipërinë e Enverit kishin ëndrra, në Shqipërinë e Ramës ka pasaporta.

Enveri rrënonte familje me internime, Rama me mërgime. Enveri kishte pak media dhe shumë polici e shërbime sekrete, Rama ka podcast, media dhe Facebook për agitprop.

Rama ka mbi një milion e gjysmë ndjekës në Facebook.

Kancelari gjerman Friedrich Merz 700.000.

Rama qeveris në Facebook. Merz udhëheq shtetin.

Ai poston disa herë në ditë, sepse e ka kuptuar se turma u beson fotografive dhe nuk lodhet shumë, sepse Rama është shteti dhe duket si Ali Baba me dyzet hajdutë, por i vetmi që nuk është hajdut është Ali Baba, shefi i tyre.

Enver Hoxha kishte guxim të fliste, ky ka guxim ta sulmojë të dobëtin, Kosovën, jo kriminelin në Beograd, Vuçiqin, Serbinë. Rama e zbrazi Shqipërinë me kleptokraci, si Millosheviqi Kosovën me nacional-fashizëm. Hyrja në BE tani duket si farsë; gati gjysma e shqiptarëve gjenden tashmë aty.

Enver Hoxha vishej me kostum, Edi Rama me shallvare dhe atlete.

Enver Hoxha ishte një përfaqësues i diktaturës komuniste. Edi Rama është përfaqësuesi më i madh në Europë i një kleptokracie të stabilizuar.

Miqtë e tij politikë nuk janë socialistët e socialdemokratët, por kryesisht politikanë të së djathtës radikale, si Vuçiqi, Orbani dhe të tjerë.

Rama nuk ka ideologji, Enveri kishte.

Rama ka interes pushtetin vetjak, jo orientime ideologjike.

Simpatinë dhe empatinë ndaj Serbisë nuk e ka fshehur kurrë. As përbuzjen ndaj liderëve politikë të Kosovës.

Rama përpiqet ta meritojë dhe ta ruajë pushtetin e përhershëm me mbështetje nga jashtë, nga oligarkët brenda, por edhe nga partia që nuk e kundërshton kurrë.

Shqiptarët jashtë kanë përfituar në identitet dhe konsolidim nacional nga ideologjia e Enver Hoxhës dhe UÇK-ja ishte rezultat ideologjik i saj.

Shqiptarët jashtë Shqipërisë me Edi Ramën kanë humbur. Strategjia e tij, meqenëse nuk ia doli të ndërtojë shtet ligjor, ishte t’i bashkëngjitet ligjërimit dhe bindjeve të atyre që kanë interesa ekonomike në Serbi dhe u bë zëdhënës i tyre në trajtimin e Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Luginë.

Lugina është ndoshta i vetmi vend në botë, me diku 100.000 banorë, që nuk ka një spital. Këtë e di Edi Rama shumë mirë, por jashtë, sa herë i jepej mikrofoni, sulmon Kurtin, jo Vuçiqin.

Ai dëshiron dhe synon anëtarësimin e Shqipërisë, duke sakrifikuar, duke u distancuar nga ne jashtë dhe duke u bërë i përdorshëm për disa në Perëndim dhe për Beogradin.

Tani rinia u ngrit dhe kërkon drejtësi. Rama po merret me poshtërimin e tyre, mu si Enveri dje dhe mu si Vuçiqi sot me protestuesit në Serbi, dhe po pret si ai derisa studentët të mbeten pa frymë.

Ramës po i vjen fundi, jo se nuk ka mbështetje jashtë; përkundrazi, e ka blerë atë, por për shkak të mungesës së shtetit ligjor dhe drejtësisë brenda. Ishte shpresë e madhe, por po përfundon si Berisha. Si Zogu.

Dhe, në protestat e tij të 21 janarit 2011, u ekzekutuan nga Berisha katër veta, ndjekës të Ramës. Berisha në liri. Rama nuk çau kokën për drejtësi.

Enver Hoxha e përqendroi shtetin te një njeri. Shqipëria pluraliste premtoi të kundërtën. Por prirja për ta identifikuar shtetin me një njeri nuk u zhduk kurrë.

Dje ishte Enveri. Sot është Rama. Emrat ndryshojnë, zakoni mbetet. Dhe përderisa shteti shihet si pronë e një njeriu, e jo si pronë e qytetarëve, Shqipëria do të vazhdojë të ndërrojë sundimtarë, por jo kulturën e qeverisjes.

Comments

Submitted by Skypion (not verified) on

Eshte interesant, ne kuptimin zbavites, qendrimi i enveristeve te Kosoves ndaj ngjarjeve ne Shqiperi. Edhe pse kane kaluar dekada te tera nga diskretitimi i enverizmit, sidomos ne aspektin ( e shtirur) nacionalist kjo specie nuk u shkeput kurre nga ai. Pikerisht ne kete kontekst duhet pare edhe qendrimi i zoterise, autorit te shkrimit, ndaj protestave kunder regjimit Rama. Kjo nga ana tjeter eshte edhe shprehje e laryshise se madhe te kontestuesve te ketij regjimi qe po shperfaqet ne keto protesta, qe nisen te spinuara nga nje grup neo-marksistesh anakronke dhe nje grup konspiracionistesh te perhenur, porqe, per ironi te historise, u dolli duarsh, megjithese mundohen ta kontrollojne ate ne formen e mikrofonave dhe altoporlanteve ne poduimet e zaptuara prej tyre. Ekrani i ngjarjeve eshte afer; inatet personale dhe paragjykimet tipike provinciale shqiptare, e bejne shume te veshtire edhe per mendjet e kthjelleta, te kuptojne arsyet e verteta qe beri te mundur kete shperthim , tashme te shnderruar masiv, protestash. Njerezit, shpeshhere, per te mos thene perhere, shohin spektaklin, por jo punen e rende prej hamalli per ta bere te mundur ate. E kjo pune e rende dhe e stermundishme, pse jo, jane protestat e pandalshme, te vendosura te Opozites gjithe keto vite. Te gjithe entuziastet e ketyre protestave, e ketu se kam fjalen per politikanet, por per intelektualet qe po garojne gjithsecili te shprehe qendrimin e tij pro, i ftoj te lexojne nje shkrim te The Economist per rrezikun e socializmi te gjenerates se re, qe si perhere fluturon me presh ne byythe. Ajo qe eshte tejet trishtuese, per mua, ka te beje me faktin e zymte qe ne boten shqiptare nuk ka intelektuale te mirefillte, qe ti kundervihen me argumente narratives se majte, edhe keshtu tejet te percudnuar, ne opinionin publik shqiptar. Por me ironikja eshte se edhe ata qe e heqin veten si te djathte , apo besojne me te vertete se jane te tille, jane te ndikuar deri ne asht nga paragjykimet e majta. Brohorima optimiste, entuziazmi deri ne ekstaze, keto tumore te perjetshme te se majtes, nuk kane lidhje aspak me lirine dhe demokracine e vertete; keto i kane shpene perhere popujt ne humnere. Slogane te tilla si "Rinia ta marre vete fatin ne duart e saj" jane ato qe shoqerojne shoqerite ne kete theqafje. Nuk e kam kuptuar asnjehere, sesi ka mendje perndryshe te kthjelleta per pune te tjera, kur bie fjala per politike, te bien pre e ketij monstruoziteti logjik. Po ku eshte pare ndonjhere, qe nga bashkesite e para primitive e deri me sot, qe nga xhunglat me te thella e deri tek vendet me te zvhilluara te globit, qe te rinjte tu tregojne te medhenjve sesi duhen bere punet?! Ne kete kontekst eshte shume domethenes fakti, qe "revolucione" te tilla te etiketuara, ndodhin vetem ne vendet me te prapambetura, si ato te Afrikes se Veriut, apo ne Ukraine, ne Serbi e tash po shterzon edhe ne Shqiperi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.