Historia me Greqinë pret të shkruhet

Lëvizjet e fundit të Greqisë për krijimin e mundëisve efektive për kërkime gazi në Kretë dhe Peleoponez, në bashkëpunim me kompani amerikane, vendos një situatë të re në Mesdheun Lindor.
Jo vetëm në raport me Turqinë si aktor me tendenca të shpallura revizioniste, por edhe për afirmimin dhe kuptimin që palë të treta duhet të kenë për interesat greke. Një ndër palët e treta është edhe Shqipëria, e cila vazhdon që nga viti 2010 të luajë përrallën e të qenit pikë strategjike nga çdo kënd i vrojtueshëm.
Mënyra sesi u trajtua dhe menaxhua marrëveshja e detit, zbuloi provincializmin e paguar apo të manipuluar tonin, duke shitur si premisë kryesore pikërisht gazin që ndodhet në rajonin mes të dyja vendeve. Marrëveshja në të vërtetë i jepte Greqisë një aset për ta përdorur në relacionin me Turqinë, e cila siç është thënë ishte investuesja kryesore e rrëzimit të saj.
Por sot, Greqisë kjo marrëveshje nuk i duhet më edhe aq. Sepse gradualisht ajo ka futur në valle SHBA, ndaj në rendin e prioriteteve marrëveshja me Shqipërinë mund të presë. Është Shqipëria që ka një interes për ta zgjidhur çështjen, tani që i afrohet anëtarësimit në BE. Në këtë kuptim, çdo faturë shtesë që do paguajmë, ka një emër: Edi Rama. Jo vetëm pse ndoqi kursin turk të politikës në këtë çështje, por sepse në mënyrë të pashpjegueshme ndërpreu negociatat e vitit 2018, duke hedhur farën e keqkuptimeve me një vend fqinj me të cilin Shqipëria ka interesa. Dhe me të cilin prej disa vitesh luan një lojë lufte deklarative duke kërkuar dhe inskenuar një rëndësi që realisht nuk e ka.
Nëse marrëveshja e detit është një aspekt konfliktual i marrëdhënieve tona me Greqinë, sikurse është p.sh edhe adresimi i çështjes së pronave të një kategorie shqiptarësh, zgjidhja e tyre, përbën hap historik. Dhe historia është aty duke pritur atë që do të marrë përsipër përgjegjësinë, pasi llapaqenët dhe delenxhinjtë venë e vinë.
s.zaimi

Comments
Ah, per Zotin!
Eh, ashtu eshte:
>
llapaqenët dhe delenxhinjtë venë e vinë.
>
Puna eshte se nuk i kane lene rradhe te tjereve, e mesa duket te tjereve qe nuk jane llapaqene e delenxhinj nuk ka per t'u erdhur rradha kurre.
Add new comment