2019-2024, 10 mijë prona të shitura zyrtarisht në Shqipëri

Postuar në 29 Korrik, 2025 19:44

Nga një shikim i shpejtë në mediat online, mund të vihet re se ndërtimi i kullave, apo zonave rezidenciale zë vend qendror. Aq e fortë është vëmendja mbi këtë sektor, saqë në një aspekt të krijohet përshtypja se ndërtimi dhe turizmi janë të vetmet fusha ku ekonomia e Shqipërisë punon. Pyetjes se kush blen dhe kush investon është përpjekur t’i japë një përgjigje së fundmi edhe kryeministri Edi Rama, që teksa paralajmëroi të mos aplikohet më parablerja dhe blerja me klering, vuri në dukje se ndërtimi në Shqipëri ka ardhur paralel me një përmirësim rrënjësor arkitektonik.

Megjithatë nuk ka sot ende një relacion të qartë mes këtij investimi që kap miliarda dhe ecurisë ekonomike, apo qëndrueshmërisë së saj. Ndonëse në parathënien sqaruese të Vrojtimit “Mbi ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme”, Banka e Shqipërisë, nënvizon ndër të tjera se:

Historia botërore ka treguar lidhjen e rëndësishme që ekziston midis ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme dhe gjendjes së ekonomisë e të sistemit financiar. Analizimi i kësaj lidhjeje, në mjaft raste hedh dritë mbi ecurinë e cikleve financiare dhe ekonomike, qëndrueshmërinë e treguesve përkatës dhe mundësinë e korrektimit të tyre

ajo nuk sqaron dhe as ka një raport të hollësishëm sesi ky model vepron aktualisht në ekonominë e vendit.

Para disa kohësh, një prej drejtuesve të një banke të nivelit të dytë, Andi Ballta i Bankës Amerikane të Investimeve bënte thirrje që bankat të hyjnë më aktivisht në kreditimin e sektorit, por një thirrje e tillë u neutralizua nga Banka e Shqipërisë që pak më vonë imponoi rregulla më strikte për kreditimin. Zoti Ballta sugjeroi që edhe Amnistria Fiskale të shihej si opsion i oksigjenimit të sektorit me para që përndryshe mbeten jashtë sistemit, por kjo temë tashmë është lënë pas.

Nuk ka ende shifra konkrete dhe te besueshme sesa qarkullon kjo ekonomi që ndërlidh shumë hallka të biznesit të shërbimeve dhe importit si dhe të stabilitetit të Tregut të Punës, çka i ka dhënë shtysë të dhënave alternative. Në statistikën e vet të fundit të majit 2025, INSTAT raporton se për tre muajt e parë të vitit 2025, janë miratuar 258 leje ndërtiit për ndërtesa të reja, që përfaqëson një rënie me 17% të të njëjtës periudhë të vitit 2024. Sipërfaqja totale është 335 137 m2 me një vlerë të përafërt 20.1 miliardë lekë, ose 47.6% më shumë sesa investimi i vitit të shkuar, ku ishin autorizuar më shumë leje. Siç mund të merret me mend vlera më e lartë lidhet me cilësinë dhe llojin e objekteve. Nga këto, 188 leje janë për banim.

Të dhënat në fjalë sugjerojnë një lëvizje të parashikueshme dhe në proporcion me ecurinë e të paktën 6 viteve të fundit. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për këtë treg ka nisur që nga viti 2013 dhe duke marrë në tërësi vitin 2019 deri më sot, pra që nga pandemia e deri më sot, rezulton se ndërtesa të shitura nga agjentët në treg, janë 9916. Mesatarja e shitjeve vjetore për një agjent shkon diku te 6 prona ndërkohë që me kredi bankare janë blerë 50.9% e tyre për një mbulim mesatar të blerjes në masën 60%.

Në këto gjashtë vite, blerjet e jorezidentëve nuk shkojnë më shumë se 30% nga të cilët 1/3 janë jashtë BE-së, pra eventualisht jo shqiptarë.

E gjithë kjo statistikë nuk justifikon dot asgjë nga bumi i përfolur i kullave që me përkufizim hyjnë tek objektet luksoze. Nuk justifikohet këtu as marzhi i kreditimit që do të duhet të ishte në përqindje shumë më i lartë nisur edhe nga vlera e rritur ndjeshëm e çmimeve për metër katror. Në kushtet kur ekonomia e ndërtimit në Shqipëri ka marrë vëmendje edhe në një vend si Italia për shkak të çështjes “Boeri” vrojtimet e Bankës së Shqipërisë fitojnë një vlerëtë shtuar krahasuese me ritmin e jashtëzakonshëm të investimit. Pyetja “kush blen dhe kush investon” është jo më një kuriozitet apo një aludim, por një nevojë përta zbardhur një ekonomi paralele që nuk raportohet zyrtarisht. Por vetëm merr jetë si çështje fakti.

s.zaimi

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Welcome back, Skerdilajd.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.