Modeli i gabuar strukturor në themel të krizës për arsimin e lartë
Në Shtetet e Bashkuara ka një debat në lidhje me raportin mes kostos së arsimit të lartë dhe efikasitetit në tregun e punës pas diplomimit.
Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit (NCES) ka zbuluar se vetëm rreth 41% e studentëve diplomohen me një diplomë katërvjeçare brenda katër viteve, që do të thotë mungesë e theksuar efikasiteti brenda sistemit.
Kritikët flasin për një mospërputhje midis kurrikulës së ofruar dhe kërkesave në zhvillim të tregut të punës, krahas tarifave të larta të shkollimit që nuk kanë tavan.
Në një analizë për Forbes, Nicolas Ladany, i cili drejton Universitetin e Gjirit të San Franciskos (SFBU) në Fremont, Kaliforni, thotë se është i domosdoshëm një dialog i hapur për gjendjen e arsimit të lartë, sidomos duke pasur parasysh faktin se diskutime të tilla rrallë bëhen me transparencën dhe ndershmërinë e nevojshme. Sipas Ladany, shumë prej sfidave me të cilat po përballet arsimi i lartë burojnë prej vetë rrënjëve të tij. Kjo sepse, sipas tij, historikisht, edukimi më shumë sesa me vetë studentin, është lidhur me njohuritë.
Është thelbësore të kuptohen barrierat që pengojnë përparimin e nxënësve. Origjina e arsimit të lartë, e rrënjosur në periudhën e pas-Iluminizmit, u projektua për t'u kujdesur për një segment të zgjedhur elitar të shoqërisë (pothuajse ekskluzivisht meshkuj të bardhë të pasur) me fokus në gjenerimin e njohurive. Ky sfond historik shpjegon pse shumë institucione sot ndonjëherë i japin përparësi kërkimit (të përcaktuar lirshëm) mbi mësimdhënien, shpesh në kurriz të qasjeve me në qendër studentin. Kjo shkëputje sugjeron një çështje strukturore të rrënjosur thellë brenda arsimit të lartë, ku theksi në krijimin e njohurive nuk përputhet gjithmonë me nevojat dhe aspiratat e një trupe të ndryshme studentore.
Ladany argumenton se në shumicën e institucioneve të arsimit të lartë, mësimdhënësve u mungon ajo që u duhet më së shumti.
Shumica e instruktorëve të universiteteve dhe kolegjeve zgjidhen për diplomat e tyre të avancuara dhe njohuritë e specializuara të përmbajtjes, dhe jo për aftësitë e tyre të mësimdhënies. Ndryshe nga edukatorët e K-12, të cilët i nënshtrohen trajnimit të gjerë në pedagogji, instruktorëve të arsimit të lartë u mungon përgatitja formale në metodat e mësimdhënies dhe hartimin e kurrikulës, megjithatë "zotërojnë" kurrikulën brenda shumicës së institucioneve, duke vendosur se çfarë t’u mësojnë studentëve të tyre dhe si. Kjo mospërputhje kontribuon në një sërë çështjesh, që nga performanca më e dobët e studentëve, kohët e zgjatura të përfundimit të diplomës, kurrikulat e vjetruara ose të parëndësishme dhe rritja e borxhit të studentëve.
Kriza e stafit nuk është faktori i vetëm që sipas tij ndikon në përgatitjen e punonjësve më pak efikasë në tregun e punës. Modelet joadekuate të qeverisjes së këtyre institucioneve, sipas tij ndrydhin inovacionin në nivel institucional dhe përshtatjen me mungesën e mbështetjes financiare.
Modelet e prishura financiare që qeverisin shumë kolegje dhe universitete po përkeqësojnë krizën e përballueshmërisë, duke kufizuar aksesin në arsim dhe duke kontribuar në problemin e borxhit të studentëve. Kush e mori vendimin që kolegjeve u duhen më shumë mure që imitojnë shkëmbinjtë ku duhet të ngjitesh sesa asistenca për probleme më të ngutshme siç është shëndeti mendor?
Ladany konkludon se industria e arsimit të lartë duhet t'i nënshtrohet një transformimi të thellë që përfshin rishikimin e prioriteteve dhe praktikave të saj themelore, për të vënë në qendër studentin dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur mësimdhënies dhe kurrikulës.

Add new comment