Dokumentet e deklasifikuara: Përpjekja e SHBA për të vrarë Raul Kastron në 1960

Fidel dhe Raul Kastro
CIA nuk ka pasur në shënjestër vetëm Fidel Kastron, por edhe të vëllain, Raul. Në vitin 1960, Raul Kastro është bërë udhëheqësi i parë i revolucionit kuban, për të cilin CIA hartoi një plan eliminimi. Kundrejt 10 000 dollarëve u pajtua një pilot, i cili do ta merrte vëllain e Fidelit nga Praga në Havana, rrugë gjatë të cilës do të ndodhte një "aksident". Plani që nuk arriti kurrë të finalizohej zbulohet nga dokumentet e deklasifikuara, të botuara së fundmi nga Arkivi i Sigurisë Kombëtare në Uashington.
Piloti Jose Raul Martinez, i cili ishte rekrutuar nga CIA, kishte kërkuar në shkëmbim dhe arsimimin në kolegj për dy djemtë e tij nëse ai do të vdiste gjatë operacionit.
Megjithatë, pasi Martinez u nis për në Pragë, selia e CIA-s në Shtetet e Bashkuara vendosi të anulonte misionin. "Braktisni planin" lexohej në një mesazh dërguar në Havana. Sidoqoftë, ky mesazh nuk u mor kurrë nga Martinez.
Sidoqoftë, ai vetë nuk e zbatoi detyrën që i ishte ngarkuar: pasi u kthye në Kubë, ai i tha kontaktit që bënte lidhjen me CIA-n nuk i ishte dhënë mundësia për ta shkaktuar aksidentin.
Historia, megjithatë, hedh dritë të re mbi "një të kaluar të errët dhe të keqe në operacionet e SHBA-ve kundër revolucionit kuban", i tha AFP-së Peter Kornbluh, analist në Arkivin e Sigurisë Kombëtare, raporton ANSA. "Ndërsa epoka e Kastros përfundon zyrtarisht, politikanët amerikanë kanë mundësinë të lënë pas këtë bagazh historik dhe të angazhohen në të ardhmen e Kubës pas Kastros."
Vetë Fidel Kastro ka sfiduar 11 presidentë amerikanë dhe u mbijetoi komploteve të shumta për ta vrarë, 638 të tilla sipas Librit të Rekordeve Guinness, si dhe përpjekjes së dështuar të zbarkimit amerikan në Gjirin e Derrave 60 vjet më parë.
Add new comment