Kryetari vaksinon partinë me "dorëheqje"

Postuar në 05 Mars, 2021 19:34

Besnik Baraj ka vendosur të largohet nga politika. Kështu raportojnë mediat, por sipas asaj që shkruan z. Baraj, ai në të vërtetë ka vendosur të mos kandidojë për deputet të partisë së vet. Në një shënim për këtë çështje. Z. Baraj sqaron ndër të tjera se:

Nisur nga afrimet e reja në PS, e për t’u krijuar hapësira atyre, kam vendosur të mos plotësoj formularin  për kandidimin si deputet

Kemi pra një rast të largimit formal vullnetar që pason një akt të ngjashëm nga Vasilika Hysi. Zoti Baraj është ndër të rrallët njerëz në PS që ditën të ruanin imazhin dhe veten nga llurbosja e kësaj qeverie, që në fund të fundit mbetën të paktën një zë me arsye dhe kokë të ftohtë në një kope politike ku vjerëshërohen vargjet dhe direktivat e kryetarit që në fakt është një kapo.

Ndaj ikja e z. Baraj mundet edhe të jetë një zgjidhje elegante në një kohë të duhur. Ne do të donim ta besonim këtë gjë në të vërtetë dhe duhet uruar që është kështu. Por ana tjetër është më tingëlluese: në PS-në e tanishme nuk ka vend për njerëz si z. Baraj që preferon të diskutojë pasi të ketë lexuar, që dhunën nuk e ka referencë psikologjike, luksin nuk ngjan se e dëshiron si levë afirmimi, apo që sado të konformohet nuk ngjan se është hija e kryetarit. Të shpresojmë që kjo të mos ndodhë, pa dashur të mbrojmë zotërinë që nuk ka nevojë për mbrojtje.

Në këtë kuptim z. Baraj i kishte ardhur koha të ikte nga partia e spiropalëve, ballave dhe abazëve, kategori këto që e syrgjynosin arsyen dhe dinjitetin e që vetëkonstituohen si shërbestarë të zellshëm, kufiza anonime përkundrejt një njeriu të vetëm.

PS-ja është aktualisht tokë e djegur intelektualisht, sepse aty zhvillohet luftë ekonomike, jo ndonjë përpjekje për zbatim programi zhvillimor. Për çfarë duhet Besnik Baraj këtu?  Por në çdo rast le ta shohim edhe këtë akt si pjesë të kulturës politike të asaj partie që ka dëshmuar se di të administrojë karrierat edhe me kodin e dorëheqjeve që nuk janë përherë akte politike.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.