Polarizimi i Amerikës

Postuar në 31 Tetor, 2020 17:53
Mario Kokonozi

 

Amerika, tempulli i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, po kalon në kohëra të turbullta dhe të pa sigurta.

Zgjedhjet kombëtare për president nuk do të vënë përball vetëm Donald Trump kundra Joe Biden, por gjithashtu si asnjëherë tjetër, pro maskë kundra anti maskë, të varfër kundra të pasurve, të bardhët kundra të zinjve, urban kundra rural, liberal kundra konsvervatore. Kjo sepse ndarja midis liberalëve dhe konsvervatorëve nuk ka qënë kurra kaq e qartë. 

Vetëm 3-4% e votuesve amerikan thonë që janë akoma të pavendosur, një muaj përpara, për cilin kandidat do të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit, ky është një tregues i qartë sesa e polarizuar është bërë gara presidenciale e vitit 2020. 
Në vitin e fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë patur protesta nga më të egrat, ku edhe njerëz kanë humbur jetët e tyre.

Mund të thuhet që polarizimi i politikës, ku nga njëra anë qëndrojnë grupet që përkrahin politikat ultra të djathta dhe që mbështesin presidentin Trump, e nga ana tjetër e spektrit politik, të majtët radikalë, po shtyjnë qytetarët amerikanë të krijojnë një hendek shumë të madh në kombin e tyre. 

Nga vjen ky polarizim kaq i madh i politikës amerikane, a ka filluar me ardhjen e presidentit Trump, apo është një fenomen që i ka rrënjet më të hershme?

Një nga arsyet pse votuesit amerikan ndahen është qasja ideologjike që ofron secila parti. Ndarja ideologjike nuk është gjithëmonë problematike. Sipas një studimi nga Qendra Pew në Washington, konservatorët dëshirojnë të jetojnë në një shtëpi të madhe, hapësire të madhe dhe në një lagje pak të populluar. Nga ana tjetër, 61% e liberalëve zgjedhin të jetojnë në qytet, në zonë urbane dhe me pak hapësire.

Republikanët e kanë ndryshuar gjerësisht mendimin e tyre për martesat gay dhe abortit në 30 vitet e fundit, sot më shumë janë pro këtyre  çështjeve. 
Por pjesa për të cilën ndarja ideologjike bëhet shqetësuese është fakti që  votuesit amerikan janë më konsistent në votën e tyre.

Kjo do të thot që një votues liberal voton gjithëmonë majtas, voton partinë demokratike dhe një votues i djathtë voton gjithëmonë partinë republikane, pak rëndësi kanë kandidatët për president.

Kjo do të thot që një votues duhet dhe është i detyruar të” marr” gjithë paketën ideologjike që ofron njëra apo tjetra parti. 

Si filloi polarizimi?

Mbas luftës së Dytë Botrore, qytetarët amerikanë merrnin informacionet mbi politikën nga tre burime, NBC, ABC dhe CBS. Këto kanale televizive ofronin një tablo të pastër dhe të paanshme të realitetit politik, ishin të balancuara dhe të distancuara. Gjithçka ndryshoi me krijimin e rrjetit CNN në vitin 1980. Kjo media raportonte 24 orë në ditë dhe formati i saj ishte një sukses i madh. Më pas në vitin 1996 lindi FOX News, një kanal tjetër. E më vonë në Amerikë numëroheshin një numër shumë i madh kanalesh të cilat raportonin politikën.

Shumë mund të thonë që kjo nuk sjell problem sepse sa më shumë konkurrencë të ketë aq më e lartë do të jetë cilësia e lajmeve që do të raportohet. Kjo rezultoi aspak e vërtetë.

Në mënyrë që këto kanale të mbijetonin, krijuan strategji të reja për të afruar shikuesit, ata shkuan drejt segmentimin të tregut dhe specializimit drejt një audience të caktuar. Në qoftë se një qytetar është demokrat, shancet janë shumë të ulta që ai të ndjeki e të marr informacionet e ditës nga FOX news.

Nga ana tjetër, për shembull, 65% e republikanëve ndjekin FOX News, kjo përkthehet në miliona amerikanë të cilët kanë krijuar një realitet të caktuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besojnë informacionet që media e tyre e preferuar transmeton.

Kjo çon në një krisje të madhe të realitetit që reflektohet për shumë qytetarë. Mediat me platëforma ideologjike afrojnë njerëz me vlera të njejta si të tyret, kjo krijon votues konsistent. 
Identifikimi partiak

Shkojmë në rrafshin psikologjik dhe social të shoqerisë. Në kohërat e sotme, nëse një qytetar amerikan shprehet kundra abortit, ai etiketohet si republikan.

Nga ana tjetër, nëse dikush shprehet për sigurime shëndetësore falas, ai etiketohet si demokrat. Identiteti politik është përforcuar shumë nga fushatat politke ndër vite, pra krijimi i një fushate të tillë që votuesi të ndihet afër dhe të identifikohet me të gjithë shportën e politkave që ofron secila parti.

Kjo krijon vështirësi për shumë amerikanë të cilët kanë tendenca të jenë dhe republikan për disa çështje dhe demokrat për të tjera. Pra çdo votues duhet të jetë republikan i pastër ose demokrat i pastër. 
Identiteti apo përkatësia me njërën apo tjetrën parti vendoset mbi individin.

Kjo u vu re shumë, mbas fitores së Donald Trump në vitin 2016. Shumë qytetarë amerikanë u vunë me shpatulla mbas muri vetëm për shkak të votës së tyre për partinë republikane.

Fakti që një individ voton për partinë republikanë, atij i vishit i gjithë personaliteti dhe deklaratat e Trump dhe harrohet individi me personalitetin e tij, kjo krijon një ndasi dhe acarim në shoqeri. Demokratët që urrejnë D. Trumpin, de facto po urrejnë dhe votuesit e tij. Por harrohet fakti që ata, pa dashur, po urrejnnë gjysmën e kombit të tyre. 

Bashkëveprimi dhe bashkëbisedimi midis qytetarëve që votiojnë ndryshe është më i ulët se kurrë, 40% e votuesve thonë që nuk kanë miq në “anën” tjetër. Pra rrethi i tyre shoqeror përbëhet plotësisht nga votues të të njejtës parti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot më të ndarë se kurrë më parë, idealet partiake po vendosen mbi individin dhe kjo ka krijuar pakënaqësi të madhe në vendin më demokratik të botës, lidhja emocionale dhe identifikimi me një parti ka krijuar një përçarje midis popullit amerikan.

Ky është një fenomen që mund të zgjidhet vetëm nga lidershipi i ri amerikan, i cili duhet të bëjë përpjekje maksimale për të ndalur dhunën, protestat dhe ndasinë e popullit amerikan, të cilat mund të përshkallëzohen mbas rezultatit të zgjedhjeve të 3 nëntorit.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.