Koncesioni i Porto Romanos, Gjata: Shitje e sovranitetit te Kastrati, do ta zhbëjmë

Postuar në 01 Maj, 2020 00:37

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, e cilëson rast flagrant korrupsioni, shitje sovraniteti dhe tradhti ndaj interesave të shqiptarëve shtesën e kontratës koncesionare që Parlamenti miratoi sot për portin në Porto Romano. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Gjata tha se një marrëdhënie e tillë korruptive bën përgjegjës njësoj si palën që e jep koncesionin, edhe palën që përfiton prej tij. Sipas Gjatës, opozita do ta shfuqizojë këtë kontratë dhe do t’u kërkojë organeve të drejtësisë hetimin e saj.

Është ashtu siç e kemi cilësuar: marrëdhënie korruptive, shitje sovraniteti, tradhti ndaj interesave të shqiptarëve. U shërben oligarkëve në mënyrë që ata ta mbajnë Ramën në pushtet. Sapo hapet njëra perde, dalin 1001 gjëra të tjera, korrupsion, shkelje procedurash. Në korrupsion si ai që jep, edhe ai që merr janë njësoj. Edhe në këtë rast, si ai që po e jep, edhe ata që po e marrin njësoj janë shkelës. Prandaj PD do ta shfuqizojë dhe do t’i kërkojë drejtësisë që këto që kanë ndodhur do t’i hetojë një e nga një”, tha ai.

Shtesa në kontratën e koncesionit parashikon shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve të portit nga kompania Porti MBM, me tre aksionerë: Kastrati 64.3%, Kuqi 34.65% dhe Salillari 1%.

Për Gjatën, vendimi i sotëm do të thotë t’i kalosh kufirin në dorë privatit.

Ka filluar në 2015, u është dhënë me koncesion 3 personave për zhvillimin e një porti që do të merrej vetëm me çështjet e hidrokarbureve. Tani bëhet një shtesë koncesioni. Ne i kërkuam Ramës të merrte masat për këtë situatë pandemie. Ai jo vetëm nuk bllokon koncesionet, por bën edhe një shtesë tjetër. Prandaj në nxitim e sipër vendosën ta miratojnë. Mirë u dha në 2015 me një objekt të përcaktuar, tani jepet për çdo lloj malli. E barazon këtë port me portin e Durrësit. Aty mund të kalojë droga, trafiku. Kush e kontrollon? Porti është kufi, nuk jepet me koncesion. Nuk i jepet privatit, mund të bëjë 1001 të zeza me të”, tha Gjata.

 

Gjata ripërsëriti se PD do t’i zhbëjë këto kontrata kur të marrë pushtetin.  

Rama nuk do t’ia dijë për procedura as ligj, sepse parësore ka marrëdhënien me oligarkët. Kryeministri Rama ka një marrëdhënie korruptive me oligarkët, siç e ka edhe me krimin. Kur të vijmë në pushtet, do t’i zhbëjmë. Garancia qëndron te vota e shqiptarëve”, tha ai.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.