Kriza turke, një moment delikat edhe për NATO-n

Postuar në 19 Gusht, 2018 14:22

Kriza ekonomike turke kërcënon kohezionin e NATO-s. Kështu shkruan revista gjermane “Spiegel” që shton edhe se kreditorët e huaj kanë investuar 265 miliardë dollarë në Turqi dhe ata kanë frikë se do t’i humbasin këto para. Arsye për këtë është fakti se SHBA dhe Turqia kanë dy ushtritë më të mëdha. Klima është helmuar keq dhe presidenti turk preferon të flasë me gjuhën e një qytetari çfarëdo kur deklaron se ndaj Turqisë ka një konspiracion. Kjo ndonëse SHBA kërkon vetëm lirimin e pastorit Brunson, i mbajtur nga Ankaraja për shkak të akuzave për përfshirje në grushtin e shtetit të vitit 2016.

Të paktën sipas të dhënave të revistës, kriza po ndihet thellë në Turqi.

“Ne po varfërohemi çdo ditë”, thotë një shitës bakllavaje në Pazarin e Madh të Stambollit.

Revista luan edhe me sulmet ndaj Turqisë së Erdogan, duke marrë si zë për të folur edhe Marie Owens Thomsen, një ekonomiste në Indosuez Wealth Management, sipas së cilës “vendi ka të gjithë përbërësit e një shteti të dështuar”.

Rënia është e pashmangshme”, shprehet më tej Hursit Gunes, ekonomist turk.  Kësaj situate i shtohet fakti se Erdogan nuk po preferon më të dëgjojë zërat e arsyes. Zv.kryeministri Mehmet Simsek, që vjen nga Merrill Lynch u largua muajin e kaluar, ndërkohë që ministri i Financave, Albaryak shihet vetëm si zgjatim i presidentit të cilin e ka vjehërr. Një arsye për këtë krizë është rënia e investimeve të huaja, që spërbënin bazën e stabilitetit dhe të rritjes. Mes viteve 2015 – 2017 investimet e huaja ranë me 35% ndërkohë që agjencia Standard&Poor e uli vlerësimin për Turqinë në muajin maj.

Kriza ka potencialin e një flluske që mund të sjellë pasoja në shkallë ndërkombëtare pasi bankat nga Franca, Spanja, Italia kanë investuar shumë në Turqi. Vetëm institucionet spanjolle kanë tashmë 80 miliardë dollarë të borxhit turk.

Disa vende po i sugjerojnë Ankarasë të pranojë ndihmën e huaj, që deri më tani është refuzuar por edhe të ulë shpenzimet. Në një shkrim në gazetën Hurriyet, kolumnisti Serkan Demirtas hidhte opsionin e shtyrjes në kohë të ndërtimit të kanalit të Stambollit, një projekt që bën pjesë në një lloj deliri që prek vendet në rritje të shpejtë ekonomike si Turqia.

Kriza e gjen Erdoganin me pushtet të konsoliduar, me një kushtetutë të ndryshuar që e bën atë thuajse një monark. Por ajo mund të kushtojë 10% të votave për partinë e tij, sipas institutit Sonar që vepron në Turqi.

Erdogan është mësuar me bindjen e shumicës së popullit të tij. Ndoshta ai tani do të mësojë se ekonomia globale nuk manifeston të njëjtën lloj besnikërie si votuesit turq

përmbyll shkrimin revista gjermane që shpreh hapur kundërshtimin ndaj regjimit të njeriut të fortë të Turqisë.

Një tjetër aspekt që ka shumë rëndësi është mënyra sesi kriza do të ndikojë politikëne  jashtme të Erdogan në Lindjen e Mesme. Presidenti turk ka futur hundët shumë dhe është angazhuar në Irak, Siri, Egjipt dhe Liban. Ai ka një marrëdhënie të tensionuar në Egje dhe është për t’u parë sesi do të mbështeten tashmë këto politika që kanë gjeneruar jo pak probleme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.