“Problemi i drejtësisë penale është hetimi. Peshqit e mëdhenj nuk kapen me fushata”

Postuar në 05 Janar, 2018 09:58

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku ka komentuar në një intervistë për Ora News perspektivën e zbatimit të reformës në drejtësi, sidomos për sa i përket drejtësisë penale. Sollaku nënvizon nevojën që të hiqet dorë nga një drejtësi me fushata, ku shpesh mediat merr rolin e gjykatësit publik. Një drejtësi e vërtetë ofron garanci për çdo qytetar, edhe pse duhet thënë se drejtësia shqiptare deri më sot nuk ka ofruar barazinë për të cilën e detyroj ligji. 
“Problemi i peshqve të mëdhenj apo të vegjël, kjo është çështje që koha do ta tregojë.Por organi i procedurës, prokuroria dhe gjykata tani, kanë për detyrë që i madh apo i vogël, po janë faktet, po janë provat për ti vënë para akuzës duhet të vihen. Pavarësisht se çfarë emri ka, është politikan apo qytetar i thjeshtë. Pavarësisht se është politikan, pavarësisht se shkruajnë mediat, edhe ai është qytetar dhe ka të drejtën të ketë disa garanci që të prezumohet i pafajshëm derisa akuza ti gjejë provat dhe ti thotë që akuzohesh për 1,2,3, 4, faktet janë 1,2,3,4 dhe më jep ti opinion tënd. Po nuk u gjetën prova, mendoj se nuk kemi nevojë për gjueti shtrigash por procese të rregullta ligjore pavarësisht nëse është Ministër, deputet, politikan apo qytetar i thjeshtë”, thotë Sollaku. 
Një problem sipas tij që ka sjellë situatën e tanishme është hetimi. Hetimi që mbledh provat dhe përgatit dosjen për në gjykatë. Këtu duket se çalon puna dhe ndoshta aty do parë  një vullnet për shmangien e drejtësisë. 
“Drejtësia penale ka shumë probleme por baza është hetimi. Ka vite të tëra që hetimi po kalon nga një dorë në dorën tjetër, diku thotë policia e kam unë, diku thotë prokuroria e kam unë, diku ja lënë topin njëri-tjetrit, por baza është hetimi. Shqipëria akoma nuk po vë si duhet policinë gjyqësore në baza të shëndosha, me infrastrukturë, njerëz profesionistë,me njerëz që e njohin mirë kodin e procedurës penale, me njerëz që i dinë mirë taktikat dhe teknikat e hetimit.
Të shohim çfarë efekti do të ketë SPAK dhe Byroja e Hetimit që pritet të ngrihet së shpejti. Por në fund të fundit ata nuk janë gjë tjetër veçse oficerë të policisë, të cilët besoj se do të kenë një trajtim më ndryshe, do të jenë më të motivuar, do të kenë garanci më të mëdha për të qëndruar në detyrë dhe ndoshta kjo do ti bëjë ata për të qenë më të preokupuar për t’i çuar deri në fund çështjet”, shtoi ai. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.