Shënim: Zijafetet e reja të Socialist-llarëve

Postuar në 24 Korrik, 2015 10:01

“Ore, këta socialistët i shoh të gjithë të veshur me “Lacoste”. A është shumë normale kjo?”. Një pyetje e një miku që vinte nga jashtë në vitin 2004 e që pikaste një hollësi për tjetërsimin etik që “e majta” dhe “e djathta” kanë pësuar në Shqipëri. Kanë kaluar shumë vite dhe tashmë veshja është ndër të paktat gjëra që bie në sy. Por dëshira për salltanete dhe luks e “të majtëve” të Shqipërisë, është si puna e atyre “hijeve që të mbeten nga pas”. Fjala natyrisht nuk është për të majtë të doktrinës, por të majtë të traditës. Pra të majtë denbabaden, nga ata që gdhihen e ngrysen te PS-ja. Te drejtimi saj. Kjo parti ia ka dalë që të prodhojë lajmet që do, madje nga më të çuditshmet. Ka një ditëlindje? Ajo publikohet në çdo gazetë. Ka një promovim libri? Një çfarëdo, edhe sikur ta zëmë të jenë “kujtime nga dita e 37-ë e grevës së urisë”. Me siguri do të gjejë vend në media. Pa folur për debatet në grup, sherret, kundërvëniet, takimet informale. Këto janë lajme e kaluar lajmeve. Vitet ikin e kurioziteti po ai. Kështu edhe një ditë më parë. Ose më mirë: kështu edhe në të njëjtën ditë që qeveria vendosi të rrisë(!!!) pensionet me 140 lekë. “I madhi” thirri një darkë në “Chateau Rexhekri” në Surrel, që po ta shohësh nga fotografitë në “Facebook” i bën të duken ato 140 lekë si mexhite lypsari. I thirri për darkë të gjithë deputetët afër shtëpisë së vet. Dhe ja këtu fillon interesi “gazetaresk”. Për çfarë t’i ketë thirrur vallë? Se tani nuk ka as plane pesëvjeçare. Ta ketë për reformën në drejtësi? Apo do t’i shohë në sy para se të bëjë ndryshimet në qeveri? Raportimi nuk zhgënjen: batuta mes Ramës dhe Bashkim Finos. Por edhe mes Ramës e të gjithmonëgjendurit në gallata partiake, Pandeli Majkos. Thonë(kush, kamarieri?) se kryeministri i ka bërë qejfin edhe Fatmir Xhafës. Na qenkan ngritur edhe dolli. Pse jo një mund të ketë qenë edhe: “Ta kemi partinë! Ha ha ha...”
Pastaj ca hollësi për tavolinat dhe ja kaq. Duhet të hamendësosh se çfarë kuptimi ka kjo darkë e kripur. Pse ajo përcillet si lajm?
Një darkë dhe një komunikim(ku mungojnë armiqtë si Blushi, apo revizionistët e LSI-së) që na tingëllon i njohur. Por edhe kaq i dalë boje dhe i vjetëruar. Të tilla zijafete i “kemi parë” së largu edhe në kohën e Diktaturës, por asokohe ishin më të rafinuar, edhe pse nuk mbanin “Lacoste”. E shumta i përfshinin këto në ndonjë album që botohej në kuadër të ndonjë libri, i cili ka të mirën se “nuk të bën kurban” fotografinë si në erën dixhitale. Por edhe se po të doje e blije. Tani çdo klik të çon tek bëmat e elitës.
“Paradoksale” sidoqoftë, të vëresh sesa xheloze ishte ajo kastë për privatësinë e vet, ndërkohë që detektonte çdo aspekt të jetës së shqiptarëve. Sot “të majtët” e lajmeve rozë(;-)) po pretendojnë finesë te teprimi me mirëqenien. Madje tek arroganca e shpalljes hapur të saj. Po shesin miqësi dhe familjaritet politik, ose unitet siç thuhej dikur, përmes afirmimit të kodit të “darkës së fundit”, holluar gjithsesi me parimin: “Me të qeshur me të ngjeshur”. Nuk është aspak një darkë makbethiane, as mirëfilli një darkë komunistësh apo neobllokmenësh siç do preferonte të thoshte dikush. Ajo është, me ndihmën e medias, diçka midis karikaturës së darkave të kohës sovjetike, ku protokolli i karrigeve promovon rehatllëkun, karrierën dhe ekzistencës laksative të gargantuave të rinj. Sepse në fakt ëndrra e Europës që magjepsi ligjërimin në fillimet e veta, përmbyllet sot si regjim i ri për rropullitë.
s.z

Comments

Submitted by Milan77 (not verified) on

<p>Po tani, ju e keni problemin me ata qe organizuan darken, me shtypin qe publikoi darken apo me te dy palet? Perpos veshjeve Lacoste, i vetmi sqarim qe mund t&#39;u kerkoni atyre qe oragnizuan darken eshte vetem se kush pagoi, sa per te tjerat jane te lire te darkojne edhe organizohen si te duan. Sa per shtypin, keni te drejte se te gjitha mediat pergjojne nga vrima e celesit dhe nuk japin as informacion as koment as mbajne qendrim. Shkurt hesapi, me thane i thashe.....</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.