Një teori e re për Lëndën e Errët e lidh atë me Vrimat e Zeza primordiale

Postuar në 28 Maj, 2016 20:23

Lënda e Errët përbën rreth 80% të masës së Universit dhe është me gjasë misteri më i madh për fizikanët e sotshëm. Një nga “paradokset” e saj është se dendësia e saj rritet, ndonëse postulimi ynë për universin është se ai po zgjerohet. Shumë emra të njohur të fizikës kanë deklaruar se njeriu ka nevojë për një Einstein të ri për të kuptuar këtë mister të madh, se me zbardhjen e tij, fizika do të ndryshojë thelbësisht. Përpjekjet për këtë nuk mungojnë dhe një alternativë intriguese është ajo se Lënda e Errët është krijuar nga vrima të zeza të formuara në sekondën e dytë pas Big Bangut. Këto njihen si Vrimat e Zeza primordiale.

Në një studim apo analizë të fundit, një shkencëtar i Qendrës “Goddard” të Fluturimeve në NASA, sugjeron se ky përfytyrim për Lëndën e Errët, përputhet mirë me njohjen që shkenca ka për rrezet X dhe ato infra të kuqe, sfondin e tyre ndriçues, dhe se ai mund të shpjegojë masat e mëdha të vrimave të zeza që bashkohen, e të cilat u detektuan vitin e kaluar. Alexander Kashlinsky, astrofizikant, shton se nëse ky përfundim do të rezultojë i saktë, atëherë mund të hipotetizohet se “të gjitha galatikat, përfshirë tonën, janë të bashkëngjitura brenda një sfere të madhe vrimash të zeza, secila në masë 30 herë më të madhe sesa ajo e Diellit”.

Për Lëndën e Errët është sugjeruar edhe një model teorik që e sheh atë si një Grimcë të vetme masive, ekzotike. Por nuk ka asnjë evidencë për këtë.

Një sinjal premtues është kapja e valëve gravitacionale vitin e kaluar nga Laser Intereferomter Gravitational Wave Observatory në Luiziana, ku për herë të parë u kryer për herë të parë gjurmimi direkt i një vrime te zezë. Masa e vrimave të zeza që ishin bashkuar dhe kishin krijuar këtë fluktacion gravitacional ishte 29-30 herë më e madhe se ajo e Diellit, në një ngjarje që ka ndodhur 1.3 miliardë vjet më parë. “Në varësi nga mekanizmi veprues, vrimat e zeza primordiale mund të kenë karakteristika të ngjahme me ato të detektuara nga LIGO. Nëse ne pranojë se ky është rasti, atëherë LIGO ka kapur një bashkim vrimash të zeza të formuar në universin e hershëm dhe ne mund të shohim pasojat që kjo mbi kuptimin tonë sesi kozmosi evoluoi”, thotë Kashlinsky.

Në analizën e tij, ky shkencëtar trajton idenë se çfarë mund të ketë ndodhur nëse Lënda e Errët ka konsistuar në vrima të zeza si ato që detektoi LIGO. Vrimat e zeza e shformojnë shpërndarjen e masës në universin e hershëm, duke shtuar një fluktacion të vogël që ka pasoja qindra milionë vjet më vonë, kur edhe yjet e parë nisin të krijohen. Skenari vijon me idenë se në 500 milionë vitet e para, Materia e Zakonshme mbeti shumë e nxehtë sa për t’u koaguluar në yjet e parë. Lënda e Errët nuk afektohej nga temperaturat e larta sepse, ciladoqoftë natyra e saj, ajo fillimisht ndërvepron përmes gravitetit. Duke u agreguar nga tërheqja e ndërsjellë, Lënda e Errët, si fillim u “nyjëtua” në masa të quajtura minidisqe drite, që prodhuan shtysën gravitacionale që materia e zakonshme të depozitohej dhe bashkohej. Gazi i nxehtë ra drejt këtyre Mini-Disqeve, duke krijuar xhepa gazi, të dendur mjaftueshëm për t’u reduktuar më tej akoma në yjet e parë. Vrimat e Zeza brenda MD-ve, u prekën nga goditja e gazit të nxehtë dhe dihet, që kur materia bie mbi një vrimë të zezë, aty prodhohen Rreze X. Së bashku me dritën infra të kuqe nga yjet e parë, këto Rrezxe X, që prodhohen si më sipër, mund të na shpjegojnë pse i vëzhgojmë ato të dyja bashkarisht.

Distanca kohore e ngjarjeve të vëzhguara është e tillë, që përputhet me skenarin e propozuar nga Kashlinsky. Por nga teoria drejt konfirmimit të saj ka shumë punë. E mira është se të paktën ka një teori. Më poshtë një video e realizuar në kompjuter që vizualizon atë që mendohet se ka ndodhur me vrimat e zeza të detektuara nga LIGO:

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.