Srebrenica 2.0

Postuar në 13 Korrik, 2015 12:14
Doan Dani

Në kohën kur konsumohet konflikti boshnjak , terrorizmi, tortura, dhuna seksuale shfaqen si mjete të racionalitetit politik më shumë sesa si mjete të pasionit (sot mbase akoma më mprehtësisht), e nuk përjashtohen nga skema e përllogaritjeve të këtij racionaliteti as veprimet e faktorit ndërkombëtar, i cili luante ndeshjen e vet nga dy tribunat kryesore, ndërsa në qendër grisej përfundimisht një territor dhe me mëshirën e kampeve të Luftës së Dytë Botërore shkatërrohej një popull: gati 2,5 milionë njerëz të shpërngulur, 50 mijë të torturuar, 20 mijë të përdhunuar, 715 kampe përqendrimi, qindra varre masivë për 100-130 mijë viktima – pasaktësia e numrit është në vetvete tregues.
Një episod nga lufta në Bosnje, kur ajo tashmë shkonte drejt përfundimit, e sintetizon modernitetin në kombinimin e potencialit të tij teknologjik me racionalitetin politik. Më 10 shtator, rreth dy muaj përpara marrëveshjes së Dayton-it, nga aeroplanmbajtësja Normandy amerikanët godasin me 13 raketa të sofistikuara Tomahawk disa objektiva serbo-boshnjakë, si kundërpërgjigje ndaj një rakete të lëshuar me urdhër të Ratko Mladić-it në territorin kroat (8 shtator), teksa në Gjenevë mbahej një konferencë për paqen (7-8 shtator). Përdorimi i kësaj teknologjie ishte shenjë e vendosmërisë amerikane për t’i dhëne fund konfliktit duke e privatizuar rolin e xhandarit global. Kjo edhe sepse, tek i njëjti episod, gjenerali francez Bernard Janvier përpiqej akoma të negocionte me Mladić-in, i cili kishte mbi rroba kutërbimin e Srebrenicës, kurse Italia refuzoi lejen e fluturimit të avionëve amerikanë Stealth F-117 nga baza e Aviano-s – i ngjashëm ka qenë qëndrimi italian edhe gjatë luftës në Kosovë.
Praktikisht e tërë lufta në Bosnje zhvillohet me këtë skemë: SHBA, Gjermani dhe aleatë si Turqia pengohen (e në disa raste sabotohen) nga Rusia, Franca, Britania e Madhe, Italia, lidershipi i OKB-së, B. Boutros-Ghali, e nga satelitë të ndryshëm. Nga njëra anë e peshores ndodhet ekuilibri i forcave e nga ana tjetër sakrifica njerëzore. Prej kësaj dare nuk kishte si të shpëtonte Srebrenica.
-Më 6 korrik enklava gjendej e rrethuar nga trupa të rregullta, “tigrat” e Arkanit dhe mercenarë të ndryshëm, mes tyre edhe grekë, që duhej të luftonin tre ditë për 1.900 marka gjermane. Kërkesa për ndërhyrjen e NATO-s u refuzua nga komandanti i UNPROFOR-it (francezi Janvier). Përgjigja e tij dhënë oficerëve nuk ka nevojë për komente: “Zotërinj, nuk e kuptoni? Unë duhet t’i heq qafe ato enklava”. Qëlloi gjithashtu që zëvendësi i gjeneralit amerikan Rupert Smith në shtabin e Sarajevës të ishte gjenerali francez Hervé Gobillard. Pasditen e 11 korrikut, 18 avionë të NATO-s fluturuan mbi pozicionet serbe, duke shpenzuar karburant dhe dy bomba. Vazhdimi dihet, të vdekurit jetuan edhe dy ditë.
Nga një këndvështrim, Srebrenica përbën simbolin trepalësh të konfliktit: i viktimave, i ngadhënjimtarëve dhe i Perëndimit, të cilit Boutros-Ghali u përpoq t’ia mbronte vlerat me cinizmin burokratik të “gotës gjysmë bosh apo gjysmë plot”, kur pohoi se, sipas tij, Srebrenica “nuk ishte falimentim”, pasi “ne vazhdojmë t’i ofrojmë ndihmë refugjatëve”. Thënë ndryshe, ‘të vrasim për të mosvrarë’, duke tejkaluar edhe atë çka ndodhi me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku vetë ata i përzgjidhnin viktimat për të shpëtuar ç’mund të shpëtohej, ndërsa Boutros-Ghali, teorikisht në anën e të Mirës, me qëndrimet e tij ia kishte deleguar përzgjedhjen serbëve. Aty ku komuniteti ndërkombëtar përpiqet të shpëtojë fytyrën e vlerave, serbët lumturohen për dhurimin e një enklave nga ata të spastruar – të kërkuar që në 1993 në këmbim të disa periferive të Sarajevës – me përllogaritje të detajuar (deri në parashikimin e kontraktimit për mercenarët, 3 ditë), kurse boshnjakëve s’u mbetet tjetër veçse të shtrëngohen pas viktimizimit dhe Srebrenicës së shndërruar në çmimin e paguar për Dayton-in.
S’ka dyshim që fajësia kryesore bie mbi ekzekutorët realë dhe mbështetësit të tyre. Serisë së lotëve, mllefit dhe nevojës për drejtësi, pas njëzet viteve, kësaj radhe iu shtua edhe pjesëmarrja në përkujtim e kryeministrit serb. Parlamenti serb ka miratuar rezolutën ku i kërkohet falje popullit boshnjak në 2010, pas 13 orëve debat dhe vetëm me dy vota më shumë se gjysma e parlamentarëve. Sesa i pikëlluar është Vučić-i nga vrasja e Tjetrit mund të verifikohet nga indiferenca e tij ndaj viktimave civile në Kosovë ose nga koret (e ndaj tyre) e tifozerisë serbe në ndeshjen e fundit me Shqipërinë: në të njëjtin kontekst ka filluar shpërbërja e Jugosllavisë – “kung-fuja” e famshme e Zvonimir Boban-it në Maksimir, 13 maj 1990 –, ato kontingjente kanë mbushur radhët e “tigrave” dhe po aty celebrohet Srebrenica si ngadhënjim kur përballen kombëtaret e Serbisë dhe Bosnjës. Bëhet fjalë për një ngjarje të pranuar ndërkombëtarisht dhe juridikisht si gjenocid që celebrohet publikisht si triumf në një vend kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Kjo ndodh edhe për një logjikë të thjeshtë: luftën në Bosnje nuk e kanë fituar viktimat.
srebrenicaSidoqoftë, nuk është ky rrafshi që meriton vëmendjen kryesore. Ndalesa te klithmat, lotët, fajësitë, padrejtësitë, teatraliteti ndërkombëtar, është stacioni fillestar, emocional dhe sipërfaqësor, e kësisoj anashkalon jehonën reale të ngjarjes, që mund të përmblidhet me pyetjen “A mundet që Srebrenica të shfaqet me një emër tjetër?”. Ky është thelbi, për studiues por edhe për ballkanas që shpresojnë tek avionët e NATO-s ose maksimumi e mendojnë vetëm si çështje boshnjakësh, gjithsesi të ndodhur fatkeqësisht e rastësisht përpara bishave. Identifikimi i vrasësit masiv si ‘bishë’ është naivitet dhe reduktim në sipërfaqe. Pa e mohuar se mes vrasësve të boshnjakëve kishte krijesa njerëzore vetëm nga tiparet biologjike, pjesa më e madhe, e pse jo të gjithë, kur nuk dhunuan si plaçkitës, kryen një detyrë ndaj Atdheut, Kombit dhe Zotit, e cila qëlloi të ishte shfarosja e Tjetrit.
Fillohet me tëhuajësimin e Tjetrit, pra kur individi shndërrohet në Tjetër. Kjo për një mori arsyesh. Mladić-i, teksa i drejtohej aktit final, fliste për turq, por nuk ishte më larg tij presidenti kroat Franjo Tudjman, që mund të pastrohet vetëm sepse u rendit me fituesit dhe viktimat. Në momentin kur (1993) kroatët filluan luftën kundër boshnjakëve (kampe përqendrimi, vrasje, tortura, përdhunime, plaçkitje), Tudjman-i deklaronte në Sisak, ku me sa duket osmanët ishin thyer dikur nga kroatët, se historia po përsëritej dhe se fitorja ishte e atyre që përbënin “murin pritës të krishterimit”. Tjetri boshnjak ishte derivat edhe i dallimit social, përveçse etno-fetar. Vëzhgues të atij konflikti kanë konstatuar se kontingjentet më agresive kanë ardhur nga periferitë e reja të qyteteve dhe sidomos nga fshatrat, prej ku buronin të “vërtetit”, të “pandoturit”, të “pastrit” serbë e kroatë. Ishte ndër të tjera edhe një luftë e fshatit kundër urbanizimit, e izolimit kundër kozmopolitizmit: (kryesisht) Sarajeva e (në disa aspekte specifike) Vukovari e konfirmojnë.
Pasi Tjetri është prodhuar dhe përjashtuar ‘në emër të…’, kalohet në fazën tjetër, në atë që Hannah Arendt e cilëson si kapërcim i mëshirës instiktive të njeriut për njeriun. Ajo që nazistët arritën përmes rrënjosjes së detyrimeve përpara ligjit dhe normave të burokracisë, serbët në Bosnje e gjetën te nacionalizmi me nota fetare dhe arkaike, i aftë për të prodhuar urrejtje, mllef kolektiv dhe revansh. E gjithë kjo e bazuar mbi ideale sublime dhe e përpunuar nga elitat, në mënyrë të veçantë nga ligjërimi i viteve ’80. Ky është çasti kur Tjetri bëhet viktimë. I pajisur me legjitimitetin e nevojshëm, vrasësi masiv kryen me krenari detyrën sapo të disponojë armatimin e nevojshëm.
Ballkani e ka të pranishme kudo gatishmërinë për të hyrë në llogore ‘në emër të…’. Ka pasur dhe ka elita që prodhojnë përjashtim, mungesë mëshire, dehumanizim dhe urrejtje ekstreme, elita që e prodhojnë Tjetrin. Të mos e mendojmë veten të imunizuar ne shqiptarët e Shqipërisë, që i kemi bërë 1000 të zeza Tjetrit “tonë”, fqinj e familjar, në emër të Partisë. Dallimet sociale (fshat-qytet), krahinore dhe fetare gjarpërojnë publikisht e nganjëherë janë institucionalizuar. Nuk mungojnë as ligjërimi përjashtues, revanshi e nënçmimi: vendosja e grekëve para çamëve është përjashtim, e sigurisht jo “në emër të” kombit. Ndodh që vriten dy turistë dhe një zonë e tërë kriminalizohet, “në emër të” fytyrës përpara ndërkombëtarëve, por edhe ‘fytyra’ është motiv urrejtjeje kolektive; siç ndodh që vrasësi grumbullon avokatë, të cilët peshën më të madhe të fajit ia faturojnë shtetit e shoqërisë, ndërsa kur ka vrasje në një zonë tjetër, të njëjtët zgjedhin heshtjen duke qëndruar indiferentë ndaj akuzave të ngritura mbi një tërësi Tjetër, sepse është Tjetri. Besoj se mbi 12-15 mijë të vrarë në 1 mijë ditë rrethim mjaftojnë për ta quajtur ëndërr fshehjen e banorëve të Sarajevës pas bashkëjetesës së serviur me kafe e sevdalinka.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.