Oketa: Pronat e ushtrisë duhet t’u shkojnë ish-pronarëve

Postuar në 20 Korrik, 2012 13:52

Kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, gjatë një interviste në studion e TV A1Report, propozoi që pronat e Ushtrisë të nxjerra jashtë Planit të Përhapjes të shkojnë për ish-pronarët. Deklarata vjen një ditë pasi lista me pronat e ushtrisë u paraqit në Komisionin e Sigurisë nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi se këto prona që do të shkojnë për privatizim janë piketuar nga “klientët e Berishës”.

"Unë nuk jam në dijeni të privatizimeve të pronave të ushtrisë por jam në dijeni të pronave të dala nga Plani i ri i Përhapjes hartuar nga Ministria e Mbrojtjes", tha Oketa gjatë bisedës me gazetaren Ola Bruko, ndërsa shtoi se "kjo listë bëhet nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë".

Sipas Oketës, të gjitha objektet që nuk janë më të nevojshme për ushtrinë dhe shkojnë në Ministrinë e Ekonomisë për privatizim duhet t'u vihen në dispozicion si fillim ish-pronarëve. Në këtë mënyrë, tha ai, lehtësohet edhe fatura e qeverisë për kompensimin e ish-pronarëve.

"Forcat e Armatosura riorganizohen në personel, kur ky proces përfundon Plani i ri Përhapjes firmoset nga ministri. Pronat e cilësuara si të tepërta i vihen në dispozicion Qeverisë", u shpreh Oketa. Ai mohoi të ketë objekte të rëndësishme si Shkolla e Bashkuar apo Spitali Ushtarak në listën e re të përhapjes, paraqitur në Komsionin e Sigurisë nga ministri Imami.

"Unë mendoj se pronat duhet të jepen për pronarët e ligjshëm që padrejtësisht quhen ish-pronarë. Kjo duhet të ishte zgjidhja më e mirë që do të zbuste edhe faturën e qeverisë për dëmshpërblimet", tha Oketa.

Oketa foli edhe për çështjen e dorëheqjes së drejtorit të SHIU-t, Ylli Zyla. Sipas tij, në Komisionin e Sigurisë nuk ka mbërritur asnjë njoftim në lidhje me këtë dorëheqje dhe fakti që dalin shkresa me firmën e Zylës do të thotë “që ai është ende në detyrë” ose të paktën që “kërkesa për dorëheqje mund të mos jetë pranuar nga ministri Imami ose Kryeministri Berisha”.

Oketa nuk pranoi të fliste për trafik armësh në Ministrinë e Mbrojtjes por theksoi se ishte në favor të një hetimi parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe në lidhje me akuzat e opozitës për përgjime nga ky dikaster, Oketa nënvizoi se Komisioni Parlamentar mund të ngrejë një grup deputetësh që të hetojë enkas për këtë.

Në lidhje me heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, ai u shpreh në favor, por pa rrezikuar arnime të kota në Kushtetutë. Oketa tha se nuk kuptonte gjithë këtë ngut për të ndërhyrë në Kushtetutë brenda datës 6 gusht, ndërkohë që gjatë gjithë këtyre viteve nuk është bërë një gjë e tillë. Gjithsesi, Oketa shtoi se Kushtetuta do të kishte nevojë edhe për ndërhyrje të tjera, përveç asaj për heqjen e imunitetit.

Ndërsa komentoi në studion e A1Report reformën zgjedhore të aprovuar nga Kuvendi, Oketa tha se përshëndetjet e ambasadorëve të huaj e institucioneve ndërkombëtare ishin për konsensusin e arritur nga dy forcat e mëdha politike në vend, PS e PD, dhe jo për cilësinë e Kodit në vetvete. Ky i fundit, sipas Oketës, nuk siguron barazinë e votës dhe për këtë arsye FRD-ja votoi kundër në Parlament.

Re.Pu.

Comments

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Kush e qane koken per ishpronaret. Nuk tham per pronart e tokave te mdha, por per pronart e tokave me siperfaqe te vogel, si kudo ne bote.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.