Kujt i duhet kjo elitë?

Postuar në 15 Shtator, 2018 15:32

Dy ditë më parë në media qarkulloi një fotografi e Namik Dokles në një takim me deputetë të dikurshëm të PS-së. Dokle shkruante se brezi I tij kanë qenë idealist, të formuar, të mençur etj., duke e evidentuar autolavdërimin si kritikë për kohën e sotme.

E njëjta qasje, vajtuese për gjendjen e elitave, përcillet sot nga Afrim Krasniqi, që përmes një shkrimi në Ditën e Demokracisë, sjell në vëmendje ndër të tjera një të dhënë domethënëse: dikur sipas tij, 140 deputetët e Parlamentit deklaronin 180 tituj të botuar, sot 180 makina luksoze.

Është një e dhënë që ilustron më së miri ndryshimin e thellë që ka ndodhur në jetën e shqiptarëve, të shoqërisë shqiptare, por që e përcjellë kështu në vend se të ofrojë një kritikë reale, bie në nihilizëm.

Le të pyesim: z. Dokle, si idealist që është, apo edhe kolegët e tij me të cilët pozonte dy ditë më parë, i ka të ardhurat për të blerë një makinë luksoze dhe për ta mbajtur atë? Duke parë politikën e këtyre 27 viteve na duhet të themi që Po, i ka. Madje edhe më shumë. Ato 180 libra të botuar nuk penguan kurrgjë në keqqeverisjen e këtij vendi.

140 deputetët e parë ishin elitë e prodhuar nga regjimi komunist dhe ajo elitë siç u pa në mbarë Lindjen, problemin themelor të vetin e pati me moralin. Me moralin e pushtetit që përbën shkakun e kësaj Shqipërie që shohim sot e gjithë ditën.

Ne mund të rrimë gjithë ditën të thurim vargje për profesorët e shkëlqyer të viteve ’90, por më parë duhet të analizojmë qeverisjen e tyre dhe natyrën e konfrontimit që i sollën Shqipërisë. Në fund të fundit edhe kriminalizimi i vendit është proces që ka nisur prej kohësh e që tani kurorëzohet me këto shfaqje dramatike të deputetëve që kanë rekorde kriminale. Një vend e qeverisin ata që kanë ekonominë në dorë dhe nëse këta profesorë kanë lejuar që ekonominë ta merrte nën dominim krimi, duke bashkëpunuar me ta, apo duke u frikësuar prej tij, atëherë kjo elitë nuk i duhet kujt. Madje ka bërë më shumë dëme sesa të mira.

Është në natyrën e elitave që ta konsiderojnë përherë të papërfunduar detyrën e tyre karshi vendit, kohës dhe brezit. Në Shqipëri ndodh disi ndryshe: elita përveçse vetëshpallet, e ka përgjegjësinë në fund. Në fillim janë cilësorët venerues, pastaj arritjet gjysmake, më tej kërkimi i fajita te tjetri e në fund, ikja, apo largimi. Dorëheqja. Është në të mirë të vendit dhe shoqërisë që këtë pseudoelitë ta shohë për atë që është, rolin e intelektualit ta gjykojë nisur nga motivet dhe parimet, jo pragmatizmi. Përndryshe moral ndaj krimit nuk mund të bësh pasi kështu pohon një dështim dhe fatalitet që të heq të drejtën të pretendosh ndonjë vend për të qenë në histori. Idealistë që ankohen s’i duhen kujt. Dhe Shqipëria e provon më së miri këtë.

PS: Fotoja përdoret vetëm për qëllim ilustrativ. 

Comments

Submitted by Mskkskss (not verified) on

Namiku qe hoqi dore nga politika nderkohe qe vazhdoi deputet dhe per tre vite te tjera. Pseudoelite.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.