Rama, biznesit fason: Ne do vendosim rregulla të vlefshme dhe të barabarta

Postuar në 18 Mars, 2013 12:55

 

Paraditen e sotme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar një vizitë pune në një biznes fason në kryeqytet. 

I shoqëruar dhe nga Sekretari për Sipërmarrjen, Arben Ahmetaj, si dhe anëtarët e grupit të punës për programin, Ilir Beqja e Gent Gazheli, kryesocialisti është njohur me kushtet e punës, ka takuar punonjëset e kësaj fabrike prodhimi veshjesh, e më pas është ulur e ka biseduar gjatë me drejtuesit e këtij biznesi.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e biznesit fason i kanë shpjeguar kryesocialistit se megjithëse kanë investuar prej 20 vjetësh të gjitha kursimet e tyre, ata kanë mbetur fasonë të cunguar, pasi nuk kanë mundësi financiare që të kompletojnë të gjithë ciklin e prodhimit, që nga marrja e lëndës së parë e deri te kryerja e të gjitha proceseve të prodhimit.

Gjatë fjalës së tij Rama ka vlerësuar rëndësinë e industrisë fasone, si dhe është ndalur në disa nga pikat më të rëndësishme të programit për një Rilindje Shqiptare, që lidhen drejtpërdrejt me ecurinë e kësaj industrie.

“Ne e propozuam rreth 1 vit më përpara edhe në bazë të bisedave që bëmë bashkarisht, u refuzua, u tha që kjo TVSH nuk mund të hiqet, pastaj së fundmi u tha që do bëhet, por mbi 500 mijë dollarë me një listë të përcaktuar që do të marrësh makineri pa TVSH shko merr nga kjo listë. Sipas të gjitha të dhënave lista është klienteliste, për të nxjerrë përfitime nga marrëdhënie me kompanitë që kanë futur në listë emrat e makinerive dhe praktikisht, sot e gjithë ditën kjo është e pazbatuar. Ngaqë nuk paguajnë të gjitha, ju nuk paguani vetëm taksa, paguani dhe gjoba. Nga gjobat, shto dhe të tjerat që ju s’i thoni, por që ju i paguani dhe ato, ai tatimi shkon 20, 30,40, e deri 300%. Ne kemi takuar kompani që ju shkon 300%. Ne do të vendosim rregulla loje të vlefshme dhe të barabarta për të gjithë, të vendosim një sistem ku ta mbështesim rritjen e prodhimit”, deklaroi Rama.

Në vijim Rama theksoi se shteti ka nevojë të rrisë punësimin dhe Partia Socialiste e ka një program për të rritur punësimin në mënyrë të konsiderueshme.

Rama premtoi se ideja e socialistëve është të kalohet nga ndihma ekonomike pasive, që është një lëmoshë dhe që është e abuzuar egërsisht politikisht për arsye elektorale, tek mbështetja ekonomike aktive nëpërmjet punës.

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.