Kërkoi ndihmë te Kuliçaj për Frrokun, por u hoq nga detyra

Postuar në 01 Mars, 2013 07:09

 

Zbulohet shkresa e Lamajt, dërguar eprorëve për informacion mbi vrasjen në Belgjikë

Më 23 mars 2012, Lamaj kërkoi ndihmën e Interpolit për të verifikuar emrat e kosovarëve dhe vëllezërit Frroku

Bledi Gilaj

Shkresa – Lamaj i ka dërguar informacion Kuliçajt dhe Interpolit në lidhje me dyshimet ndaj Arben Frrokut dhe Mark Frrokut për vrasjen në Belgjikë

Dritan Lamaj “u tradhtua” nga kupola e policisë për hetimin e nisur për vëllezërit Frroku, pasi kur kërkoi ndihmën e tyre për të verifikuar informacionet e mbledhura në rrugë operative për vrasjen e ndodhur në Belgjikë, ata e shkarkuan nga shef i Komisariatit nr. 6 dhe e dërguan specialist në sektorin e policimit në komunitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo vërtetohet nga një shkresë sekrete e dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, e cila është siguruar nga gazeta “Shqip” dhe hedh poshtë pretendimet e krerëve të policisë se Arben Frroku njihej si biznesmen i fuqishëm dhe se nuk kishte probleme me ligjin. Shkresa është dërguar nga Dritan Lamaj në zyrën e Agron Kuliçajt, ku ai kërkon ndihmë që Interpoli të kërkojnë informacion në lidhje me vrasjen në Belgjikë.

Shkresa në fjalë mban numrin 1646 të protokollit dhe ka dalë nga shefi i Komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj, që më datë 23 mars 2012. Pikërisht me këtë shkresë, Lamaj i ka dërguar informacion Departamentit të Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana në lidhje me dyshimet ndaj Arben Frrokut dhe Mark Frrokut. Në shkresë, ish-shefi i komisariatit ka kërkuar konfirmim nga Interpol-Tirana nëse emrat kosovarë që vëllezërit dyshoheshin se mbanin në Belgjikë, pikërisht Liman dhe Azem Krasniqi, janë shpallur në kërkim nga autoritetet belge. Gjithashtu, Lamaj ka kërkuar nëse ata ishin shpallur në kërkim edhe me emrat e vërtetë të tyre dhe për këtë arsye, bashkëlidhur me shkresën ka dërguar edhe certifikatat personale të dy vëllezërve Arben dhe Azem Frroku.

Kjo fakton se zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, ishte në dijeni që më 23 mars të vitit 2012 për dyshimet e ngritura ndaj Arben Frrokut, të cilin e ka cilësuar biznesmen dhe që deri para pak kohësh nuk ka pasur asnjë problem me ligjin. Megjithatë, vetëm dy muaj pas kërkesës për një informacion të tillë rezulton se është bërë edhe foto mes njërit prej drejtuesve të policisë dhe Arben Frrokut, tashmë i arrestuar në Selanik si i dyshuar për vrasjen e Lamajt. Bëhet fjalë për foton e publikuar dje nga shtypi i përditshëm, e cila është bërë më 17 maj 2012, ku vërehet Nikolin Bala dhe Arben Frroku, të cilët janë në stadium, duke parë ndeshjen Tërbuni-Partizani, pasi biznesmeni është president i Tërbunit.

Vetëm pak muaj më vonë, në vend të ndihmës për të hetuar mbi dyshimet e arsyeshme të ngritura nga kryekomisari Lamaj, krerët e policisë i “dhuruan” largimin nga funksioni i shefit të komisariatit, duke e “zhveshur” nga fuqia që kishte në mbledhjen e informacionit dhe e dërguan specialist në një sektor tjetër. Madje, bashkë me të u largua edhe shefi i krimeve, megjithëse lëvizja e tij u justifikua me përmirësimin e punës dhe me ankesat ndaj shefit të komisariatit. Gjatë muajve të fundit, para se ai të ekzekutohej në mënyrë mafioze, sipas të dhënave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mësohet se ai ka dashur të rikthehet shef komisariati në Tiranë, edhe për faktin se në sektorin ku ishte, ndihej i kërcënuar për shkak të konflikteve të mëparshme. Madje, mësohet se ai kishte shprehur dëshirën që të vihej shef i Komisariatit nr. 1, pasi eprorët nuk ishin dakord që ai të merrte kreun e Komisariatit të Kombinatit. Megjithatë, kjo nuk u realizua, por më 24 shkurt, kur po parkonte makinën, para se të shkonte në shtëpi u ekzekutua me breshëri automatiku, krim i cili dyshohet se është kryer nga Arben Frroku.

 

Deklarata e një dite më parë

Kuliçaj: Policia ka mbështetur fort Lamajn

Agron Kuliçaj, numri dy i policisë shqiptare, deklaroi një ditë më parë se policia e ka mbështetur fort kryekomisarin Lamaj, por nga ana tjetër, pretendoi se fotoja me Frrokun është diçka normale. Në dëshminë e tij, e cila vihet në dyshim edhe për shkak të dëshmisë së Frrokut nga burgu i Selanikut, ai u shpreh se është një foto e rastësishme e vitit 2011. “Kemi qenë kolegë në një darkë, në një lokal në zonën e Dajtit. Ka qenë zoti Frroku që ka kërkuar të bëjë një foto me ne. Fotoja është më se normale. Ky shtetas ka qenë në një tavolinë tjetër. Unë e kam parë këtë foto në “Facebook”-un e një kolegut tonë. Aty e kam njohur drejtpërdrejt, më mbrapa s’kam pasur njohje me të. Unë që nga momenti që ka ndodhur vrasja, kam qenë një nga pjesëtarët e grupit hetimor, të Krimeve të Rënda, bashkë me kolegët. Kemi bërë hetime të shpejta, deri në mbledhjen e provave që e akuzonin shtetasin Arben Frroku. Kemi bërë veprime që duhen përgëzuar dhe kemi mbledhur prova që fajësojnë Arben Frrokun. Unë heq dorë nga hetimi i kësaj çështjeje, pasi është morali im. I them grupit hetimor, se nëse gjatë gjithë jetës sime, kam marrëdhënie me këtë shtetas, mbaj përgjegjësi”, ka pohuar Kuliçaj. Sipas tij, publikimi është i drejtë. I pyetur për konfliktin e Lamajt me këta persona, Kuliçaj u shpreh se: “Nuk ka shtetas që nuk ka dijeni për debatin dhe përplasjen që ka ndodhur. Policia ka mbështetur fort kryekomisar Dritan Lamajn”. Ai foli edhe për hetimet për këtë çështje, pra të vrasjes së Lamajt, teksa shtoi se “ne kemi dyshime të arsyeshme që zoti Frroku është marrë drejtpërdrejt me vrasjen e Dritan Lamajt. Është një grup i posaçëm i Krimeve të Rënda. Është punuar profesionalisht, unë mendoj që hetimet janë në rrugë të drejtë. S’ka pasur asnjë shqetësim tek eprorët e tij, pasi unë s’kam qenë drejtpërdrejt eprori i tij”, pohoi zv.drejtori i Policisë.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.