Pandemia, BE-ja miratoi 723 mld euro, mbeten pa shpenzuar 500 miliardë euro për Rimëkëmbjen

Postuar në 08 Prill, 2024 15:18

Fondi i Rimëkëmbjes i Bashkimit Europian, me të cilin supozohej të stimulohej ekonomia e vendeve anëtare pas pandemisë së Covid-19, nuk është shpërndarë as në një të tretën e tij.  

Plani i Rimëkëmbjes, me një vlerë prej 723 miliardë eurosh përfundon në vitin 2026.

Vendet anëtare po kërkojnë nga Komisioni të zvogëlojë burokracinë që po i pengon ata të marrin pjesën e tyre nga ky fond ose t'i dekurajojnë që të aplikojnë për të.

Kërkesa vjen në një moment kur fondi është zhytur në një skandal korrupsioni. Pak ditë më parë, policia italiane arrestoi më shumë se 20 të dyshuar në të gjithë BE-në si pjesë e një hetimi për mashtrim mbi 600 milionë euro.

Një zyrtar në njërin prej vendeve anëtare, të cilit i referohet POLITICO, thotë se për të marrë akses në grantet dhe kreditë e fondit, vendeve u duhet të kalojnë përmes kontrollesh të rrepta të Komisionit, që i “ngjajnë një auditimi”. Një tjetër diplomat citohet të ketë thënë se në disa raste “nuk ia vlen përpjekja” për këto hua.

Deri më tani, Komisioni ka zhbllokuar vetëm 225 miliardë euro. Spanja, e cila supozohet të jetë përfituesi i dytë më i madh pas Italisë, ka marrë vetëm 340 milionë euro kredi – një fraksion i totalit prej 83 miliardë eurove që ishin caktuar në vitin 2021.

Vendet duhet të paraqesin një "plan rikuperimi" që përcakton se si do të përdoren paratë dhe cilat reforma do të çojë përpara në këmbim.

Një nga arsyet kryesore për pedantizimin e Komisionit është fakti se ai e sheh fondin si një mekanizëm që mund ta përdorë për t’i detyruar qeveritë të kryejnë reforma për një sërë çështjesh – duke përfshirë pensionet dhe standardet demokratike – që kanë qenë në prapavijë prej vitesh.

Vendet duhet të ndryshojnë ligjet – të njohura si “piketa” në zhargonin e Brukselit – dhe të përmbushin objektiva specifike përpara se paratë të disbursohen.

Sipas Politico, Komisioni po kërkon mënyra për ta shpejtuar disbursimin pa ndryshuar zyrtarisht rregullat, megjithëse nuk e ka thënë këtë publikisht. Brukseli ia hedh fajin kryesisht qeverive për përthithjen e ngadaltë të fondeve.

Objektivi është shpërndarja e 54 për qind të parave deri në fund të vitit 2024.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.