Zvicra hedh hapin e parë drejt mbylljes totale për emigrantët

Postuar në 03 Prill, 2024 16:18

Zvicra do të mbajë një referendum për masat e krijuara për të kufizuar imigracionin për të ndaluar popullsinë të arrijë në 10 milionë para vitit 2050.

Sistemi i demokracisë direkte, me të cilin operon Zvicra, qytetarët mund të iniciojnë një referendum nëse mbledhin 100 000 firma të vlefshme brenda 18 muajve.

Partia e djathtë Popullore Zvicerane (SVP) dorëzoi 114 600 nënshkrime në Kancelarinë Federale në Bernë të mërkurën -- të mbledhura në gjysmën e kohës.

"Emigracioni masiv vazhdon kursin e tij të furishëm... me pasoja shkatërruese për vendin tonë të vogël," tha SVP, e cila është partia më e madhe në Zvicër.

Miratimi i iniciativës "është urgjent për të mbrojtur peizazhin tonë unik, cilësinë tonë të lartë të jetës, prosperitetin tonë mbi mesatar dhe për një të ardhme të sigurt, të lirë për ne dhe fëmijët tanë".

Pasi të verifikohen nënshkrimet e peticionit, zakonisht duhen muaj, apo edhe vite, përpara se të bëhet një votim.

Popullsia e Zvicrës në fund të vitit 2022 ishte 8.82 milionë, nga 8.54 milionë që ishte në fund të 2018-s. Të huajt përbëjnë një të katërtën e popullsisë.

Nisma propozon ndryshimin e kushtetutës zvicerane, në të cilën do të sanksionohet se "popullsia me banim të përhershëm e Zvicrës nuk duhet t’i kalojë 10 milionë njerëz para vitit 2050".

Nëse popullsia i tejkalon 9.5 milionë para vitit 2050, qeveria dhe parlamenti "do të marrin masa, veçanërisht në lidhje me azilin dhe bashkimin familjar, me synimin për të siguruar pajtueshmërinë".

Nëse këto masa nuk mjaftojnë, Zvicra do të duhet të ndërpresë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve me BE-në. Zvicra nuk është në Bashkimin Evropian, por ka qenë pjesë e zonës së kufijve të hapur Shengen të BE-së që nga viti 2008.

Lëvizja vjen në mes të negociatave për një afrim midis Zvicrës dhe BE-së. Partia që ka iniciuar referendumin thotë se ndryshimi i kushtetutës është përgjigje për problemet që lidhen me emigracionin në Zvicër, mes të cilave mungesat e banesave, rritja e qirave, bllokimet e trafikut, transporti publik i mbipopulluar, standardet e shkollës në rënie, dhuna dhe krimi, mungesa e energjisë elektrike, të ardhurat për frymë, aksesi në sistemin shëndetësor, primet e sigurimit dhe presioni në rritje në fshatrat turistike. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.