Përfaqësues i dobësisë dhe paqartësisë amerikane

Postuar në 22 Mars, 2024 19:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë mundur të kalojnë dot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një rezolutë për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gaza. Dy vende anëtare të përhershme të Këshillit, Rusia dhe Kina, kanë vënë veton. Rusia ka arsyetuar përmes zëvendëspërfaqësuesit të Përhershëm në OKB, Dmitry Poliansky, se Rezoluta do të duhet të përmbante thirrjen për armëpushim, më tepër sesa të vinte në dukje nevojën për të. Nga ana tjetër Rusia ka bërë thirrje të votohet kundër rezolutës pasi një tjetër draft është depozituar nga vende të tjera.

Loja me dokumentin në fjalë synon të diskreditojë rolin e SHBA në përpjekjen për paqe në Lindjen e Mesme. Kjo pasi SHBA nuk diti të formulonte një qëndrim të qartë që në fillim të krizës më 7 tetor, duke dhënë mbështetje gati të pakushtëzuar për Izraelin, të cilin sot nuk e kontrollon dot më. Asnjë thirrje nuk i ka bërë përshtypje kryeministrit izraelit Netanyahu që ka vazhduar me planin e ndërhyrjes ushtarake në Rafah dhe me planin e vet për të ardhmen e Gazas. Dhe kur SHBA nuk kufizon dot Izraelin, është e qartë për një pjesë të madhe të botës se SHBA nuk kufizon do më vend tjetër me diplomaci.

Sjellja e SHBA me Gazan përsërit atë me Ukrainën. Kriza e qëndrimeve për luftën kundër Rsuisë u vu re me paketën e fundit financiare, ndërkohë që amerikanët nuk ditën t’i përgjigjeshin mirë as propozimit francez për dislokim trupash perëndimore në Ukrainë.

Administrata Biden ka bërë çmos që të mos autorizojë asnjë zyrtar, apo ish-zyrtar të lartë - për aq sa kemi lexuar - që të flasë për nevojën e përgatitjes për luftë, siç kemi lexuar të jenë shprehur përfaqësues ushtarakë në Europë.

Ambiguiteti amerikan po provohet edhe në Ballkan, edhe kundër një shteti të vogël si Serbia. Kërcënimeve të presidentit serb për ndërhyrje në Kosovë, SHBA i është përgjigjur me një deklaratë të Ndihmës/sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, që teksa ka folur me një gjuhë të butë “për kërcënimin e trupave të NATO-s” në një eventualitet të tillë, ka nxitur Serbinë të vazhdojë të presojë duke përsëritur se Asocacioni duhet të jetë kusht për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Europës.

Me këto qëndrime, por edhe me apatinë e pashpjegueshme në disa episode apo kriza, administrata Biden ka dëshmuar jo vetëm dobësinë e SHBA-ve, mungesën e një politike të jashtme reale dhe që evoluon në përputhje me raportet e fuqisë, por edhe paaftësi flagrante për të zbatuar të paktën premtimin e Biden kur ishte kandidat për President se SHBA do të hiqte dorë nga ndërhyrjet ushtarake, për të ndjekur opsionin e një diplomacie agresive.

Në Gaza, apo Ballkan, diplomacia amerikane është në rastin më të mirë ambigue dhe me dy porta, duke mos arritur as të qetësojë ata që i quan aleatë, dhe as të miklojë apo impresionojë të tjerët. Fatkeqësia është se në krye të Departamentit të Shtetit është një zyrtar që i ngjan më shumë një burokrati që mbrohet me erudicionin e vet për botën, por jo një njeri që e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë. Dobësia është një shfaqje që perceptohet menjëherë në politikë dhe ajo është mëkat i pafalshëm. Këtë po bën sot SHBA që po dëmton autoritetin e vet në të gjitha drejtimet, ndërkohë që nuk ka ditur më së paku të ofrojë propozime të denja për t’u konsideruar.

s.zaimi

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

SHBA ka marre shume persiper ne dekadat e kaluara, tani nuk po i'a del dot te menaxhoje boten. Te tjeret presin cdo gje nga SHBA por SHBA nuk eshte perendia! Ishalla nuk po na deshton edhe me kete non graten e Saliut, se po leshoi edhe ketu atehere nuk do kete asnje autoritet me. Do bjere si perandori.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.