Pati ndonjë lajm vizita e fundit?

Postuar në 18 Shkurt, 2024 16:21

Antony Blinken kaloi në Shqipëri për të pështjelluar mendjet e analizës politike në këtë vend. Debati pse erdhi Blinken ka si përgjigje parashtrimin: Pse Blinken nuk takoi opozitën. Debati i stisur të kujton disi atë debatin tjetër po kaq të stisur: gjermanët e pushtuan Shqipërinë, apo do kalonin këtej?

Njëra palë mendon se z. Blinken kaloi këtu rrugës për në Konferencën e Munihut. Një vizitë e lobuar për të bërë një qokë qeverisë së z. Rama që në fund të fundit ka pranuar ca kërkesa nga SHBA për çështje të politikës së jashtme. Puna është se nëse ky argument qëndron, atëherë vizita nuk ka kurrfarë rëndësie politike, por është një kortezi. Patjetër për të mos u injoruar.

Pyetja tjetër: Pse Blinken nuk takoi opozitën është edhe më groteske.

Së pari sepse nuk ishte vizitë, por një kalim.

Së dyti sepse opozita ka probleme serioze. Vetë pyesin, e vetë përgjigjen.

Mirëpo vetë parashtrimi i këtij argumenti të jep të kuptosh se opozita ka rëndësi politike për pushtetin që megjithëse kalon se është i sigurtë plotësisht, nuk lë ditë pa kaluar pa e vënë në dukje injorimin që Blinken si sekretar Shteti i bëri opozitës. Që këtej edhe deduksioni: ShBA do qeverinë.

Kaq mund të jetë një shtesë metodike në punën e pandërprerë propagandistike të deprimimit të shoqërisë që nuk ka më alternativa. Gjendet mes një hajduti që vjedh si kurrë më parë dhe një tjetri që nuk di ça të bëjë që të zërë vendin e të parit.

Mirëpo këtu hyn në punë Amerika e cila paketohet me përrallën se ajo ka zgjedhur disa hajdutë në Tiranë, ndaj e kotë të shpresosh te të tjerët. Që për më tepër mundet edhe të jenë paguar me rubla.

Pyetja që lind këtu, thjesht sa për ta parë politikën si qendër tregtare është: kush e bëri më shumë pis “vizitën” e sekretarit të Shtetit? Shumica me mediat e veta që kanalizuan analizën te injorimi i opozitës, vetë Blinken që me një lehtësi të pabesueshme cilësoi kryeministrin Rama si “shumë të mirë” duke deklaruar diçka që nuk ka sesi ta dijë, apo opozita që desh u hodh nga ballkoni si e si për të thënë që kjo vizitë ishte njësoj si trageti Bari-Durrës?

Ku ta dish? Por ne me paanësi të plotë mund ta mburrim qeverinë në këtë rast duke e përgëzuar se për sa i përket masave të sigurisë në Tiranë, ajo e bëri detyrën. Ja Blinkenit nuk ia vodhën orën në Tiranë dhe kjo e nderon jo pak Shqipërinë e sunduar nga hajdutë me pasaportë diplomatike. Sa për Blinkenin, me siguri që nuk mban mend gjë nga kalimi në Tiranë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Blinkeni nuk mban mend gje?!!!
E ke ndertuar gjithe shkrimin tu u hallakat dege me dege,vizita ishte e rendesishme por skishte vlere, e don qeverine por nuk i rreh fare, opozita ka probleme por eshte e bashkuar.
Dhe mbyllet me faktin qe Blinkeni vuan nga amnezia.
Po ai nuk erdhi per turizem qe ti ngelej ne mend ndonje gje. Ai erdhi per pune. Dhe pune per perfaqesuesin e shtetit me te fuqishem ne bote eshte te beje qoka.
Nuk eshte e vertete qe opozita ka probleme serioze. Ajo ne fakt nuk ekziston. Te pakten per Shba deri sa ne krye te saj te jete nje vrases i shpallur non grata. Cfare prisnit ti shkonte Saliut aty ku po kalon masen e sigurise? Behuni serioze aman. Ai nuk vajti ta takonte.
Dhe sigurisht tregoi qe per shtetin amerikan Shqiperia nuk ka opozite.

Submitted by redaksia on

Ato qe ti mi mvesh mua jane "analizat" e paleve. Jo te miat. Une personalisht e.pashe si nje vizite te rendesishne te njollosur ne seriozitetin qe i takon me vleresimin "kryeminister shume i mire". Nuk i takonte.

Submitted by Komentues (not verified) on

Plani i levizjeve te nje drejtuesi te cfaredo niveli behet 2-3 muaj perpara, minimalisht.
1. Nese ishte planifikuar si vizite, ka aresyet e veta qe mund te jene shteterore si psh afganet, baza e NATO etj., ose private qe do te thote suport per mikun qe eshte ne dite te veshtira.
2. Nese nuk ishte planifikuar, eshte thjesht suport si me siper, duke gjetur rastin me te pershtashem. Ky rast qe takimi ne Mynih.
Do te isha kurioz te dija te verteten, pavaresisht se mendoj qe eshte 2.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.