Nuk e do askush

Postuar në 30 Dhjetor, 2023 11:28

Ja një lajm që i shkon kaq shumë si samar i shtuar një individi shqiptar. Përmes një vendimi të marrë së fundmi, qeveria e Shqipërisë ka menduar të kushtëzojë bonusin e bebeve me qëndrimin 180 ditë të prindit përfitues duke bërë verifikimin në sistemin TIMS. Konkretisht:

Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, e përfitojnë: a) prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile

citohet vendimi që flet për një bonus prej 40 mijë lekësh për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin e në vijim. Është një shembull sesi administrata vepron përtej nevojave politike që në përgjithësi synon të marrë masa pa pasoja.

Në aspektin financiar ngjan se kemi një masë të arsyetuar: nuk mund të përfitosh bonusin nëse nuk jeton praktikisht këtu. Por masa në vetvete krijon një paradoks: ligjet dhe vendimet që janë akte me juridiksion të përgjithshëm, kanë subjekt shtetasit e Shqipërisë dhe jo specifika të tyre. Si mundet me një vendim të normosh diferencime të tilla që mund të ishin të pranueshme për njësi të pushtetit vendor që ka juridiksion të kufizuar territorial.

Nga ana tjetër, vendimi në fjalë ka një marzh diskriminimi dhe padrejtësie: shteti shqiptar numëron si turistë çdo hyrje – dalje emigrantësh duke fryrë statistikat dhe mbajtur në këmbë një propagandë pushteti që ka shumë të pavërteta. Është i njëjti shtet, apo pushtet që ka nisur të mos përmendë më si tregues shumë të preferuar remitancat e shqiptarëve, të cilat vazhdojnë të rriten, meqenëse si vend i zhvilluar që jemi nuk na pëlqen të vëmë në dukje se një pjesë të konsumit të brendshëm e mbajmë në nivele të stabilizuara me këtë para që vjen nga jashtë.

Është i njëjti shtet që deri më dje këmbëngulte për amnistinë financiare nën argumentin se ka shumë shqiptarë të ndershëm që kanë fshehur paratë në dyshek dhe tani Shqipëria e dashur do t’u japë një regjistër zyrtar.

Është i njëjti shtet që kërkon njohjen e pensioneve nga Italia ta zëmë, duke tentuar të unifikojë si kontribut për efekt pensioni, paratë e derdhura nga shqiptarët që kanë punuar në Shqipëri me ato që janë derdhur gjatë punës në Itali, edhe pse vlera ka disproporcion të madh dhe shifra e pensionit final duhet të reflektojë atë të Italisë.

Është pra një shtet që lyp e vjedh, zhvat e mjel kë të mundë, duke mos patur minimumin e normave njerëzore në veprimet që miraton. Sigurisht që bonusi i bebeve është një mundësi për të përfituar, por ne nuk jemi Kina që ka problem mbipopullimin. Është absurde në kulm që ndërkohë që qeveria pranon ikjen masive të njerëzve, kur statistikat flasin për rritje negative të popullsisë në disa qytete, vjen edhe kjo masë prusiane e një administrate që me nder kohës së humbur në këtë vend, nuk di të bëjë mirë ndonjë gjë veçse të llogarisë ditët e pushimit zyrtar. Pavarësisht përlavdërimeve të një kryeministri që duket se jeton i lumtur në kullën e masturbimit të vet.

Dhe në fund, ka diçka simbolike, diçka që duket se e mallkon përjetësisht “mbajtësin e pasaportës shqiptare”, por jo shqiptarin që tashmë po ikën nga burgu me emrin Shqipëri, kur vendos norma qëndrimi 180 ditë. 180 ditë të duhet për qëndrimin në zonën Shengen, pastaj kthehu. 180 ditë të kërkojnë për bonusin e bebeve dhe nuk mund të mos mendojmë se edhe për varrosjen do na kërkojnë ndonjë ditë që të vërtetojmë se 3 vitet e fundit kemi shkelur një herë të vetem në Shqipërinë e Këtyre. Në këtë çiflig hajdutësh dhe bushtrash me pagesë ku edhe Zoti qëndroi larg.

Për ata që do rreken të thonë se “është një masë administrativisht e drejtë” mund të themi: E vërtetë. Keni të drejtë. Por është një drejtësi e helmuar. Si çdo gjë këtu.

s.zaimi

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Bravo!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.