Serbia ka një kryeministër në Tiranë, ne kemi de facto dy ministra të Jashtëm për çështjet rajonale

Postuar në 18 Tetor, 2023 14:39

Në një konferencë për shtyp dje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Kosova e ka futur veten në një kurth dhe nuk po firmos planin franko-gjerman. Në një intervistë disa ditë më parë, z. Rama madje do të deklaronte se Kosova rrezikon të humbasë avantazhin ndaj Serbisë, pavarësisht se më 24 shtator qasjet u detyruan të ndryshojnë. Ky është flamuri i paqes që z. Rama thotë se do ta mbajë përherë e më lart.

Sot, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, është shprehur ndër të tjera në Tiranë se:

Para dy javësh kam thënë që Serbia dhe Vuçiqi na ka borxh një përgjigje. Këtë e kam thënë edhe në Zagreb. Në dallim nga viti 1914 kur një i ri ka vrarë trashëgimtarin e frontit austro-hungarez dhe gruan e tij, nuk ka mundur të krijohej lidhja mes tij dhe bashkëpunëtorët në Serbi, dhe ka shkaktuar një luftë botërore. Autori kishte një armë të kontrabanduar nga Serbia. Sot kemi fakte dhe dëshmi, njerëz që i kanë përjetuar. Vuçiqi nuk është përgjigjur ende. Por sanksionet nuk sjellin asgjë që do sillnin ndryshimin e qëndrimit politik. Këto sanksione vetëm do i ndihmonin pushtetarët të mobilizojnë votuesit. Kur i them këto gjëra duket sikur po shkel veten në bisht. Vuçiqi duhet të jetë nën presion për të na dhënë përgjigje. Prandaj mendoj që këto vendime nuk do i marrë Kroacia, por do t’i marrin të tjerët

E kuptuar siç mundet ne ta kuptojmë, ky mesazh do të thotë se Serbia ka organizuar sulmin në Banjskë dhe se ajo duhet të mbajë përgjegjësi. Të qartë madje. Po çfarë donte Serbia në Banjskë? Këtë nuk e gjejmë dot te qëndrimet e z. Rama, që është arbitër I zhvillimeve globale, sepse nuk e ka thënë. Nuk besohet teza e z. Kurti se ka konflikt interesi. Mirëpo një ide e jep ish-presidenti malazez, Milo Gjukanviç, që ndoshta është njohës shumë më i mirë i Serbisë sesa Edi Rama, që njeh mirë vetëm Tiranën.

Ideja e atij akti terrorist në Kosovë ishte të shkaktoheshin trazira, që të çonte te një konflikt i intensitetit të kufizuar dhe përfundimi i të cilit do të ishte përcaktimi i vijave demarkuese ndërmjet veriut të Kosovës dhe pjesët tjetër të Kosovës. Përcaktimi i një konflikti të ngrirë që do të zgjaste 5, 15 apo 35 vjet, ku publiku vendas dhe ndërkombëtar do të mësoheshin dalëngadalë që të bëhet kufiri i ndarjes së Kosovës. Politika e bashkësisë ndërkombëtare ka krijuar atmosferën në të cilën lindi akti terrorist.

Lexoni politikën e partnerëve perëndimorë, lexoni edhe më saktë politikën e Departamentit të Shtetit, pra njerëzve të Departamentit të Shtetit për drejtimin e politikës ballkanike. Ajo politikë, politika e dorëzimit ndaj Serbisë, e bërjes së lëshimeve ndaj Serbisë në këmbim që Serbia të largohej nga Vladimir Putini, por që nuk ndodhi. Mendonin se do ta ndalonte Serbinë nga pengimi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por nuk e bëri. Ajo që ndodhi është se Serbia i përdori ato lëshime dhe në vend që të bënte politikën e saj të brendshme, filloi të bëjë politikë të kujdesit për serbët në rajon

është shprehur Gjukanoviç.

Janë dy qëndrime që kuptohen më mirë sesa qëndrimet e z. Rama që se ça ka. Një sëkëlldi, një si parehati kur flet për Serbinë, rrotullon e rrotullon e nuk thotë gjë, por vetëm: Kosova e ka fajin.

Si një njeri që ka ndjekur praktikën e koncesionimit të çdo gjëje, veç shitjes së pordhëve për gjithçka, si dhe ka eksperimentuar në qeveri me gjithfarë emrash, nuk është keq që të japë me koncesion përfaqësimin e Shqipërisë te Kroacia dhe Gjukanoviçi, të paktën për çështjen e Kosovës. Fundja, ne edhe reformën në drejtësi bota na e bëri. Eventet le t’i organizojë vetë, meqë për atë punë edhe jeton.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.