Australianët i thonë jo Zërit të indigjenëve vendas

Postuar në 14 Tetor, 2023 14:57

Në Australi, një referendum për të njohur në Kushtetutë indigjenët dështoi. Australianëve iu kërkua të zgjidhnin po ose jo në referendum, i pari në pothuajse një çerek shekulli, mbi pyetjen nëse ka nevojë të ndryshohet Kushtetuta për t’i njohur banorët aborigjenë dhe të ishullit të ngushticës Torres nëpërmjet krijimit të një organi këshillues indigjen, “Zëri për Parlamentin”, raporton Reuters.

Ky organ këshillues do të shërbente pranë Parlamentit për politikat që prekin indigjenët - pakicën etnike më të pafavorizuar të vendit.

Rezultatet e para flasin për 57% të votuesve që kanë zgjedhur opsionin jo. Në mënyrë specifike, zonat që e refuzuan njohjen e aborigjenëve ishin Uellsi i Ri Jugor, Queensland, Tasmania dhe Australia e Jugut.

Sondazhet e kryera në opinion muajt e fundit treguan se një shumicë e madhe e australianëve e kundërshtonin propozimin.

Aktivistët që kanë lobuar prej mëse një dekade për këtë ndryshim shpresonin se dëgjimi i pikëpamjeve indigjene do të çonte në efektivitet më të lartë të shërbimeve qeveritare dhe rezultate më të mira për jetën e indigjenëve.

Indigjenët në Australi përbëjnë vetëm 3.8% të popullsisë. Ata vdesin mesatarisht tetë vjet më të rinj se pjesa tjetër e popullsisë, kanë një shkallë vetëvrasjeje dyfish më të madhe se mesatarja kombëtare dhe vuajnë nga sëmundje në zonat e largëta, që janë shkëputur nga pjesa e pasur e vendit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.