Logjika e tribusë

Postuar në 10 Tetor, 2023 18:45
Antonio Polito

 

George Orwell, gjatë luftës spanjolle, nuk ia doli si ushtar. Nuk arriti të vriste “armikun” që ikte para tij pa pasur kohë të vishej.

Isha aty për të vrarë një fashist, por një burrë që mban pantallonat se mos i bien nuk është fashist, ai me sa duket është një nga shokët tanë dhe ky mendim më hoqi çdo dëshirë për ta qëlluar”.

Në vitin 1916, gjatë Luftës së Madhe, diçka e ngjashme ndodhi me Emilio Lussu në pllajën e Aziagos. Ai ia kishte dalë të zvarritej deri në llogoren e armikut kur një ushtar austriak, i pavetëdijshëm për praninë e tij, ndezi një cigare, duke e bërë veten një shënjestër të lehtë. “Ajo cigare krijoi një marrëdhënie të papritur mes meje dhe atij... Kisha një burrë përballë. Një burrë! Ta qëllosh një njeri nga kaq afër... si një derr të egër”. Nuk e qëlloi.

Në librin e tij të fundit, Pierluigi Battista i citon këto dy episode si kufirin, limitin "për lëvizjen çnjerëzore të gjuetisë ndaj njeriut". Mjafton të ndizet vetëm një dritë e atij njerëzillëku që armiku ynë ndan me ne (pirja e një cigareje, mbajtja e pantallonave) për të ndier një pengesë morale, urdhrin për të mos vrarë një njeri tjetër, edhe nëse ai mban veshur uniformën e armikut. Por si mund të qëllosh fëmijë që ikin, nëna që mbajnë fëmijët pranë vetes, të moshuarit në gjumë, njerëzit që nuk kanë gjë tjetër në trup veç lëkurës si vrasësit e tyre?

Do të thuhet: në të gjitha luftërat vriten civilë. Dhe është e vërtetë. Dhe është mizore. Por në shumicën e rasteve kjo ndodh nga larg, pa dallim. Edhe ushtria izraelite vret civilë në territoret e pushtuara, shumë dhe shumë shpesh. Luftërat janë të tmerrshme para së gjithash për këtë arsye, sepse ushtritë vrasin të pafajshëm. Por ushtarët nuk i përzgjedhin viktimat e tyre. Ata i paraqesin si "dëm kolateral": është hipokrite, por është edhe ndërgjegjësimi për tejkalimin e një kufiri. Dhe nëse rezulton se kanë vepruar përtej detyrave të tyre ushtarake, nga sadizmi apo paaftësia, ata shpejtojnë ta mohojnë, të gjejnë justifikime, vetëm për të mbuluar fajin. Të paktën këtë e ka arritur historia e qytetërimit njerëzor: nuk është e ligjshme të vrasësh, as në luftë, këdo që nuk vesh uniformë dhe nuk kërcënon jetën tënde.

Terrorizmi del nga kjo logjikë. Kushdo që shpërthen një bombë e di se do të vrasë shumë civilë të pafajshëm. Por ai nuk ua sheh fytyrat. Ai nuk e di kush janë. I konsideron mish për top, shifra, viktima për t'ia shkaktuar armikut, "sa më shumë vras, aq më shumë ia arrij qëllimit". Të qëllosh një njeri ndërsa ai ikën, si derr i egër, është tjetër gjë. Qeniet njerëzore nuk janë të mira nga natyra. Megjithatë, ata lindin të pajisur me impulse që mund t'i largojnë nga dhuna, e para prej të cilave është empatia, e cila na shtyn të ndiejmë dhimbjen e të tjerëve, të ndajmë ankthin e tyre. Është forca që ndaloi gishtin e këmbëzës së Orwell dhe Lussu.

Ajo që ndodhi të shtunën në kufirin e Rripit të Gazës e kalon këtë vijë. Nuk është luftë, madje as terrorizëm. Është bastisje. Ajo i përket një zhanri dhune që i paraprin qytetërimit njerëzor. Është logjika e tribusë: Kërkoj, gjurmoj dhe vras ​​ata që nuk janë pjesë e tribusë time. Është një gjueti primordiale, ajo vjen nga ajo që Steven Pinker në veprën e tij monumentale mbi dhunën e përkufizon si "demonët e brendshëm" që banojnë në thellësitë e sistemeve tona të thella psikologjike, që përpara se qytetërimi dhe shoqëria të shpiknin etikën: vullneti grabitqar, dominimi si dëshira për lavdi, hakmarrja si një shtytje moraliste drejt ndëshkimit, sadizmi si kënaqësi në vuajtjet e të tjerëve. Dhe ideologjia, demoni më i keq i të gjithëve, më shumë se kurrë kur shkrihet me besimin dhe korrupton fenë: "Një vizion utopik që justifikon dhunën e pakufizuar në kërkim të së mirës së pakufishme". Në këtë rast, shkatërrimi i Izraelit dhe dëbimi ose vdekja e të gjithë hebrenjve në Lindjen e Mesme.

Pra, ajo që ndodhi të shtunën ka karakteristikat e "spastrimit etnik". Ajo tregon se çfarë do të bënte një lëvizje fanatike si Hamasi, kaq rrënjësisht e ndryshme nga vetë origjina e nacionalizmit palestinez, nëse do ta zgjidhte "çështjen hebraike" në mënyrën e vet. Kjo është arsyeja pse metoda e veprimit të tyre ngjan kaq shumë me bastisjet naziste në getot hebraike të Evropës gjatë Luftës së Dytë Botërore. I morën hebrenjtë shtëpi më shtëpi dhe i çuan në kampet e shfarosjes, për t'i vrarë në shkallë industriale me gaz. Tani i marrin shtëpi më shtëpi dhe i vrasin aty për aty. Ose i mbajnë peng, për të zgjatur torturën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Nëse kjo nuk shihet, nëse dikush në Evropë ende beson dhe thotë se ajo që ka ndodhur më parë, se gabimet e Izraelit, se konteksti i Lindjes së Mesme, se historia e luftërave në Palestinë, mund të shpjegojnë apo edhe të justifikojnë atë që bëri Hamasi, do të thotë se ai është i gatshëm të pranojë logjikën e gjenocidit brenda konfliktit politik. Duke kaluar kështu, edhe vetë, kufirin e çnjerëzores.

/ Corriere.it

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.