Ule kokën poshtë që të shikosh më qartë

Postuar në 24 Gusht, 2023 16:29

Çmimi Ig Nobel është një çmim satirik që jepet çdo vit që nga viti 1991 si vlerësim për dhjetë arritje të pazakonta në kërkimin shkencor. Higashiyama Atsuki e ka fituar këtë çmim në vitin 2016. Ai u vlerësua për punën e tij mbi atë që njihet si efekti ti të parit të gjërave përmes këmbëve. Japonezi Atsuki vijon të eksplorojë zona që qartësojnë lidhjet midis trupit dhe trurit.

Higashiyama e nisi kërkimin e tij për "efektin e të parit përmes këmbëve" në vitin 1996.

"Kur i shikon gjërat përmes këmbëve," shpjegon Higashiyama, "praktikisht do të thotë të kërrusesh përpara dhe të shohësh me kokë poshtë përmes këmbëve tua. Kur e bën këtë, distancat dhe ngjyrat duken ndryshe.”

E gjithë ajo që sheh duket më larg: trungjet, degët dhe gjethet e pemëve duken më të vogla dhe distancat midis të gjitha objekteve të ndryshme në pamje duket se zvogëlohen në madhësi dhe duket sikur format dhe ngjyrat janë më të qarta se kur shikohen në mënyrën normale.

"Nuk është shikimi në vetvete, por më tepër ndikimi i trupit", thotë Higashiyama.

"Në kërkimin tonë," vazhdon ai, "ne u referohemi gjërave që mund t'i shohim si 'informacion vizual', ndërsa fenomeneve që ndodhin si rezultat i ndryshimit të pozicionit të trupit si 'informacion fizik'. Efekti i të parit përmes këmbëve ndikohet fuqishëm nga ky informacion fizik. Kjo është ajo që kam gjetur përmes një procesi të mbledhjes së të dhënave dhe eksperimenteve të përsëritura.”

Higashiyama nisi ta studionte "iluzionin horizontal-vertikal" në përpjekje për të identifikuar marrëdhënien midis informacionit fizik dhe atij vizual. Iluzioni horizontal-vertikal është një fenomen në të cilin vija vertikale shfaqet më e gjatë kur vizatohen një vijë horizontale dhe një vijë vertikale me të njëjtën gjatësi. Për shembull, është provuar se kur shikohet një ndërtesë që është në fakt 10 metra si përgjatë ballinës ashtu edhe në lartësi, shikuesit i duket se lartësia është sa 1.4 herë gjerësia, duke e bërë ndërtesën të duket 14 metra e lartë.

Kjo është përfshirë në tekstet shkollore dhe ka çuar në bindjen se informacioni vizual shkakton iluzione optike. Por Higashiyama mendoi se ato mund të shkaktoheshin edhe nga informacioni fizik, kështu që ai kërkoi disa studentë të shikonin një ndërtesë dhe i pyeti se si u dukej atyre.

Rezultatet që ai mori ishin tronditëse.

Kur ata e panë ndërtesën nga një pozicion normal në këmbë, pamja e saj për ta ishte saktësisht siç shpjegohej në tekstet shkollore,” shpjegoi Higashiyama. “Domethënë, matja vertikale dukej më e lartë se sa është në realitet. Por kur i kërkova ta shikonin ndërsa ishin shtrirë në anën e tyre, disa prej tyre raportuan se gjatësia vertikale dhe horizontale dukeshin të njëjta. Me fjalë të tjera, ne zbuluam se kur qëndroni shtrirë në krah, iluzioni vertikal horizontal-vertikal nuk ndodh."

Asnjë tekst shkollor nuk përmend ndryshimin e perceptimit vizual kur ai që shikon është në një pozicion tjetër fizik. Ajo që ishte tronditëse në zbulimin e tij ishte se edhe ky devijim i vogël nga realiteti mund të vinte në pikëpyetje të gjitha tekstet shkollore.

Tekstet e lashta thonë se Izanagi, hyjnia që krijoi Japoninë, lidhi qiellin dhe tokën me një shkallë të njohur si ama no hashidate. Bazuar në këtë legjendë të lashtë, njerëzit e shikojnë peizazhin me kokë poshtë përmes këmbëve të tyre, në mënyrë që të përjetojnë iluzionin se ura tokësore përtej gjirit paraqet një shkallë për në qiej. Ka edhe rajone të Japonisë ku folklori thotë se dikush mund të shohë fantazmat, botën e shpirtrave dhe demonëve ose të ardhmen duke parë me kokën poshtë përmes këmbëve. Dëshira për të parë nga ky kënd i ri mund të shpjegohet me faktin se ai i lejon njerëzit ta shohin botën në një mënyrë që është ndryshe nga normalja.

Ky fenomen nuk është i ri. Punimet mbi këtë temë u botuan në Japoni përpara Luftës së Dytë Botërore. Edhe jashtë Japonisë, ekziston një libër shkollor mbi psikologjinë eksperimentale të botuar në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë që përmendte "efektin e të parit përmes këmbëve". Por Higashiyama thotë këtyre veprave të vjetra u mungonin të dhëna të mjaftueshme objektive dhe bazoheshin në prova të dobëta. Ai kreu një eksperiment me mbi 200 studentë.

Eksperimenti përbëhej nga sa vijon: Në hapin 1, ai i kërkoi të shihnin një skenë në këmbë në mënyrë normale. Në hapin 2, ai u kërkoi atyre të shikonin të njëjtën skenë përmes "syzeve të prizmit" që e bënin skenën të dukej me kokë poshtë. Hapi i tretë i bëri ata të hiqnin syzet e prizmit dhe të shikonin sërish skenën, këtë herë me kokë poshtë, përmes këmbëve. Së fundi, në hapin e katërt, studentët e panë skenën përmes këmbëve, ndërsa mbanin syzet e prizmit. Të paktën 50 studentë kryen secilin nga katër hapat. Më pas, ai intervistoi studentët për të zbuluar se si u ishin dukur skenat.

Çelësi i këtij eksperimenti ishte përdorimi i syzeve të prizmit. Rezultatet treguan se në hapin 2 skenat dukeshin të ngjashme me atë se si u shfaqën në hapin 1, por që në hapat 3 dhe 4 objektet që dukeshin se ishin larg dukeshin më të vogla se sa në hapin 1. Me fjalë të tjera, efekti i të parit përmes këmbëve u zbulua se vinte kryesisht për shkak të informacionit fizik dhe jo informacionit vizual.

"Ne vërtetuam qartë se faktori fizik është i lidhur fort me efektin e të parit përmes këmbëve," thotë Higashiyama.

Duke folur nga këndvështrimi i një psikologu të specializuar në perceptimin hapësinor, Higashiyama thekson më tej se “faktori fizik nuk duhet të injorohet në fushën e psikologjisë. Unë besoj se gjetja e provave të këtij faktori është e një rëndësie ekstreme në botën e psikologjisë, ku fizikja shpesh anashkalohet.”

Në vitin 2016, psikologu japonez mori emalin e parë nga Çmimet Nobel, ku njoftohej se studimi i tij ishte përzgjedhur si kandidat për çmim. Ai e injoroi këtë email, duke menduar se ishte një lojë. Pak javë më pas, ai mori një tjetër email, kësaj radhe në japonisht.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Ig Nobel u mbajt në Teatrin Sanders në Universitetin e Harvardit, midis akteve të një opere. Çmimi që iu dha ishte një orë e madhe e pajisur me një akrep që tregonte sekondën e gjashtëdhjetë e një - "sekondën e brishtë". Shpërblimi ishte 10 trilion dollarë zimbabveanë, monedhë e kishte dalë nga qarkullimi në kohën kur ai mori çmimin. Në fakt, paratë e çmimit ishin rreth 170 jen.

"Ishte një ceremoni çmimesh jashtëzakonisht humoristike," vëren Higashiyama, "e përshtatshme për rastin."

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.