Ekspozita e parë e piktorëve romë në Europë

Postuar në 16 Gusht, 2023 11:19

Kur Gabi Jimenez, një piktor rom franko-spanjoll, dëgjoi për herë të parë se para shumë vitesh një muze i madh në Francë po përgatiste një ekspozitë për kulturën dhe historinë e romëve, deklaroi që rezultati do të ishte një kaos. Historia e romëve, thoshte Jimenez, është prezantuar këtu e kaq kohë nga të huajt, që në rastin më të mirë i paraqesin si dembelë endecakë dhe në më të keq, si hajdutë të molisur.

Ekspozitat e mëparshme për romët, zakonisht paraqesnin imazhe fëmijësh rreckamanë dhe gra që u japin qumësht fëmijëve, bri çadrave. “ I thoja vetes: Prapë të njëjtat stereotipe do të kemi”. Vetëm se në këtë rast janë romët, që krijojnë narracionin.

Ekspozita përfshin gjithashtu vepra arti, që dëshmojnë skenën e gjallë kulturore të romëve, e cila ka ngjallur një interes të ri vitet e fundit. Ajo do të zgjasë deri në 4 shtator në Muzeun e Qytetërimeve të Europës e të Mesdheut në Marsejë dhe përfshin 200 vepra arti dhe objekte. Karakterizohet si ekspozita e pare e këtij lloji, e cila mblodhi donacione nga shumë artistë romë e kuratorë, që ndajnë kulturën rome me termat e tyre.

Me titullin “Barvalo”, që do të thotë “i pasur” dhe “krenar” në gjuhën rome, ekspozita nxjerr në pah shekuj të tërë diskriminimi e përndjekjeje ndaj romëve, minoritetit më të madh të Europës, me mbi 10 milionë njerëz. Ekspozita përfshin gjithashtu vepra arti bashkëkohore.

“Ekspozitat për romët kanë qenë shumë të rralla dhe shpesh përjashtonin zërin e vetë romëve”, thotë Jonah Steinberg, pedagog antropologjie në Universitetin e Vermontit dhe bashkëkurator i ekspozitës. “Nuk deshëm të rikonfiguronim diçka të tillë. Ekspozita jonë duhet të ketë si busull perceptimin e romëve”.

Romët – një term përgjithësues, që përfshin minoritete të njohura si ciganë, sinti ose shtegtarë – besohet që e kanë origjinën nga njerëz, që braktisën nën – kontinentin indian para 1.500 vitesh dhe që më vonë emigruan masivisht  në Europë gjatë Mesjetës. U vendosën në krejt territorin europian dhe që atëherë përballen me dëbime të shumta. U vendosën në shënjestër, pësuan progrome dhe u skllavëruan deri në shek. XIX, ndërsa në vazhdim u përballën edhe me shfarosjen e tyre nga nazistët. Sot, shumë romë, vazhdojnë të jetojnë në komunitete të ndara, me akses të kufizuar në shëndetësi e arsim.

Steinberg thotë, që ekspozita përkoi me entuziazmin e shtuar për artin e romëve në Europë, me publikun që tregon interes të veçantë se “si komunitetet e shtypura dhe shoqëritë flasin për veten”. Theksoi hapjen e Institutit Europian të Romëve për Artet dhe Kulturën në Berlin në 2017 dhe shfaqjen e një brezi të ri kineastësh romë. Njohja e Mirga-Tas, e artistes së parë rome, që përfaqësoi një vend në Bienalen e Venecias, është tregues se kohët po ndryshojnë. 

Shumë shpesh, romët prezantohen si njerëz që s’kanë çfarë të tregojnë, pavarësisht kulturës së pasur që kanë”, thotë Steinberg. “Më në fund, pranohet botërisht fakti, që është heshtur mbi ta dhe duhet të dëgjohen”.

Ekspozita e pikturës “Barvalo” ndodhet në Muzeun e Qytetërimeve të Europës e të Mesdheut” në Marsejë deri në shtator 2023.

Burimi: lifo.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.