Rënia e heshtur e Al Kaedës

Postuar në 31 Korrik, 2023 19:21
Daniel Byman*

 

Më 31 korrik 2022, një sulm me dron i SHBA-së vrau liderin e Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, në një bujtinë talebanësh në Kabul. Një vit më vonë, Al Kaeda ende nuk e ka shpallur pasardhësin e Zawahirit.

Kjo e ka bërë të vështirë për bërthamën e grupit të pretendojë për udhëheqjen e lëvizjes globale xhihadiste apo edhe të mbetet një lojtar i rëndësishëm rajonal apo ndërkombëtar. Në të vërtetë, Al Kaeda, grupi më i madh i atyre që pretendon se drejton, dhe lëvizja xhihadiste në tërësi kanë pësuar goditje të përsëritura në vitet e fundit—duke ulur kërcënimin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Për një organizatë që dikur ngjalli frikë në zemrat dhe mendjet e miliona amerikanëve pas 11 shtatorit 2001 dhe ndezi një të ashtuquajtur luftë globale kundër terrorit që riorientoi në mënyrë dramatike politikën e jashtme të SHBA për dy dekada, zhdukja pothuajse e plotë e Al Kaedës nga titujt e lajmeve të përditshme dhe debati më i gjerë e politikës së jashtme në Uashington aktualisht është e jashtëzakonshme.

Një vështrim i shpejtë i numrit të sulmeve vdekjeprurëse xhihadiste në Shtetet e Bashkuara që nga 11 shtatori sugjeron rënien e forcës, por edhe të ndikimit ideologjik të organizatës. Sipas të dhënave të Fondacionit “Amerika e Re”, xhihadistët kanë vrarë 107 amerikanë në tokën amerikane që nga 11 shtatori, krahasuar me 130 të vrarë nga terroristët e krahut të djathtë. Sulmi i fundit i rëndësishëm xhihadist ishte katër vjet më parë, kur një praktikant i Forcave Ajrore Saudite që punonte me Al Kaedën në Gadishullin Arabik (AQAP), dega e grupit në Jemen, vrau tre marinarë në Stacionin Ajror Detar Pensacola në 2019. Pensacola ishte sulmi i vetëm pas atij të 11 shtatorit në tokën e SHBA-së, i koordinuar nga një grup xhihadist jashtë vendit; të tjerët përfshinin xhihadistë të frymëzuar nga Al Kaeda ose dega e saj e dikurshme e kthyer në konkurrent, Shteti Islamik, por që kishin pak ose aspak kontakt me vetë grupet.

Organizata bazë që drejtoi Zawahiri nuk ka drejtuar një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara që nga 11 shtatori, dhe pas një vale sulmesh të përgjakshme në Evropë, nuk ka kryer asnjë tjetër në kontinent që nga sulmet e Londrës në 2005, pothuajse 20 vjet më parë. Në Evropë, filialet si AQAP kanë pasur më shumë sukses, siç ishte sulmi në vitin 2015 ndaj karikaturistëve të “Charlie Hebdo”, por operacionet e tyre gjithashtu janë ulur vitet e fundit. Shteti Islamik ka kryer më shumë sulme sesa degët e Al Kaedës, duke përfshirë të shtëna shkatërruese dhe sulme vetëvrasëse në Paris dhe Bruksel në 2015 dhe 2016 respektivisht, por skica e tkurrjes së sulmeve në Evropë është e qartë.

Degët dikur të forta si AQAP, si dhe grupet e lidhura me al-Kaedën në Filipine, Siri dhe vende të tjera, kanë pësuar humbje të shumta në nivel drejtues, përçarje të brendshme dhe probleme të tjera dobësuese, duke e bërë më të vështirë për ta kryerjen e sulmeve të jashtme. Të vlerësosh mbështetjen e përgjithshme është e vështirë, por luftëtarët e huaj nuk dynden më në vende si Afganistani, Iraku dhe Siria, ku Shteti Islamik dhe Al Kaeda dikur ishin në rritje dhe tani janë shumë më të dobët. Për të qenë të qartë, tabloja nuk është e gjitha e keqe për xhihadistët – në Afrikë, organizata të reja xhihadiste po shfaqen dhe grupe të forta si al-Shabab në Somali po lulëzojnë – por rënia është e dukshme në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të botës.

Një pjesë e kësaj dobësie është për shkak të luftës civile që shpërtheu në vitin 2013 brenda lëvizjes xhihadiste midis al Kaedës dhe degës së saj, Shtetit Islamik. Në shumë vende myslimane, veçanërisht në Afganistan, pjesë të Sahelit dhe Sirisë, al-Kaeda dhe aleatët e saj zhvilluan drejtpërdrejt luftë kundër organizatës rivale të Shtetit Islamik dhe të ashtuquajturave "provinca" të saj. Sot në Afganistan, aleatët e Al Kaedës - Talibanët - janë në luftë të përgjakshme me përfaqësuesin e Shtetit Islamik. Përveç ndikimit konkret që numri i të vdekurve ka pasur në aftësitë e të gjithë të përfshirëve në këtë luftë, kjo përleshje e brendshme diskreditoi gjithashtu të dyja lëvizjet: Pak sypatrembur me dëshirën për luftën e shenjtë regjistrohen për të vrarë luftëtarë të tjerë si ata.

Për më tepër, lëvizja është fragmentuar dhe lokalizuar. Shumica e grupeve që i janë bashkëngjitur - nga Mali në Nigeri e deri në Afganistan - tani përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në luftën civile lokale ose kryengritjen e vet. Askush nuk do të donte të ishte një misionar apo turist perëndimor që kryqëzohet padashje me ta, por ky ndryshimi i fokusit zvogëlon mundësinë e një sulmi terrorist ndërkombëtar. Disa grupe xhihadiste, si ato në Afrikën Perëndimore, ndoshta mund të nisnin një sulm terrorist në Perëndim nëse do të tentonin - ata thjesht e kanë fokusin diku tjetër. Brutaliteti i tyre drejtohet ndaj vendeve të tyre dhe fqinjëve të tyre, mijëra njerëz – shumë prej tyre vetë myslimanë –vdesin nga sulmet terroriste dhe luftërat civile që përfshijnë grupe xhihadiste.

Fushata e qëndrueshme antiterror kundër al-Kaedës dhe grupeve që kanë lidhje me të, si dhe Shtetit Islamik dhe pjesëve të tjera të lëvizjes, ka sjellë rezultatet e veta. Sulmet amerikane me dron kanë shkatërruar pamëshirshëm radhët e bërthamës së Al Kaedës, liderët e grupeve që lidhen me të dhe figurave të tjera xhihadiste, edhe kur ata janë përpjekur të fshihen në zona të thella të Pakistanit, Somalisë dhe Jemenit. Sot, bërthama e Al Kaedës ka "shumë më pak" se 200 luftëtarë, sipas Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.

Edhe fushata kundër Shtetit Islamik ka rezultuar shumë efektive. Në kulmin e të ashtuquajturit kalifat në 2014 dhe 2015, grupi sundonte mbi miliona njerëz dhe kontrollonte territore në Irak dhe Siri, në madhësinë e Britanisë. Por deri në vitin 2019, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja e fundosi kalifatin. Grupi vazhdon të kryejë sulme në Irak dhe Siri dhe ka mijëra luftëtarë atje, por si shumë degë të Al Kaedës, edhe ai duket më i fokusuar në luftën civile sesa te terrorizmi ndërkombëtar.

Me variacione, kjo fushatë e gjerë kundër terrorizmit filloi nën Presidentin e SHBA-së, George W. Bush pas 11 shtatorit dhe vazhdoi në administratat e Barack Obama-s, Donald Trump-it dhe tani Joe Biden-it, duke sugjeruar qëndrueshmëri në këtë aspekt, pavarësisht se cila parti merr drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kjo mund të shpjegojë gjithashtu një pjesë të arsyes pse Al Kaeda nuk ka emëruar një udhëheqës të ri. Disa operativë të lartë të Al Kaedës fshihen në Iran, duke përfshirë Saif al-Adel, për të cilin disa thonë se është udhëheqësi de fakto i Al Kaedës. Teherani nuk bashkëpunon me inteligjencën amerikane dhe Irani është zonë e ndaluar për ushtrinë amerikane, pasi një sulm atje do të shihej si një akt lufte. Kjo e bën të vështirë shënjestrimin e operativëve atje. (Megjithëse Izraeli arriti të vriste një figurë të lartë të Al Kaedës në Iran.)

Megjithatë, qeveria iraniane vendos edhe kufizime për figurat e Al Kaedës në vend, pasi Teheranit nuk i duhet ndonjë arsye e re që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ta ndëshkojnë. Përveç kësaj, në botën shumë sektare të politikës xhihadiste, aleanca e qetë e Al Kaedës me Iranin është një burim kritikash nga Shteti Islamik dhe xhihadistët e tjerë. Të kesh liderin tënd de facto të burgosur, ose më e pakta gojëkyçur, në një vend që shumë xhihadistë e konsiderojnë më keq se Shtetet e Bashkuara, vështirë se është një mënyrë për të fituar ndjekës të rinj.

Obama, Trump dhe Biden u përpoqën të reduktonin praninë ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Afganistan, me tërheqjen e vitit 2021 nga Afganistani që ishte shembulli më dramatik. Ky ndryshim ka reduktuar numrin e objektivave të afërta të SHBA-së dhe thjesht i ka bërë Shtetet e Bashkuara më pak të rëndësishme për rajonin (shpesh në kurriz të ndikimit të SHBA-së dhe stabilitetit rajonal), duke e bërë të vështirë nxitjen e grupeve të fokusuara në vend për t'i parë Shtetet e Bashkuara si armiku kryesor i tyre. Për më tepër, luftërat civile në Mali, Somali, Jemen dhe gjetkë nuk kanë fuqinë emocionuese për shumë myslimanë siç kishte Iraku pas 2003 ose Siria pas 2011, çka ka ulur numrin e të huajve që dalin vullnetarë për të luftuar në radhët e xhihadistëve.

Afganistani mbetet një pikëpyetje e rëndësishme. Talebanët duket se vlerësojnë legjitimitetin ndërkombëtar, por strehimi prej tyre i Zawahirit dhe refuzimi i përgjithshëm për t'u distancuar nga Al Kaeda ngrenë pyetje nëse grupi do të lejojë që territori i tyre të përdoret përsëri për të organizuar sulme terroriste ndërkombëtare. Megjithëse Shtetet e Bashkuara ia dolën të vrisnin Zawahirin në Afganistan, mungesa e një pranie në terren e bën të vështirë mbledhjen e informacionit, kryerjen e sulmeve dhe përndryshe mbajtjen e presionit mbi grupet në rajon.

Vdekja e Zawahirit krijoi shumë probleme për lëvizjen xhihadiste. Nuk ka asnjë pasardhës të dukshëm, pasi shumica e anëtarëve të brezit themelues ose kanë vdekur, ose, si Adeli, janë të izoluar nga pjesa tjetër e lëvizjes. Pa një lider të qartë, është e vështirë për organizatën kryesore të drejtojë filialet e saj apo edhe të inkurajojë xhihadistët që nuk kanë lidhje me të për të sulmuar Shtetet e Bashkuara: ata do të gjejnë frymëzim diku tjetër ose askund fare.

Ndoshta më e rëndësishmja, koha nuk duket të jetë në anën e Al Kaedës. Bota terroriste është shumë konkurruese, dhe ndërsa Al Kaeda zvarritet, lindin kauza dhe grupe të reja për të konkurruar për para dhe rekrutë, ndërkohë që fushata kundër terrorizmit e udhëhequr nga SHBA, vazhdon të zvogëlojë radhët e saj.

*Anëtar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare dhe profesor në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm në Universitetin Georgetown.

Botuar në Foreign Policy

Titulli origjinal: Çfarë ka ndodhur me Al Kaedën?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.