20 vjet nga Samiti i Selanikut, ende jashtë Europës

Postuar në 21 Qershor, 2023 11:58

20 vjet nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Selanik të Greqisë, pak gjëra kanë ndryshuar. Më 21 qershor 2003, Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate potenciale nga Ballkani Perëndimor u takuan në samitin e Selanikut.

Krerët e vendeve anëtare u zotuan për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë jetë ëndrrës europiane të këtyre vendeve.

Samiti ishte një shpresë e re për stabilizimin e rajonit pas vitesh, i sapodalë nga një periudhë luftërash, paqëndrueshmërie politike dhe stanjacioni ekonomik, që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë.

Sa progres është bërë që atëherë? Një Ballkan përgjithësisht më i stabilizuar në aspektin gjeopolitik ka gjeneruar njëfarë progresi ekonomik te të gjitha vendet. Megjithatë, afrimi me Bashkimin Europian vijon të mbetet një proces i ngadaltë. I vetmi progres në këtë aspekt është se vendet e rajonit kanë arritur të gëzojnë përfitimet e udhëtimit pa viza. E fundit mbetet Kosova, e cila këtë të drejtë e fiton që nga janari i vitit të ardhshëm.

Një vit më parë, Shqipëria u ul në Tryezën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, një takim që zyrtarizoi hapjen e negociatave, plot 16 vjet nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Në të njëjtën tryezë u ul edhe Maqedonia e Veriut, pas 17 vjetësh pritje.

Ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi, ende 10 vjet pas hapjes së negociatave, janë në pritje të anëtarësimit.

20 vjet pas samitit të Selanikut, premtimet e krerëve të qeverive europiane nuk janë realizuar ende. Nga ana tjetër, edhe entuziazmi fillestar për reformat në Ballkanin Perëndimor është zbehur gjatë dy dekadave.

Me një luftë të re në kufijtë e Europës, zgjerimi nuk është më prioriteti kryesor i BE. Si pasojë, drita në fund të tunelit që tregon anëtarësimin në BE duket akoma më e largët se para 20 vitesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.