Pavel: As BE dhe as SHBA nuk përballen dot të vetme me Kinën

Postuar në 24 Prill, 2023 11:01

Presidenti çek, Petr Pavel, bën thirrje për një strategji të përbashkët dhe të balancuar midis SHBA-së, Evropës dhe demokracive të tjera për t’u përballur me fuqinë në rritje të Kinës.

Gjatë vizitës në Bruksel, ku u takua me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Pavel tha se duhet unitet për të gjetur një ekuilibër të mjaftueshëm ndaj fuqisë ekonomike, politike dhe financiare të Kinës.

Në mënyrë indirekte, Pavel iu referua deklaratave të Macron, duke thënë se “është normale që kaq shumë vende anëtare kanë perspektiva të ndryshme”.

 “BE-ja nuk mund ta bëjë këtë e vetme. As SHBA-ja nuk mund ta bëjë e vetme në planin afatgjatë. Mënyra për të krijuar një kundërpeshë të mjaftueshme ekonomike, politike dhe, në afat të gjatë, ndoshta edhe ushtarake ndaj Kinës është të punojmë së bashku”, theksoi Pavel.

Sipas presidentit çek, i cili bëri bujë kur pati një bisedë telefonike me presidentin tajvanez menjëherë pas zgjedhjes së tij, është e nevojshme të bashkëpunohet me fuqitë indo-paqësore Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

"Vetëm duke punuar me ta dhe duke bashkuar forcat do të jemi në gjendje të krijojmë një forcë që Kina do ta respektojë," tha Pavel.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur Komisioni po përpiqet të bindë liderët e BE-së që të tregojnë unitet përballë Kinës, pasi presidenti francez Emmanuel Macron nxiti një debat të ashpër mbi lidhjet me Pekinin dhe Kina ndezi një debat të ri me komente që vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendeve post-sovjetike.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.