Desha të ndryshoja perceptimin e njerëzve në Perëndim mbi Ballkanin

Postuar në 21 Mars, 2023 23:05
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

Kur u njoha për herë të parë me Nicholas Wieërs, producentin dhe drejtuesin e festivalit Balkan Trafik, që zhvillohet prej 17 vitesh në Bruksel, më erdhi ndërmend aktori Roman Duris, personazhi kryesor i filmit “Gadjo Dilo” të regjisorit Tony Gatlif. Roman Duris, luan rolin e Stéphane, një djalosh francez që udhëton nga Franca drejt Rumanisë, për të gjetur këngëtaren rome Nora Luca. Edhe Nicholas Wieërs, do të marrë kamerën dhe në vitin 2002 do të niset drejt një vendi e një gjuhe krejt të panjohur. Në Kosovën e pasluftës, në një fushë futbolli ku po digjeshin trupat e të vrarëve, lindi dhe ideja e Balkan Trafik. Sipas Nicholas, zgjedhja e kësaj fjale ishte e qëllimtë; dykuptimësia e saj lidhet me përmbysjen e stereotipeve mbi Kosovën e vendet e Ballkanit dhe në të njëjtën kohë është “trafikim“ kulturash e përvojash autentike.

Ai prej disa vitesh jeton në Moldavi, një tjetër vend jo main-stream, i cili sikurse dhe Kosova me Shqipërinë, ndan gjuhën dhe etninë e përbashkët me Rumaninë. Në të dyja këto vende të vogla, që ekzistenca e tyre kombëtare u formësua larg trungut-amë, gjurmët e ndikimit të ish-Jugosllavisë në njërin rast dhe të ish-Bashkimit Sovjetik në rastin tjetër, janë ravijëzuar thellë në psikikën kolektive të brezave. 

***

Teksa lexoja historinë tuaj, se si një njohje e rastësishme me një shqiptar të Kosovës në Bruksel, u bë shkas që të udhëtonit për herë të parë në Prishtinë, mendova se nëse në vend të tij, do të kish qenë një shqiptar i Shqipërisë, a do të kishte lindur ideja e Balkan Trafik?

Për kontaktin tim të parë me Kosovën dhe kulturën shqiptare, kam realizuar një video të shkurtër promocionale për të treguar mbi fillimin e projektit të Balkan Trafik, projekt i i cili tashmë është shndërruar në një marrëdhënie jetësore me krejt vendet e Ballkanit. Para se të njihesha me Ilirin, pronarin e fast-food-it “Snack Tatayet” afër zyrës sime, njohuritë e mia për Kosovën e Shqipërinë ishin gati inekzistente. Në atë kohë isha drejtues në Canal+ të Belgjikës dhe kur qëndroja në zyrë deri vonë, e kisha zakon të hidhesha të haja ndonjë snack të vogël aty rrotull. Theksi në frëngjisht, më nxiti kërshërinë për vendin e tij të origjinës dhe kjo njohje, qe shkëndija ime parë për të vizituar këtë “cep” kaq të paragjykuar të Ballkanit Perëndimor. Kontakti im i parë me elementin shqiptar, ka qenë përmes shqiptarëve të Kosovës, ndaj dhe vendi i origjinës së këtij projekti ballkanik të përbashkët, është Kosova. 

Cilat ishin përshtypjet e para? A ju desh kohë, që të mposhtnit ato pak hije dyshimi, që zakonisht ka dikush para se të vizitojë një vend “famëkeq?”

Kur mbërrita në Prishtinë në vitin 2002, pritja që më bëri Astriti, vëllai i pronarit dhe student i frëngjishtes në atë kohë, ishte kaq e ngrohtë, saqë më bëri të ndryshoj tërësisht perceptimin tim mbi Kosovën. Gjatë rrugës për në fshatin e tyre, u ndesha me një pamje të pazakontë, djegien e trupave të kosovarëve të vrarë në një fushë futbolli, që ishin transportuar nga një varr i fshehtë masiv.

Qëllimi ynë nuk është mëshimi i së shkuarës, por e ardhmja”, më tha ai. Djemtë që na shoqëronin gjatë udhëtimit, ishin njerëz të rinj e të arsimuar, me disa gjuhë huaja, por që jetonin të ngujuar brenda një burgu të hapur, pa pasur mundësinë të udhëtonin jashtë vendit dhe të njihnin diplomat e tyre. Kësisoj, në Kosovën ende të brishtë nga kujtimet e dhimbshme të  luftës dhe nën tingujt e muzikës kosovare, që dëgjohej në çdo cep, lindi ideja e Balkan Trafik

Me pikënisje Kosovën, si u shndërrua kjo iniciativë në një projekt ballkanik të përbashkët?

Desha të ndryshoja perceptimin e njerëzve në Perëndim mbi Ballkanin, ndaj dhe ishte e nevojshme ta prezantoja rajonin e Ballkanit si një tërësi vendesh, që pavarësisht diversitetit të kulturës e folklorit, kanë dhe shumë pikëtakime të përbashkëta. Filli që i lidh gjithë vendet e Ballkanit është pozicioni i tyre mes Lindjes e Perëndimit, oksidentalizmit e orientalizmit, që reflektohet në çdo dimension të jetës së tyre urbane e rurale. 

Sa vende marrin pjesë në Balkan Trafik?

Përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Herzegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshihet edhe Greqia, Rumania, Bullgaria dhe Turqia europiane a ballkanike. Përfshirja e Turqisë, lidhet me të kaluarën otomane të këtyre vendeve dhe me praninë e ndjeshme të elementit otoman, madje disa herë dominues, në kulturat përkatëse. Gjithashtu, në Balkan Trafik përfaqësohen edhe diasporat dhe minoritetet e vendeve pjesëmarrëse. Tashmë, Balkan Trafik numëron 17 vite jetë.

Falë kontributit tuaj të vyer në dialogun kulturor mes vendeve të Ballkanit dhe Europës perëndimore, do të parapëlqeja t’iu jepej titulli metaforik “trafikant kulture”, në vend të përdorimit cliché “ambasador kulture”. Do desha të flisnim pak më tepër për konceptin e fjalës “trafik” me k (ashtu si dhe në gjuhët ballkanike) dhe jo me c, mbi të cilin është ndërtuar gjithë filozofia e festivalit. 

Në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme, njerëzit në Perëndim kanë njësuar fjalën trafik me vendet e Ballkanit. Mediat perëndimore kanë pasur një impakt shumë negativ, në mënyrën e prezantimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor kryesisht, duke e reduktuar realitetin e tyre rreth fjalëve traffic, mafia, prostitution, war, drugs, etj. Desha të hidhja dritë mbi kontekstin kulturor të këtyre vendeve, duke i dhënë termit “trafik” një ngjyrim pozitiv e optimist, të krijoj Ballkanin e kulturës. 

Balkan Trafik nuk ka vetëm qëllim të argëtojë njerëzit që jetojnë në Bruksel me muzikën, vallet e traditat e Ballkanit, por edhe të zgjerojë këndvështrimin e tyre. Muzika mund të jetë në zemër të programit të festivalit, por Balkan Trafik përfshin edhe aktivitete të tjera artistike, që lidhen me fusha të tjera krijimtarie. 

Duke qenë se në Balkan Trafik ju sillni afër vende si Kosova e Serbia, që kanë një marrëdhënie politike shumë të tensionuar, si arrini të ruani ekuilibrin e duhur?

Mundohem të mos i vendos stendat e tyre afër, që të evitoj pakënaqësi e konflikte të mundshme. Këtë vit, për herë të parë do të përfaqësohet në Balkan Trafik, një bandë kosovarësh e serbësh nga Mitrovica, Mitrovica Rock School. Për shkak të tensionit të ndezur në Mitrovicë, të rinjtë serbë e kosovarë nuk arritën ta përfundonin trajnimin, sepse familjet e tyre nuk i lanë të kalonin urën që ndan, por edhe lidh njëkohësisht, shqiptarët me serbët e Mitrovicës. Në këto kushte, u detyruan të vazhdojnë provat veç dhe do të takohen sërish bashkë në skenën e Balkan Trafik. Por, më shqetësues është mentaliteti i disa përfaqësuesve politikë shqiptarë të diasporës së Brukselit, të cilët e përdorin luftën e Kosovës, për të thelluar përçarjen mes shqiptarëve e serbëve. Ata përpiqen të eksportojnë konfliktin ekzistues në një mjedis multikulturor si Brukseli dhe të përdorin Balkan Trafik, që të promovojnë të shkuarën. Këto tentativa janë kundër frymës së festivalit, i cili promovon vlerat kombëtare të çdo vendi ballkanik, por jo kahun ekstremist. 

Aktualisht ju ndodheni në Prishtinë, ku me një grup artistësh vendas e të huaj, keni ndërmarrë një projekt të madh muralesh në qytet. Si është kjo eksperiencë bashkëpunimi?

Është një eksperiencë fantastike, pasi Kosova ka një numër shumë të madh artistësh që merren me street art. Siç shpjegon dhe Agon Xhelili, një nga themeluesit kryesorë të organizatës Q’ art, që u krijua nga një grup i frustruar arkitektësh e designers kundër degradimit të hapësirave publike, liria e krijimit të muraleve në Kosovë është më e madhe se ajo në Shqipëri. Në Tiranë, asnjë mural nuk është i artistëve të pavarur, pasi autorizimi, tema dhe kurimi varen nga Zyra e Dekorit.

Duke bërë murale në Prishtinë dhe në Bruksel, qëllimi ynë është të tregojmë që ndajmë të njëjtat objektiva në lidhje me mjedisin, barazinë gjinore, feminizmin, komunikimin mes brezave, etj. Artistë nga Belgjika vijnë të bëjnë murale në Kosovë dhe e kundërta. Pjesë e projektit të Prishtinës është dhe artistja e njohur belge street-art Amandyne Lesay, e cila është shumë e entuziasmuar nga qëndrimi në Prishtinë. Kurse artistja kosovare Fitore Berisha, do të përfundojë muralin e saj të 6-të në Bruksel. Muralet janë pjesë e turizmit urban, që kohët e fundit po merr një hov të madh në Prishtinë. 

Marrëdhënia juaj 21-vjeçare me vendet e Ballkanit, ka sjellë krijimin e një rrjeti të madh bashkëpunëtorësh, miqsh e të njohurish. Njohja me kulturën shqiptare të Kosovës, i parapriu njohjes me trungun e saj, Shqipërinë. A shihni dallime thelbësore mes popujve (shqiptarë) të të dy vendeve? 

Shumë njerëz mendojnë se bëhet fjalë për të njëjtin vend. Por, në të vërtetë, pavarësisht etnisë, vetëdijes kombëtare e gjuhës së përbashkët, bëhet fjalë për dy vende të ndryshme, me një mentalitet të ndryshëm. Kosova ka qenë pjesë e ish Jugosllavisë dhe ka pasur një rrugëtim historik krejt të ndryshëm, i cili u kulmua me luftën e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë. Ndërsa Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar komunist në Europë. Për dekada të tëra nuk ka pasur asnjë ndërveprim me vendet përreth. Në Shqipëri, për shkak të sipërfaqes më të madhe dhe dallimeve gegë-toskë, çdo 15 km vihet re një diversitet i madh folklorik kostumesh, muzike e kulturash. Kosova dhe Shqipëria e veriut shquhen për rapsodët, ndërsa Jugu për polifoninë. Në nivel social, shqiptarët e Kosovës janë pak më humble (të përulur) e modestë se ata të Shqipërisë

Me cilat grupe artistësh përfaqësohen në edicionin e 17 të Balkan Trafik, Kosova e Shqipëria?

Kosova me Dren Abazin e orkestrën Zig- Zag dhe grupin serbo-kosovar Mitrovica Rock School, ndërsa nga Shqipëria, do të vijnë Josif Shukallari & Sazet e Përmetit dhe Grupi polifonik i Pilurit. 

Kurse nga diaspora shqiptare në Bruksel, do të jetë Gjovalin Quintet, një grup belgo-shqiptar që interpreton muzikë tradicionale shqiptare, drejtuar nga fizarmonisti e këngëtari Gjovalin Nonaj. Katër pjesëtarët e tjerë të grupit janë belgë.

Ju falënderoj përzemërsisht dhe shihemi në Balkan Trafik, 27 - 30 prill.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.