Nastazia Kinski: Një pasion ndjellës mes fytyrës së vajzës e gruas

Postuar në 28 Janar, 2023 14:59

Nastazia Kinski ka qenë përgjatë viteve ‘80, zgjedhja gati e vetvetishme për çdo film që kishte në qendër një femme fatale të tipit jo-klasik, një pasion ndjellës mes fytyrës së vajzës e gruas. 

Bukuroshja Nastazia Kinski lindi në 24 janar 1961 në Berlin. I ati ishte aktori i njohur gjerman Klaus Kinski dhe e ëma Ruth Brigite Toki, poete e aktore. Kishte origjinë polake, por u rrit në Gjermani. Në ndryshim nga jeta e saj profesionale, jeta personale e Lolitës së parë të Hollywood-it ,qe e vështirë.

Fëmijëria tiranike

Nastazia nuk ka jetuar një fëmijëri si të tjerët. Që e vogël, kujdesej për mamanë e vet, e cila për sa kohë jetonte me aktorin, babain e saj Klaus Kinski, i ndalohej të punonte, madje edhe të dilte nga shtëpia. Madje jo vetëm së ëmës, por edhe Nastazies. Jetonin të mbyllura. Vite më vonë, do të rrëfejë: “Nuk duhet të flasim për tim atë. Nuk duhet ta përmendim me emër”. Ka qenë një aktor i përbindshëm, por një përbindësh me fytyrë njeriu, që vdiq, duke pandehur se qe zot. Dhe siç e dinë të gjithë, Zoti nuk njeh limite, as ndalime.

Motrën e saj Polën, të cilën i ati e kishte nga martesa me gruan e tij të parë, e përdhunonte nga mosha 5-19 vjeç, sikurse e akuzon Pola në librin e saj. Nastazia Kinski hyri në botën e shndritshme dhe të ashpër të spektaklit, kur vajzat e tjera të moshës së vet, loznin ende me kukulla. Rolin e saj të parë e pati në moshën 12 vjeçe, kur regjisori gjerman Wim Venders e pa teksa kërcente në një disko në Mynih. Në të njëjtën moshë, filloi karrierën e saj si modele dhe para se të maturohej, kishte filluar të shkaktonte rrëqethje me skenat e saj nudo.

Një talent i lindur

Nastazia Kinski e filloi karrierën e aktrimit shumë herët, pa arritur të studiojë. Por kishte diçka të veçantë, atë që kërkonin Roman Polanski, Francis Ford Coppola dhe kryesisht Wim Venders, me të cilin realizoi filmin e njohur Paris - Teksas dhe dy filma të tjerë. 

Duke punuar edhe si modele, do të njohë një sukses shumë të madh, kurse fotografia e saj e famshme nga Richard Avedon me një gjarpër që i mbulon trupin, do e klasifikojë Kinskin në sex-symbol më të njohura. 

Nastazia dhe Polanski

Njeriu që e shndërroi në një aktore të klasit botëror, qe Roman Polanski, i cili i dha rolin e protagonistes në filmin “Tess”.

Kur Nastazia njohu Polanskin, qe 15 vjeçe dhe qarkullonin zëra që kishte marrëdhënie me të. Ajo ka deklaruar, që nuk kishin marrëdhënie seksuale dhe që Polanski e respektonte dhe i falte dashurinë, që s’kishte nga i ati i saj. 

Kur Nastazia takoi Marcello Mastroiannin

Në vitin 1978, 17 vjeç në atë kohë, do të lozë bashkë me Marcello Mastroiannin në filmin romantik “Stay the way you are” të Alberto Latuadës, një film që do ta bëjë të njohur në SHBA. Marcello u dashurua me të. Por, ajo ende ishte në kërkim të një figure atërore dhe marrëdhënia e tyre nuk qe jetëgjatë.

Nastazia dhe Coppola

Para se të bëhej 21 vjeç, hyri në studion e Francis Coppola për musical romantic drama “One from the heart”, kur krijuesi i “The Godfather” Coppola sapo kishte krijuar kompaninë e vet të produksionit dhe ishte në fazë eksperimentale, diçka shumë e ndryshme nga ajo çka ishte mësuar ta adhuronte publiku.  Filmi nuk shkoi mirë, por Nastazia e vogël kishte arritur të nënshkruante rolin e saj të parë në Amerikë, me një emër-mit të artit të shtatë. 

Një mace e egër në “Paris - Teksas”
 
Në vitin 1982, do të kthehet në studio me një thriller erotik që i dha mundësinë të joshë akoma më tepër publikun. Bëhet fjalë për “Cat people” të Paul Schrader, një remake i filmit të vitit 1942, me regji të Jacque Tourneur. Një film interesant, por jo në lartësinë e librit, i cili mori vlerë më tepër falë Kinskit, bishës së vogël dhe soundtrack-ut “Cat People (Putting Out Fire)” të David Bowie.

Viti 1984 është një stacion i rëndësishëm për karrierën e saj me filmin “Paris - Teksas” të Wim Venders. Në këtë film antikonformist, me skenar të Sam Shepard, Kinski do realizojë një prej interpretimeve të saj më të mira me bashkëprotagonistë Harry Dean Stanton dhe Dean Stockwell. Filmi i Wenders, që shemb mitologjinë amerikane, do të fitojë Palmën e Artë në Kanes. 

Nastazia dhe dashuria me Quincy Jones

Nga viti 1992-1995, Kinski jetoi me muzikantin Quincy Jones. Në vitin 1993, lindi vajza e tyre Kenya Julia Niambi Sarah Jones, që sot është topmodele e njohur.

Përktheu: Eleana Zhako

Burimi: womantoc.gr

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.