Barazim

Postuar në 29 Dhjetor, 2022 14:48

Teatri “luftarak” i Kosovës dhe Serbisë duket se ka përfunduar siç pritej. Beogradi ka njoftuar heqjen e gatishmërisë luftarake për trupat ushtarake dhe presidenti i vendit, Vuçiç, pas një takimi me Këshillin e Sigurisë ka paralajmëruar heqjen e barrikadave me kushtin se nëse do të ketë arrestime serbësh barrikadat do të kthehen përgjithnjë.

Përtej çdo deklarate, Serbia ilustroi se as ka dëshirë dhe as ka në fakt kapacitet për luftë me Kosovën, as për luftë territori. Ajo do një marrëveshje që të mos tingëllojë poshtëruese dhe disa garanci ballkanike për komunitetin serb në Kosovë. Nga ana e Vuçic u tregua sesa e vështirë është jetesa e serbëve në Kosovë, se për sigurinë e tyre ka vetëm një garanci, Serbia dhe se në këtë dritë negociatat mbi planin franko-gjerman janë formalisht të papranueshme.

Nga ana e vet, Albin Kurti që u akuzua se ra në grackën e Vuçiç, deklaroi dje se ishte i befasuar nga vendimi i gjykatës për kalimin në arrest shtëpie të Dejan Pantiç, deklaratë pas së cilës mori përgjigjen nga Gjyakata se ajo është e pavarur në vendimet e veta. Në këtë kuadër teatri dy palësh u luajt deri në fund dhe Pantiç ndonëse kalon në arrest shtëpie nuk i ka shpëtuar gjykimit. 

Situata ka evoluar për momentin drejt shtensionimit të domosdoshëm që është dalja e politikës nga mjetet e rrugës. Mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë ajo që ndodhi kur palët të ulen në tryezë, por në provën e forcës duhet ta themi se Serbia doli e humbur sepse nuk fitoi gjë esenciale. Përveç dëshmisë se ajo nuk bën dot luftë, e tensionon Kosovën por nuk e destabilizon dot.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.