Në lojë besueshmëria e Bashkimit Europian

Postuar në 10 Nëntor, 2022 00:23
Elizabeth M. Renieris

 

Vitin që vjen pritet vënia në punë e një sistemi të ri të teknologjisë së informacionit, të njohur si Sistemi i hyrjes/daljes (EES) për regjistrimin e informacionit të hyrjes, daljes dhe refuzimit të hyrjes të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së që vizitojnë zonën Shengen pa pasaportë për periudha të shkurtra (maksimumi i përcaktuar 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore).

Një konsorciumi të përbërë nga IBM, Atos Belgium NV dhe Leonardo S.p.a. iu dha një kontratë me vlerë 140 milionë euro për softuerin bazë, ndërsa IDEMIA dhe Sopra Steria do të ofrojnë sistemin përkatës të njohjes së fytyrës për një çmim prej 300 milionë euro. EES pritet të kushtojë gati gjysmë miliardë euro vetëm në vitet e para. Por kostoja për autoritetin moral të Bashkimit Evropian është potencialisht shumë më e lartë.

E propozuar për herë të parë në 2013-n, rregullorja që autorizon EES-in u miratua zyrtarisht në 2017. Jo domosdoshmërisht janë në diskutim meritat e vetë sistemit të ri. Përkundrazi, problemi, siç tregojnë mangësitë në procesin e zbatimit të EES, është pasiguria në rritje e të drejtave themelore në qasjen e Evropës ndaj qeverisjes dixhitale, si dhe vlerat konkurruese në rrezik që lidhen me biometrikën.

Sistemi do të hyjë në përdorim në maj të vitit 2023 pas vonesave të konsiderueshme, pavarësisht se qëndrimet lidhur me teknologjinë e njohjes së fytyrës kanë ndryshuar ndjeshëm që nga fillimi i projektit gati një dekadë më parë.
Vetëm vitin e kaluar, Parlamenti i BE-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për ndalimin e disa përdorimeve të teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe në mënyrë specifike paralajmëroi se “përdorimi dhe mbledhja e çdo të dhëne biometrike për qëllime identifikimi në distancë, për shembull duke identifikuar fytyrat në mjedise publike, si dhe në portat automatike të kontrollit kufitar që përdoren për kontrollet në aeroporte, mund të paraqesin rreziqe specifike për të drejtat themelore.”

Shtetet anëtare në mënyrë individuale kanë kërkuar edhe kufizime dhe madje edhe moratorium të plotë të përdorimeve të caktuara të kkësaj teknologjie të diskutueshme, nga sektori publik dhe privat.

Madje, edhe kanë vendosur gjoba të mëdha kundër kompanive si Clearview AI për përdorimin për qëllime komerciale. Kohët e fundit, propozimi i Komisionit të BE-së për një rregullore të re mbi inteligjencën artificiale (AI) - Akti i AI - identifikoi njohjen e fytyrës dhe mjetet e tjera biometrike të AI si raste përdorimi "me rrezik të lartë", madje disa drafte bënin thirrje për një ndalim të "përdorimit të sistemeve të identifikimit biometrik në distancë "në kohë reale" në hapësira të aksesueshme nga publiku, për qëllime të zbatimit të ligjit."

Megjithëse Akti i AI është pjesë e një rishikimi më të gjerë legjislativ në mbarë BE-në, i projektuar për të ruajtur të drejtat themelore në lidhje me teknologjitë dixhitale, trajtimi i biometrikës sipas aktit mbetet një nga pengesat kryesore që pengon një draft përfundimtar të ligjit të propozuar. Kjo parasheh krizën e afërt të identitetit të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për njohjen e fytyrës dhe mjetet e tjera të identifikimit biometrik. Edhe pse EES është shembull i rëndësishëm i kësaj përplasjeje të vlerave të brendshme që luhet në kohë reale, ai ka pasur një shqyrtim të kufizuar – pavarësisht se çfarë mund të sugjerojë për të ardhmen, duke përfshirë Aktin e AI.

I frymëzuar pjesërisht nga një seri sulmesh terroriste në të gjithë Evropën në kohën e prezantimit të tij, dhe duke qenë pjesë e një pakete më të gjerë "Smart Borders", EES supozohet se i shërben "identifikimit të terroristëve, kriminelëve, të dyshuarve dhe viktimave të krimit", duke ofruar një bazë të dhënash të centralizuar që synon të lehtësojë bashkëpunimin në mbarë BE-në për menaxhimin e kufijve.

Ai do të zëvendësojë kontrollet manuale të dokumenteve dhe vulosjen e pasaportave nga rojet kufitare me kontrolle të automatizuara biometrike, të ngjashme me kioskat e vetë-shërbimit ose "eGates" që gjenden në shumë aeroporte; të mundësojë sinjalizime të automatizuara për qëndrimet e gjata të dyshimta; dhe të sigurojë akses në Europol në funksion të zbatimit të ligjit.

Sistemi do të mbledhë të dhëna biometrike në formën e imazheve të fytyrës dhe gjurmëve të gishtërinjve për qëllime të verifikimit të identitetit një-me-një (krahasimi i individëve me të dhënat e tyre biometrike), identifikimi një-me-shumë (krahasimi i një individi me të gjitha të dhënat e ruajtura në bazën e të dhënave), dhe për të reduktuar dublikimin e përpunimit të të dhënave personale. Një propozim për të përfshirë skanimin e irisit u la mënjanë për shkak të sfidave logjistike. Individëve që refuzojnë të japin të dhënat e tyre biometrike do t'u refuzohet hyrja në Bashkimin Evropian.

EES dhe Smart Borders janë gjithashtu në përputhje me një prirje më të gjerë të Komisionit të BE-së për financimin e një grupi mjetesh dhe teknologjish dixhitale gjithnjë e më të avancuara në emër të thjeshtimit të kontrollit të imigracionit dhe kufijve, siç është përdorimi i dronëve dhe kamerave termike në kampet e refugjatëve në Greqi, në një fenomen që disa e kanë quajtur "Fortesa e Evropës". Motivimet kryesore të artikuluara për "përmirësimin" e menaxhimit të kufirit janë kryesisht teknokratike.

Sipas Bashkimit Evropian, "përparësia kryesore e sistemit EES është kursimi i kohës" duke "modernizuar menaxhimin e kufijve", duke e bërë udhëtimin "më të lehtë" dhe "kontrollet kufitare më efikase" (megjithëse shumë kanë frikë se ai në fakt do të sjellë vonesa të konsiderueshme dhe joefikasitet për udhëtarët, një shqetësim i veçantë për ata që udhëtojnë drejt Britanisë post Brexit).

Por më shpejt, më lehtë dhe më efikas për kë? Sigurisht jo për ata që synojnë të lënë fytyrat dhe shenjat e gishtave në kufi. Për më tepër, vlerat themelore që drejtojnë këto sisteme - domethënë, shpejtësia, lehtësia dhe efikasiteti - janë më shumë korporative sesa demokratike, gjë që i vë funksionet thelbësore të shtetit nën vlerat e kompanive që ofrojnë teknologjitë themelore.

Akoma më keq, pavarësisht njoftimeve për shtyp që theksojnë "të drejtat themelore", një lexim i thellë i dokumentacionit të EES zbulon vetëm një angazhim sipërfaqësor në lidhje me të drejtat themelore të atyre që ndikohen përtej privatësisë dhe sigurisë së të dhënave të tyre. Për shembull, një vlerësim i thelluar i ndikimit, i bërë nga Komisioni, premton se sistemi "do të zhvillohet në respekt të plotë të privatësisë sipas parimeve të projektimit", pa shpjegime të mëtejshme se çfarë përfshin ai dizajn.

Edhe brenda objektivit të ngushtë të mbrojtjes së të dhënave, ai arrin në përfundimin se sistemi është "proporcional" sepse përmbushen disa parime kryesore - domethënë, se sistemi "nuk kërkon mbledhjen dhe ruajtjen e më shumë të dhënave për një periudhë më të gjatë se sa është absolutisht e nevojshme për ta lejuar [atë] të funksionojë dhe të përmbushë objektivat e tij.” Por nuk ka asnjë shpjegim se çfarë do të thotë që sistemi të "funksionojë dhe të përmbushë objektivat e tij".

Seksione më të shkurtra të vlerësimit të ndikimit, të emërtuara dukshëm "Të drejta të tjera themelore", përfaqësojnë thjesht një pjesë të vëmendjes që i kushtohet mbrojtjes së të dhënave dhe një pjesë edhe më të vogël në krahasim me një analizë të ndikimeve ekonomike - një sinjal i qartë i peshës relative të këtyre shqetësime për ligjbërësit evropianë.

Pavarësisht ndikimeve të drejtpërdrejta që EES ka të ngjarë të ketë në lirinë e lëvizjes dhe socializimit, si dhe në një mori të drejtash ekonomike, sociale dhe kulturore, këto ndikime duket se janë anashkaluar ose janë refuzuar në procesin e planifikimit. Të drejtave për dinjitet, liri dhe siguri dhe ndalimi i skllavërisë, punës së detyruar dhe diskriminimit u kushtohet trajtim i përciptë – dhe, çuditërisht, kjo panoramë e ngushtë thekson se si masat e EES mund t'i forcojnë këto të drejta për evropianët (duke luajtur potencialisht një rol në reduktimin e krimit apo terrorizmit), në vend që të thotë se si i kërcënon të drejtat e atyre individëve, të dhënat biometrike të të cilëve do të merren. Është e barabartë me një vlerësim të kundërt të ndikimit të të drejtave themelore.

Në të vërtetë, vlerësimi pohon se është vërtetuar se individë të tillë nuk do të pësojnë shkelje të së drejtës për dinjitet, në bazë të një sondazhi me "1 234 shtetas të palëve të treta, të përzgjedhur rastësisht" në postat e kontrollit kufitar për komoditetin e tyre me përdorimin e biometrisë — një qasje metodologjike kurioze në çdo masë. Dhe pavarësisht provave thelbësore dhe në rritje për të kundërtën, të anketuarit ndanë një “pikëpamje të përhapur se sistemet e automatizuara mund të shkaktojnë më pak diskriminim në krahasim me kontrollet e kryera personalisht nga rojet kufitare…bazuar në supozimin se makinat sjellin një rrezik më të ulët diskriminimi përmes profilizimit.

Kështu, vlerësimi në mënyrë efektive zbulon se për shkak se njerëzit besojnë ose supozojnë se të drejtat e tyre duhet të mbrohen, të drejtat e tyre, në fakt, mbrohen - një lloj shkëndije juridike. 

Së fundi, në lidhje me aksesin e zbatimit të ligjit në të dhënat biometrike EES, vlerësimi i ndikimit që ka hartuar Komisioni arrin në përfundimin se “është e vështirë të justifikohet se nuk u jepet akses në të dhëna që mund të jenë të dobishme në parandalimin e sulmeve terroriste dhe ndalimin e aktiviteteve kriminale, të dyja me një ndikim negativ në të drejtat themelore të viktimave të tyre.”

Me fjalë të tjera, ndikimi në të drejtat themelore të njerëzve që nuk i nënshtrohen SEE-së (nga përfitimet e supozuara por të pabazuara të përmirësimeve të planifikuara teknologjike) është i privilegjuar mbi të drejtat e shtetasve jo-BE që do t'u nënshtrohen kontrolleve biometrike. Në këtë mënyrë, qasja ndaj EES tregon gjithashtu se si theksimi i të drejtave evropiane dhe vënia në qendër si e drejta për mbrojtjen e të dhënave mund të zhvendosë të drejtat themelore të njeriut të njerëzve në përgjithësi.

Procesi që lidhet me EES ngre një mori pyetjesh të rëndësishme në lidhje me qasjen e Bashkimit Evropian ndaj mënyrës si qeveriset teknologjia. Në mënyrë të veçantë, çfarë bëhet me të drejtat themelore kur ligjvënësit mund të zgjedhin t'i anashkalojnë ose t'i shmangin ato me kaq lehtësi? Çfarë do të thotë kur vlerat e korporatës zëvendësojnë ato demokratike përballë teknologjive dixhitale?

Çfarë do të thotë të mbrosh dhe sigurosh të dhënat më shumë sesa të mbrosh njerëzit që ndikohen më drejtpërdrejt nga teknologjitë që mbledhin ato të dhëna? Dhe çfarë ndodh kur të drejtat themelore të një grupi privilegjohen mbi ato të një tjetri? 

Bashkimi Evropian shpesh konsiderohet një shembull për të drejtat themelore në epokën dixhitale. Qasja e tij ndaj mbrojtjes së të dhënave është replikuar në mbarë botën në atë që është quajtur efekti i Brukselit. Dhe, aktualisht, rajoni po nxjerr një mori ligjesh dhe rregulloresh të reja të fokusuara në tregjet, platformat dhe të dhënat dixhitale. Por një vështrim më i afërt i qasjes së bllokut ndaj biometrikës, si në rastin e EES, ngre pyetje serioze në lidhje me qasjen e tij ndaj qeverisjes së teknologjive dixhitale në përgjithësi. Ai gjithashtu tregon për një konflikt më të thellë midis vlerave të deklaruara demokratike të Bashkimit Evropian, të rrënjosura në të drejtat e njeriut, nga njëra anë, dhe një impulsi teknokratik për t'u dixhitalizuar me çdo kusht, nga ana tjetër. Me rregulloret e reja në tryezë, ligjbërësit evropianë kanë një zgjedhje - të përballen dhe t'i pajtojnë këto kontradikta ose të humbasin autoritetin e tyre moral dhe statusin shembullor kur bëhet fjalë për qeverisjen e teknologjisë.

Bota po vëzhgon!

Autorja është bashkëpunëtore e nivelit të lartë në Institutin e Oksfordit për Etikën në AI, themeluese dhe drejtore Ekzekutive e HACKYLAWER dhe autore e “Përtej të Dhënave: Rikthimi i të Drejtave të Njeriut në Agimin e Metaverses” (pritet të dalë në treg në shkurt 2023).

https://www.cigionline.org

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.