"As bastard, as revolucionar i madh". Homazh polemik mbi Robespierin

Postuar në 03 Shtator, 2022 00:25
Intervistoi: Pierre Lann

 

228 vjet pas ekzekutimit Robespieri kujtohet në Francë. Edhe nga politika. Por si? Ai është ndoshta figura më e mitizuar e Revolucionit frëng, nën akuzën për Terror, puritanizëm dhe si pagëzues i dhunës ekstreme. Diçka që nuk përkon me të vërtetën.

Në një intervistë për “Marianne” historiani Jean-Clément Martin, autor i librit “Robespieri: Fabrikimi i një përbindëshi” thotë se ai humbi në rrjedhën e disa lojërave politike si viktimë e shkëlqyer e autoritetit të frikës që imponoi te të gjithë e mu që për këtë shkak iu kundërvunë, jo vetëm duke e likujduar, por edhe mallkuar me një korpus akuzash ekskluzive që mesa duket nuk qëndrojnë të gjitha, por që koduan imazhin e tij në histori si të tillë. 

Dy vizione mbi Robespierin vijojnë të përballen ende sot, 228 vjet pas ekzekutimit të tij në Paris. Një e sheh si përgjegjësin kryesor të teprimeve të dhunës të Revolucionit, tjetri evidenton disa pozicione të tij përmes të cilave ai shihet si një hero revolucionar dhe demokratik. Pse provokon ai kaq ndasi? 

Nga Revolucioni kujtojmë vetëm Robespierin dhe harrohen ata që kanë bëre gjëra shumë më demokratike apo shumë më të tmerrshme. Kjo bezdis të gjithë kur mendojnë se Robespieri mori pjesë në lojëra politike shumë të ndërlikuara që nuk e bënin atë as revolucionarin e madh që do donin disa të shihnin, as edhe bastardin e madh që të tjerë imagjinojnë. 
Kështu ai mbështeti në verën e vitit 1793 sankulotët përpara se t’i eliminonte në mars të vitit 1794. Ai humbi në këto lojëra të rrezikshme ndaj edhe i ngarkojnë poshtërimet më të ulëta, po aq sa edhe vendimet më të mira. 
Robespieri nuk ishte revolucionari më demokrat. P.sh ai nuk e mbrojti asnjëherë të vetme ndalimin e skllavërisë. Disa të tjerë, si Jacques Pierre Brissot kërkuan shumë më tepër.

Por Robespieri nuk është as ai që kërkoi më shumë se të tjerët shkatërrimin e armiqve të Revolucionit. Në këtë çështje Marati kaloi çdo rekord dhe disa përfaqësues me detyrë në provinca kanë qenë njerëz shumë më të rrezikshëm. Në realitet, Robespieri u shndërrua në një hero apo antihero, kur armiqtë e tij krijuan një legjendë të zezë për të në momentin që vdiq. 

Si u ngrit kjo “legjendë e zezë”? 

Nga muaji qershor 1794, kundërshtarët e tij nisën të organizojnë komplote në burgje. Ata dërgonin karroca me dënuar në platetë e ekzekutimit duke përhapur fjalë se ishte Robespieri që po e organizonte këtë.

Ditën e ekzekutimit të tij, më 28 korrik, në Paris duhet të ketë patur ndonjë festë të madhe që mblodhi 200 000 – 300 000 njerëz me rastin e hyrjes në Panthéon të dy revolucionarëve të vdekur. Deputetët druheshin se Robespieri do të përfitonte nga festa për të burgosur njerëz të cilët ai i konsideronte si kundër tij.

Rënia e tij duhet parë si një kundër-grusht Shteti parandalues, në momentin kur disa prej opozitarëve të tij rrezikonin t’u pritej koka në gijotinë. 
Robespier u eliminua nga kundërvënia e dyfishtë nga e djathta dhe e majta e tij. Kjo e fundit ishte veçanërisht armiqësore ndaj tij për shkak se ai kishte marrë pjesë në eliminimin e të Tërbuarve, sankulotët më të vendosur.

Ata u morën vesh për ta shpallur atë të vetmin përgjegjës të gjithçkaje kishte ndodhur deri në korrik 1794, e që u quajt Terrori. Mes tyre që akuzonin kishte nga ata si Barras dhe Fushé që kishin marrë pozicione ekstremiste dhe të rrezikshme vetëm dhe kundër Robespierit, duke masakruar në Lion, Marsejë dhe Nantë. 

Pra duhet parë në perspektivë ideja sipas së cilës Robespieri ishte përgjegjësi kryesor i Terrorit? 

Të mbajmë parasysh se Robespieri ka mbajtur një pozicion shumë të qartë dhe publik kundër sistemit të Terrorit. Duhet vendosur në perspektivë po ashtu ndikimi që ai mund të kishte mbi territorin si të tërë edhe kur mbante në dorë të gjitha pushtetet në Paris në fillim të vitit 1794.

Mizoritë më të egra kanë qenë kryer në fund të vitit 1793 në provincë, në Lion apo në Nantë sidomos, nën ndikimin e disa personazheve si Fushé. Robespieri dhe të tjerë kishin megjithatë një përgjegjësi. Në fillim ata lanë që kjo të kalonte përpara sesa të ndalonin këto politika represive dhe të thërrisnin veçanërisht Fushenë në Paris.

Duhet po ashtu kujtuar se Terrori nuk ka qenë kurrë i institucionalizuar zyrtarisht as edhe nuk ka patur një ligj apo organizatë për të folur në sens strikt. Terrori u luajt në momente shumë precize, ndonjëherë gjatë një dite. 
 

Në të kundërt nga imazhi shumë radikal që I bashkëngjitet, disa historianë e kanë përshkruar Robespierin si zaptues të “qendrës ekstreme” në Komitetin e Shpëtimit Publik. Është ky rasti? 

Do të thosha më tepër që Robespieri donte të mishëronte një revolucion moralizues, spiritual. Ai ka goditur një pjesë të së majtës ekstreme duke imponuar lirinë e kulteve ose duke bërë të votohet një dekret mbi pavdekësinë e shpirtit.

Ai konsideronte se nuk mund të ngrihej një regjim politik bazuar vetëm mbi fjalimet politike apo mbi marrëveshjet ekonomike. Robespieri ishte brumosur me një moral kristian me të gjithë ashpërsinë e tij e ku mëkatet ndëshkohen. Kjo goditi disa sankulotë të një laicizmi absolut që e shihnin atë si të rrezikshëm. 
Disa vlerësonin po ashtu se Robespieri u vidhte idetë pa dashur të shkonte aq larg sa ata për barazinë sociale dhe veçanërisht në barazinë mes mashkullit dhe femrës ndaj të cilës ai dukej shumë armiqësor.

Robespieri ka qenë po ashtu në favor të lirisë së tregtisë dhe centralizmit të pushtetit. Por ai u akuzua po ashtu nga e djathta, nga njerëz që ishin më në favor të një ekonomie më të lirë. 

A ka një rikthim të figurës mitike të Robespieri dhe pse? 

Sigurisht. Ky mit rishfaqet në periudhën tonë në te cilën pushteti personalizohet shumë dhe në të cilën shihen njerëz që thonë: “Kam për ta bërë këtë”. Kjo i jep hapësirë rishikimeve. Përherë ka patur një përqendrim mbi Robespierin, por kjo nis të më trembë kur rrezikohet rikthimi sërish në një formë çezarizmi. Ta përmbledhësh Revolucionin në fjalime është pa kuptim: këto kanë qenë si fillim grindje politike, beteja politikanësh dhe eliminime mes njerëzve që njiheshin mirë. Nëse nuk kuptohet kështu atëherë kalohet përtej realitetit të fakteve.

Përkthimi dhe hyrja: Skerdilajd Zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.