Purgatori i "pastërtisë së figurës"

Postuar në 27 Korrik, 2022 15:56

Kur vjen puna te zbardhja e marrëdhënieve mes funksionarëve të ndryshëm me ish-shërbimin sekret të regjimit të para viteve ’90 të shekullit të 20-të, ligji përdor termin “pastërti e figurës”. Ky term implikon një pretendim moral dhe etik sipas të cilit shoqëria shqiptare disancohet nga e kaluara komuniste duke cilësuar si njollë të pashlyeshme bashkëpunimin eventual, apo pjesëmarrjen e atyre që drejtojnë në demokraci, me organet represive të sistemit të shkuar.

Padyshim që është një term arbitrar që synon të gozhdojë me parandalim moral(izues) pjesëmarrjen në një sistem të ri që ndërtohet mbi të tjera parime. Këtë njollë nuk e ka në Shqipëri as bashkëpunëtori i shërbimeve të huaja, ciladoqofshin këto. Është një inskenim propagandistik për arsye se ka shumë që e dinë se bashkëpunimi me shërbimet sekrete ka disa dimensione dhe nuk mund të kriminalizohet a posteriori. Për krahasim në Gjermani, vërtet që pas Luftës u shkrinë organet e shërbimeve sekrete dhe policore, por denazifikimi ishte pikësëpari ideologjik dhe adresoi si përgjegjëse kryesore Partinë Nacionalsocialiste, burimin e ideologjive dhe parimeve organizative të asaj që ndodhi.

Në Shqipëri Partia e Punës që duhej të shkrihej në emër të atij që quhet dekomunistizim e që propagandohet sot edhe nga një pjesë e opozitës, u shndërrua në parti progresiste, me drejtues aparatin e ish-Komitetit Qendror dhe intelektualë që ishin në fakt të vetëdijshëm për ndryshimet, por edhe kishin qenë zbatues, e shpesh përpilues të politikave ekonomike dhe interpretues të drejtimit ideologjik.

Për më tepër, rrethana e bashkëpunimit ndryshon nga rrethana e angazhimit në struktura dhe këtu sërish ne kemi një lajthitje të qëllimshme nga politika që ka luajtur me dosjet e të rekrutuarve dhe ka heshtur për autorët e represionit, edhe ai i sanksionuar me ligj. Rasti i Preç Zogajt, një ish-këshilltar i Presidentit të Republikës është ndër më tipikët e tranzicionit dhe ilustron se përgojimi dhe përdorimi shantazhues nuk i jep zgjidhje një pjese të errët të së shkuarës sonë të afërt. 

Përkundrejt një historie të tillë me të shkuarën, filtri i Pastërtisë së Figurës, vepron si miratim i aplikimit për të qenë në këndin e emulacionit të demokracisë. Si i pamëkat ndaj Tjetrit. Ndërkohë që në 30 vjet ka shumë figura me certifikatë të një Figure të Pastër, por nuk ka asnjë Figurë të Pastër. Bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit rrallë ka patur motive ideologjike ; ai ka qenë shpesh pragmatist, nën shtrëngim dhe në thelb korruptiv. Vetë rekrutimi me material shtrëngues është ligjërim i një praktike korruptive dhe instrumentalizim i saj për të survejuar. Është për t’u shënuar po ashtu natyra thellësisht implikuese e praktikës së kohës: anëtarët e partisë nuk rekrutoheshin, çka në dritën e sotme, një ish-anëtar i PPSh-së, një ish-komunist me bindje, mundet fare mirë të quhet figurë e pastër, në raport me dikë që i shërbente atij përmes informimit. Një letër anonime, një letër operative janë sot ku e ku më implikuese sesa një mbledhje e organizatës bazë, një gjyq kolektiv.

Hipokrizia e këtij rregullimi qëndron te fakti se në vend se të sugjeronte një të drejtë për të parë të shkuarën tënde, ai pretendon të konservojë demokracinë nga një armik i deklaruar si par excellence i tillë, pra Komunizmi dhe shërbimet e tij. Por komunizmi nuk është më armiku i demokracisë. Madje do dyshuar nëse ka qenë ndonjëherë. Armiku i vërtetë është Korrupsioni, i cili nuk mundet ta blejë asnjë pastërti sepse është i pistë me përkufizim. E vërtetë që ndalimi për marrje funksionesh vlen edhe për ata persona “që janë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës”, por ne në vitin 2016 morëm vesh se do bëhej një reformë për të pastruar edhe atë sistem gjyqësor që ishte tërësisht i kapur dhe me sens korporativ. Si t’i kualifikojmë atëherë vendimet e formës së prerë të atyre gjykatave? Si ta korrigjojmë dëmin e tyre?  

Ndaj përtej përgjegjësive të Ilir Metës, Sali Berishës dhe të tjerëve për bashkëpunimin ose jo me shërbimet e regjimit komunist, kjo nuk i bën ata dhe të tjerë si ata Figura të Papastra. Sepse pastërtinë tanimë e përkufizojnë të tjera kritere, të tjera sfida. Përpara sesa të jetë spiun, Ilir Meta është shumë gjëra të tjera dhe për këto nuk flitet dhe bëhet kaq zhurmë, sepse Dosja e Korrupsionit i ka të gjithë brenda. Edhe hallexhiun e Tiranës.  

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

O skerdi. E verteta del ne shesh. Eshte e kote te tjerresh per parendesine e figures morale . Persa i perket zhurmes I.M na ka care (dhe po vazhdon) daullen e veshit 30 vjet. Ka ardhur koha te pergjigjet.

Submitted by Vlora 97 (not verified) on

Sa rrotulloheni kot m kot edhe kur gjerat jane te qarta. Ju pelqen vetja shume

Submitted by U.B (not verified) on

Po nuk jemi te gjithe te zgjuar si puna tende o zoteri!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.