Greqia zgjedh SHBA kundër Putin. Një mundësi edhe për Kosovën?!

Postuar në 18 Maj, 2022 12:23

Vizita e fundit e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në SHBA, mund të cilësohet padyshim si shumë e rëndësishme dhe me rrjedhoja në rajonin tonë. Z. Mitsotakis ka mbajtur një fjalim të plotë në Kongresin amerikan, gjatë së cilës është duartrotikur disa herë, sidomos kur ai ka sqaruar me theksim të qartë se në kohën tonë, kur kërkohet mbajtja e një ane, Greqia ka zgjedhur:

Kundër pushtimit të Ukrainës nga Putin

Më tej, Mitsotakis ka përsëritur nën një kontekst të angazhimit perëndimor se Putin nuk duhet lënë të fitojë, se ai nuk duhet të fitojë. Me një anglishte të rrjedhshme dhe me një qetësi që duhet konsideruar, kryeministri grek ka renditur para ligjvënësve amerikanë miqësinë e vjetër dhe të vërtetë mes të dyja vendeve, duke nisur që nga ndihma pas katastrofës së Azisë së Vogël te rindërtimi pas Luftës së Dytë Botërore.

Kështu, në një koniunkturë shumë dinamike dhe ku çdo sentiment interpretohet si qasje gjeoplitike, Mitsotakis ka riafirmuar rreshtimin e Greqisë në krah të Perëndimit, duke zgjidhur kështu çdo dilemë mbi dualitetin e saj, përcjellë me terma ironikë si “gruaja e Lindjes, dashnore e Perëndimit”.

Është padyshim një zhvillim që pason Marrëveshjen e Prespës, e cila afirmoi suksesin e një përpjekjeje të gjatë diplomatike, është një zhvillim që parathotë angazhimin amerikan, të paktën të kësaj administrate, por edhe asa të Trump, për të mos toleruar ato që quhen fuqi revizioniste dhe në një kuadër më të ngushtë, ky është një zhvillim që afirmon pozicionin e ri të Greqisë në politikën energjetike.

Rrethanat e reja që po krijohen, e çlirojnë një vend si Greqia nga detyrimet morale ndaj Rusisë, për shkak të një ndërhyrjeje si ajo në Ukrainë, që ka avokati vetëm fitoren ushtarake, ndaj është e pritshme që Athina të ketë duart më të zgjidhura për një çështje të ndjeshme si Kosova. Sot edhe Serbia është në pozitë të vështirë, sepse uji i cekinës ku ajo lëviz, është ulur ndjeshëm me lëvizjen e Rusisë.

Ndaj ajo që sot është e pritshme është një rimendimi i politikës së jashtme të Shqipërisë, e cila do të duhet të konsideronte një afrim të ri me Athinën, qoftë edhe për një produkt imediat si çështja e Kosovës. Ka rëndësi kjo edhe për faktin se Mitsotakis përfaqëson të djathtën e moderuar greke, me të cilën në përgjithësi marrëdhëniet janë jo aq të lehta dhe është fat që në Athinë sot ndodhet dikush që po luan qartë në një krah, në atë krah ku edhe Shqipëria pretendon se ka miqtë e vet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.