Dokumentet gjermanoperëndimore konfirmojnë: Gorbaçovit iu premtua moszgjerimi i NATO-s në Lindje

Postuar në 06 Maj, 2022 21:37

Disa dokumente të publikuara së fundmi nga Instituti Leibniz për Historinë Bashkëkohore konfirmojnë pretendimin e Kremlinit se unifikimi i Gjermanisë u rakordua me premtimin për moszgjerimin e NATOS në Lindje. 

Disa letra, memo dhe bisedime të tjera të zbardhura nga arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë Federale, hedhin dritë mbi faktin se dyshja kryesore politike gjermanoperëndimore, Helmut Kohl dhe Hans Dietrich Genscher jo vetëm premtoi një gjë të tillë me Mikhail Gorbachev, por e ndante atë si vizion të vetin për sigurinë e Europës. 

Kohl dhe Gensher p.sh ishin për shtyrjen në kohë të pavarësisë së vende balltike. Aq sa ish-kancelari Kohl do ta quante rrugën e tyre drejt pavarësisë “si të gabuar” dhe këtë ia referoi si mendim ish-presidentit francez, François Mitterrand gjatë një takimi në Paris më 1991. Sipas tij, ato duhet të prisnin 10 vjet dhe mandej, sërish duhet të mbanin statusin finlandez të neutralitetit.

Për Kohl, Ukraina duhet të qëndronte në Bashkimin Sovjetik, për të mos kërcënuar vijueshmërinë e ekzistencës së tij. 

Sapo u bë e qartë se Bashkimi Sovjetik po përballej me shpërbërjen, gjermanët ishin në favor të bashkimit të Kievit në një konfederatë me Rusinë dhe republika të tjera ish-sovjetike

citon “Spiegel” dokumentet. 

 

Madje, sipas të njëjtave, në nëntor 1991, “Kohl i ofroi presidentit rus, Boris Yeltsin ndihmë për të ushtruar ndikim te lidershipi ukrainas” për t’u bashkuar në një union të tillë.

Gjermanët ndjenin se Kievi po demonstronte një prirje drejt teprimeve nacionaliste-autoritariste

thuhet në dokumentacion. 

Genscher nga ana tjetër shprehej qartë se “anëtarësimi në NATO i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore nuk është në interesin tonë”, duke shtuar me një dozë të një racionalizmi hipercinik: 

Vendet sigurisht që kanë të drejtë të bashkohen me aleancën perëndimore por fokusi duhet të jetë në sigurimin që ata të mos e ushtrojnë këtë të drejtë

 
Të dhëna të tilla zbulojnë kështu se zgjerimi drejt Lindjes nuk ka qenë vetëm garanci për Kremlinin, për të mos e poshtëruar atë, por një analizë historike e një fakti ciklik objektivisht të konfirmuar, se Perëndimi si nocion kodesh dhe kulture, por edhe si realitet gjeopolitik ka kufij të qartë.

Dhe se liria, kjo vlerë e madhe e njerëzimit, apo edhe demokracia, për fat të keq nuk e sfidon dot ligjësinë historike përveç se në aspektin e një përmirësimi, por jo përmbysjeje, që nuk shndërrohet dot në një narrativë universale. 

Ndaj ky bizantinizmi i shtetarëve gjermanë, hasur përmes këtyre dokumenteve ndoshta duhet parë edhe si fatura e një realiteti që duhet njohur dhe jo si handikap i një dritëshkurtësie.

Fundja koha u dha të drejtë. Askush nuk e pranon më Perëndimin përtej Polonisë miqësisht, pavarësisht rezultatit të luftës aktuale. 

Fjalët e ish-ministrit të Jashtëm sovjetik, Eduard Shevarnadze në tetor 1991, tingëllojnë profetike: 

Nëse Bashkimi Sovjetik shpërbëhet, një lider fashist mund të vijë një ditë në pushtet në Rusi dhe të kërkojë rikthimin e Krimesë

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.