Pse po sillet kështu Gjermania?

Postuar në 03 Maj, 2022 19:11
Wolfgang Münchau

 

Nëse duam të kuptojmë arsyet që justifikojnë sjelljen e Gjermanisë, mjafton të aplikohet ajo këshilla e përhershme që u jepet gazetarëve: ndiqni paratë

Politika e jashtme gjermane vepron në funksion të modelit të saj industrial-korporativ. Politikanët e SPD-së, që kanë lidhje të ngushta miqësie me Vladimir Putin dhe Sergey Lavrov, sigurisht nuk e kanë bërë për të kompensuar fajet e luftës të shkaktuar nga Gjermania në shekullin e shkuar. Nëse ky do të ishte rasti, pse të trajtosh në mënyra kaq të nxituara Poloninë, republikat balltike dhe në veçanti Ukrainën? Politikanët gjermanë shënjestrojnë ekskluzivisht paratë dhe pushtetin. Më thjesht se kaq.

Për t’i rënë shkurt, historia e asaj që ka ndodhur është se këta politikanë kanë vepruar si përfaqësues të një rrjeti të thellë kontaktesh industriale mes Gjermanisë dhe Rusisë. Në të shkuarën i kam përshkruar raportet mes këtyre dy vendeve si më strategjiket në Europë. Rusia dhe Kina janë esenciale për funksionimin e modelit ekonomik gjerman. Rusia është furnizuesi kryesor energjetik dhe i lëndës së parë, nga të cilat varet industria gjermane. Kina nga ana tjetër është partneri tregtar i privilegjuar dhe detinacion i investimeve gjermane.

Modeli industrial gjerman shpjegon për më tepër keqfunksionimin e BE-së në shumë nivele. Deri atëherë kur Gjermania do të ndjekë një politikë të jashtme neo-merkantiliste, të nënshtruar pra ndaj interesave të industrisë së saj prodhuese, BE-ja nuk do të mund të zhvillojë një politikë të jashtme strategjike. Neo-merkantilizmi predikon nevojën e akumulimit të tepricave të mëdha dhe të qëndrueshme tregtare. Neo-merkantilistët preferojnë kurse shkëmbimi stabël sepse këto u mundësojnë që të marrin një avantazh konkurueshmërie përmes kapërcimit të kostove të pagës.

Hyrja në unionin monetar bën pjesë në qasjen neo-merkantiliste. Neo-merkantilisit megjithatë, i kundërvihet bashkimit të plotë ekonomik. Që raportet ekonomike të privilegjuara, si ato me Rusinë, të jenë productive siç është parashikuar, është thelbësore që ato të mbeten qartësisht speciale dhe ekskluzive.

Në ndjekjen e strategjisë së saj neo-merkantiliste, Gjermania ia ka dalë të përmbysë prirjen globale që synonte në një rënie të kuotës që zë prodhimi në përllogaritjen e PBB-së. Në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, industria prodhuese sot zë vetëm 9% të PBB-së. Në Gjermani kjo kap dyfishin. Dhe qeveria paraardhëse ka bërë gjithaçka për të arritur të tjera përqindje më të larta. Motivi për të cilin Gjermania ia doli të kontrastojë këtë ecuri duhet kërkuar në raportin e saj të veçantë me Rusinë dhe Kinën, sikurse në në krizat e Eurozonës që kanë favorizuar konkurueshmërinë gjermane, falë një kurs këmbimi të nënvlerësuar.

Elementi parësor tërheqës i asaj marrëdhënieje nuk ka qenë Gerhard Schroeder, as politikanë të tjerë, por industria gjermane. Përfaqësuesi i saj më me ndikim është Bashkimi i Biznesit Gjermani-Lindje që renditet si një ndër grupet e presionit kryesore në Europë. Në Gjermani, ai luan një rol të ngjashëm me atë të Bashkimit Kombëtar të Armëve(National Rifle Association) në SHBA. Ka në borderonë e vet personalitete politike dhe parti të tëra. Është i vetmi grup lobistësh, që unë di, me pushtetin për të vendosur politikën e jashtme të një vendi të zhvilluar perëndimor.

Olaf Scholz nuk ka qenë një lojtar qendror në qarqet ruse që veprojnë në Gjermani. Për më tepër, nuk ka kursyer kritikat ndaj Kinës, në dallim nga paraardhësja e vet. Megjithatë edhe Scholz është një neo-merkantilist i bindur. Dhe si i tillë shtron pyetjen: si do ia bëjë Gjermania të vijojë në rrugën e vet të korporativizimit kur të jetë privuar nga raporti special që ishte në bazë të tij?

Nuk besoj se Olaf Scholz të ketë reflektuar sa duhet. Martin Brudermüller, shefi i BASF, një ndërmarrje në qendër të rrjetit të ndërtuar rreth raporteve me Rusinë, paralajmëroi në një intervistë se embargoja ndaj gazit rus do shkatërronte ekonominë gjermane. Është një nga ato deklarata që tingëllon më bindëse në gjermanisht sesa në anglisht, pasi në gjermanisht koncepti i ndërmarrjes dhe ekonomisë përputhen në një term të vetëm: Wirtschaft.

Një version më i përpiktë i paralajmërimit të Brudermüller është ky më poshtë:

embargua mund të gjymtojë industrinë prodhuese gjermane dhe të ndezë atë evolucion, të domosdoshëm dhe për kaq kohë të pritur, që është specializimi i ekonomisë. E megjithatë jo, nuk rrezikon aspak të mbysë ekonominë gjermane

Olaf Scholz dëgjon njerëz si Brudermüller. Çfarë mëkati! Kjo na thotë se Gjermania nuk është realisht e gatshme të përballet me erën e re, siç sugjeronte Scholz. Çfarë po ndodh në të vërtetë, është se Gjermania po përgatitet të hyjë në një muzg, paradhoma e asaj ere të re që duhet ende të vijë.

Nëse vazhdojmë të ndjekim gjurmët e parave, zbulohet se industritë prodhuese gjermane, financohen nga kursimtarët gjermanë, përmes bankave të kursimit dhe kompanive të sigurimit që veprojnë si ndërmjetëse. Ja pra hallka e fundit që plotëson zinxhirin. Tepricat legjendare të kurismit të Gjermanisë, financojnë një industri ultra-konkuruese. Modeli, qartazi nuk është i qëndrueshëm. I paqëndrueshëm do të thotë që është i destinuar të mbarojë në një mënyrë apo në një tjetër. Në këtë moment, kemi përpara një vend që po reziston të pranojë realitetin: dhe jemi vetëm në të parën nga pesë fazat e shpalosjes së vajtimit.(Mohimi, zemërimi, kundërveprimi, depresioni, pranimi -shën.red).

Burimi: Corriere della Sera

Përkthimi dhe titulli shqip: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.