Maxhoranca nis konsultimet për presidentin e ri

Postuar në 04 Prill, 2022 13:09

Tre të mandatuarit për identifikimin e kandidaturave për kreun e ri të shtetit janë takuar sot në selinë e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe deputetët Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali zhvilluan sot takimin e radhës, i pari që prej nisjes 28 marsit, kur maxhoranca njoftoi sot nisjen e përgatitjeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Takimi i treshes së socialistëve që kërkojnë një emër të ri për kreun e shtetit u zhvillua në të njëjtën kohë kur në selinë e Kuvendit u fut edhe kreu i grupit parlamentar demokrat. Megjithatë, burimet i thanë Respublica.al se nuk ka pasur një takim mes të mandatuarve socialistë dhe kreut të grupit demokrat.

Një javë më parë, kur njoftoi nisjen e përgatitjeve për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës, Taulant Balla tha se pret një proces të hapur, në të cilin të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara.

Dëshira jonë është që të jetë një proces i hapur konsultimesh, brenda suazës së parlamentit, për t’u konsultuar me grupet e tjera, deputetë e këdo që është i interesuar, për të institucionalizuar një dialog konstruktiv, në funksion të procesit.

Procesi duhet të nisë zyrtarisht më 24 maj dhe brenda 7 ditëve, duhet të mbahet votimi i parë në Parlament. Kushtetuta parashikon pesë raunde votimi për kreun e shtetit, tre me 2/3 e votave dhe dytë tjerat me shumicë të thjeshtë.

Mandati i presidentit Ilir Meta mbaron më 24 korrik. Përgjatë katër viteve të mandatit të tij presidencial, Meta ka pasur disa përplasje me maxhorancën. Dy prej tyre kanë kulmuar me ngritjen dy herë të komisioneve hetimore me dyshimin se se kreu I shtetit ka shkelur Kushtetutën. Nisma e parë e maxhorancës socialiste u anulua pasi Komisioni i Venecias vlerësoi se shkeljet e Kreut të Shtetit, nuk e justifikonin shkarkimin. Ndërsa pak javë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Parlamentit, i cili kishte votuar në favor të shkarkimit të zotit Meta në përfundim të punës së një tjetër komisioni hetimor të drejtuar nga Taulant Balla. Kushtetuesja arriti në konkluzionin se nuk ka “shkelje të rënda të Kushtetutës” nga ana e presidentit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.