Mikhail Baryshnikov: Mos e vini peshën e vendimeve politike mbi kurrizin e artistëve rusë

Postuar në 21 Mars, 2022 13:47

E ashtuquajtura rusofobi, pas ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, sa vjen e zgjerohet. Këtë muaj, dirigjenti Valery Gergiev dhe sopranoja operistike Anna Netrebko ishin ndër ata që humbën punën prestigjioze në Perëndim për shkak të lidhjeve të tyre me regjimin e Vladimir Putinit.

Mikhail Baryshnikov, një prej balerinëve më të mëdhenj të epokës sovjetike, thotë se nuk artistët nuk kanë pse dënohen për vendimet e politikës.

Nuk mendoj se është e drejtë të vendoset pesha e vendimeve politike të një vendi mbi kurrizin e artistëve apo sportistëve, të cilët mund të kenë anëtarë të pambrojtur të familjes në vendin e tyre. Për njerëzit në ato pozicione të ekspozuara, neutraliteti është një deklaratë e fuqishme. Dhe nëse doni të jem specifik, Daniil Medvedev duhet të luajë Uimbelldon.

Javën e kaluar, ministri britanik i sportit, Nigel Huddleston, tha se qeverisë i duhen garanci se çdo sportist që hyn në Britani "nuk është mbështetës i Vladimir Putin".

Baryshnikov thotë se ky është një moment kyç që shënon rrugën që do të marrë Rusia.

Në këtë moment, Rusia duhet të kalojë Rubikonin. Ose do të gjejë një mënyrë për t'i dhënë fund këtij konflikti aktual dhe për të jetuar në një shoqëri të hapur globale, ose do të kthehet prapa pa asnjë shpresë për rimëkëmbje.

Baryshnikov është aktualisht 74 vjeç. Ai ka lindur në Riga, Letoni, dhe u largua nga Bashkimi Sovjetik drejt Kanadasë në 1974. Kohët e fundit, ai është angazhuar në një fushatë që ka për qëllim t’u tregojë njerëzve Rusinë e vërtetë. Bashkë me artistë të tjerë kritikë ndaj Kremlinit, ai ka hapur një fushatë në  GoFundMe për të nxitur të kuptuarit në mënyrë të drejtë të kulturës ruse dhe për të mbledhur para për refugjatët.

Pjesë e fushatës është edhe shkrimtari rus, Boris Akunin, dhe ekonomisti i njohur, Sergei Guriev. Së bashku, ata u kanë bërë thirrje emigrantëve rusë t’u bashkohen në këtë nismë.

Qindra mijëra ukrainas që kanë humbur shtëpitë e tyre, mjetet e jetesës, të dashurit e tyre, madje edhe jetën, po mbajnë peshën e plotë të goditjes. Por edhe të gjithë ne që flasim rusisht dhe i përkasim botës kulturore ruse po e ndiejmë këtë goditje. Vetë fjala rus është bërë toksike”, thuhet në deklaratën e fushatës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.