Kur paraja dhe makinat e shpejta kanë më shumë rëndësi se njerëzit që vdesin në rrugë

Postuar në 19 Shkurt, 2022 16:44
Jonny Thomson*

 

Poeti i madh grek, Hesiodi, thoshte se t’i bësh gjërat me masë është gjëja më e mirë. Një këshillë e mençur që e has në të gjitha moshat, fazat dhe aspektet e jetës. Edhe të pish ujë është gjë e mirë, por nëse e kalon masën bëhet e rrezikshme. Një gotë vodka nuk të vret por më shumë se një shishe edhe mundet. Të punosh shumë është mirë, por të bëhesh copash jo. Pra, çdo gjë me masë.

Po ku qëndron kufiri i artë i masës? Është e vështirë të përcaktohet dhe shembulli më i mirë për këtë është prona dhe pasuria.

Shumica prej nesh pajtohen që të zotërosh gjëra, ose të paktën të kesh të drejtën për të zotëruar gjëra, është diçka e mirë. Nuk ka asgjë të keqe të kesh një telefon, të posedosh një makinë ose të kesh një garderobë të mirë. Por po aq e vërtetë është se shumica e njerëzve ndihen të shqetësuar për një botë që mban brenda miliarderë në pallate të mëdha dhe fëmijë që vdesin të kequshqyer. Lakmia, koprracia, smira dhe shpifja konsiderohen vese. Të jesh obsesionohesh pas gjërave materiale ende, konsiderohet e gabuar. Pra, kur etja për pasuri kthehet në babëzi?

John Locke dhe filozofia e pronës

Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se kur njerëzit e quajtën për herë të parë një gjë "e imja", por filozofia dhe ligji i pronës mund të gjurmohen më lehtë. Një nga emrat më të mëdhenj që e ka shqyrtuar këtë çështje ishte filozofi anglez i shekullit të XVII, John Locke.

Filozofia politike e Locke përmendet madje edhe si ndikim në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së, por gjithashtu ka luajtur rol të ngjashëm në Revolucionin Francez dhe lëvizjet e Reformës së Madhe të Britanisë. Puna e tij për pronën është ndoshta një nga kontributet e tij më të rëndësishme.

Edhe pse subjekt i një debati të drejtë - çfarë nuk është në filozofi? - përgjithësisht pranohet që Locke miratoi një pikëpamje të "përdorimit të drejtë" të pronës. Ai argumentoi se çdokush mund të ketë pronë, me kusht që kjo e fundit të plotësojë kriteret e mëposhtme:

Mund të përdoret para se të shkojë dëm (p.sh., ne nuk kemi depo të mëdha të ushqimit që prishet).

Lë “mjaftueshëm" për të gjithë të tjerët (p.sh., një person nuk mund të zotërojë të gjithë tokën në një vend).

Prona duhet të vijë nga puna dhe mundi juaj ose nga ajo që ai e quan "përzierja e mundit tuaj" me atë gjë (p.sh., nëse punon një fushë, ara dhe prodhimet e saj bëhen tuat).

Por nëse rregullat do të ishin vetëm këto, vështirë se do të kishte lakmi dhe pabarazi. Të gjithë mund të kenë dhe të marrin atë që duan, për aq kohë sa të gjithë të tjerët kanë mjaftueshëm për bërë të njëjtën gjë.

Por, ka shumë paqartësi në këto rregulla dhe paraja ndryshon disa gjëra. Paratë, veçanërisht paratë moderne në formën e numrave dixhitalë në një ekran, nuk prishen. Dhe, falë bankingut modern, nuk ka kufi për sasinë e parave që mund të ketë - një bankë mundet, dhe krijon, literalisht, para sa herë që ju jep një kartë krediti ose një kredi (edhe pse, në praktikë, pak vende e lejojnë kjo dhe vendos kufizime në krijimin e parave). Pra, pa marrë parasysh sa miliarda do të krijojë dikush, gjithmonë do të ketë para "të mjaftueshme" edhe për të tjerët.

Pra, paraja i ndryshon ekuilibrat e asaj që parashkroi Locke. Nuk do të shkojë dëm dhe gjithmonë do të ketë të paktën disa para për të gjithë të tjerët. Madje është argumentuar se Locke, larg të qenit mbrojtës i një filozofie të barabartë dhe shpërndarëse, mund të mbështesë lehtësisht akumulimin e shfrenuar kapitalist të pasurisë. Locke shkroi se, për shkak të parave, "Tani një njeri mund të ketë... një zotërim joproporcional dhe të pabarabartë të tokës... dhe me të drejtë të zotërojë më shumë tokë sesa mund të përdorë ai vetë". Kjo është filozofia e lakmisë.

Babëzia

Ideja se të dashurit më shumë është pjesë thelbësore e të qenit njeri gjendet që te Platoni dhe ka një histori të pasur filozofike që rrjedh nga antikiteti. Sot, ajo shpesh merr formën e psikologjisë evolucionare ose gjenetikës, e ilustruar nga “Gjeni Egoist” i Richard Dawkins.

Një mendimtar që e ka sfiduar këtë është Peter Singer. Singer e pranon faktin se evolucioni funksionon si njëfarë konkurrence e caktuar, domethënë më të fortët do t'i kalojnë gjenet e tyre te pasardhësit. Por ai gjithashtu beson se është e gabuar ta lidhësh këtë tërësisht me lakminë ose egoizmin. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet produktive janë po aq jetike për mbijetesën.

Singer argumenton se dëshira për të bërë mirë, për të punuar shumë dhe për të pasur sukses janë pjesë e admirueshme e gjendjes njerëzore, por kur ato e kalojnë masën, kthehen në lakmi. Kjo vijë ndarëse është atëherë kur dëshira për të pasur më shumë – veçanërisht ajo për pasuri materiale - bëhet fokusi i vetëm i jetës. Kjo vijë është atëherë kur e gjen veten duke punuar deri vonë dhe vazhdimisht pasi kërkon ngritje në detyrë, por i jep kësaj përparësi para familjes dhe miqve.

Është fakt se, në Perëndim, shumica e njerëzve kanë mjaftueshëm. Edhe njerëzit e varfër në përgjithësi kanë televizorë, telefona inteligjentë dhe makina. Një njeri mesatar në Perëndim jeton shumë më mirë sesa një familjet mbretërore para qindra vitesh. Singer na kërkon të kuptojmë perspektivën. Ne shpenzojmë më shumë për ujin e ambalazhuar sesa u duhet për të jetuar disa familjeve në vendet në zhvillim. Ne jemi kaq të fiksuar te e përditshmja jonë, saqë e humbasim sensin e asaj që kemi në të vërtetë.

Lakmia mbi të gjitha

Argumenti i Singer-it na ndihmon të identifikojmë pikën në të cilën nxitja dhe suksesi shndërrohen në mënyrë tinëzare në lakmi: është kur na pëlqen të shpenzojmë paratë tona dhe t'i kushtojmë gjithë kohën tonë të grumbulluarit gjithnjë e më shumë, kjo në kurriz të marrëdhënieve tona. Është kur ne nuk mendojmë për asgjë tjetër përveçse të rrisim përvojat dhe gjërat materiale që zotërojmë. Kjo është pika në të cilën lakmia ka nisur të na dominojë jetën. Por është edhe momenti kur lakmia na bën të ndryshojmë mënyrën si i shikojmë gjërat. Është kur prona dhe pasuria bëhen virtyte më të mëdha se sa bamirësia, mirësia dhe solidariteti me të tjerët. Është kur paraja dhe makinat e shpejta kanë më shumë rëndësi se njerëzit që vdesin në rrugë. Është kur rritja e pagës ka më shumë rëndësi se shkarkimi i dikujt tjetër.

Askujt nuk i pëlqen ta mendojë veten si të pangopur, por nëse e sheh veten nga afër, me siguri do të gjesh disa aspekte të jetës tënde që të paktën janë të ndotura nga lakmia. Është një kontroll që duhet t’ia bëjmë vetes herë pas here.

* Profesor i filozofisë në Universitetin e Oksfordit 

Shkrimi është botuar në Big Think 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.