Duhen marrë seriozisht budallallëqet

Postuar në 29 Janar, 2022 15:59

U bënë 9 vjet që Shqipëria vetëm rritet. Ekonomikisht dhe forcohet në shtetbërje. Këta na thonë zyrtarisht dhe shifrat janë shifra. P.sh kryeministri  Edi Rama flet për pesëfishim të eksporteve nga sektori i peshkimit, një e dhënë që na dëshmon se ai sektor është fitimrurës dhe me kontribut në ekonomi.

Z. Rama flet për rritje eksportesh në bujqësi, çka mund të jetë kështu, përveç faktit se i njëjti njeri pranon se skema e subvencionimit nuk mund të funksionojë dhe se problem është stukturor e ka të bëjë me fragmentarizimin e pronës. Zoti Rama njoftoi edhe 30 bursa doktorimi në Gjermani në sektorin e Bujqësisë, duke lënë të kuptohet se problem këtu është edhe aspekti teorik.

Ministrja e Financave sot solli në vëmendje vlerësimet e Standard&Poors sipas të cilës “rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë gjatë vitit 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë”. 8.5%-9% thotë zonja Ibrahimaj do të jetë rritja në terma reale për vitin 2022. 

Nëse sheh Parlamentin, aty dëgjon tjetër muzikë: z. Berisha flet për skandalin e inceneratorëve dhe se Zoto dhe Gugallia mbahen të fshehur. Zoti Basha na thotë se qeveria vazhdon të paguajë për inceneratorët pavarësisht problemeve të mëdha ligjore dhe se z. Rama është pjesë e trekëndëshit të Bermudës.

Pse nuk e ndjejmë ne, apo perceptojmë asnjë prej këtyre realiteteve? Ne nuk ndjejmë as rritjen e fuqishme, as rimëkëmbjen, as të zezën e të zezave që na thotë krahu tjetër. Në fakt politika kërkon të polarizojë humorin e shoqërisë duke kërkuar të improvizojë një optimizëm që nuk ka sesi të jetë, ose në krahun tjetër një zemërim maksimal që sërish është i pamundur. Ndodh kjo sespe kjo politikë që e tenton këtë në fakt shihet për atë që është: si zhaba e asaj kënetës që është Shqipëria sot. E cila mund të zhurmojë sa të dojë, por vendin në kënetë e ka dhe habitatin ekzistencial madje.

Një shoqëri mund të keqkuptojë çdo gjë, por jo zhvillimin, as përparimin dhe normalizimin e jetës. Ky është problemi se pse pakkush relatohet me propagandën optimiste të z. Rama, i cili merr votat e pragmatistëve, jo të progresistëve. 

Dhe kompromentimi i krahut tjetër e bën fare të pabesueshëm edhe gjoja alarmin për një mijë e një të zezat që presupozohet se ka ky vend, të zeza që në fakt janë amballazhuar nën etiketën e normalitetit me të cilin jemi të detyruar të bashkëjetojmë.

Politika shqiptare e kënetës, moçalit që quhet Shqipëri e ka megjithatë një meritë: nëse dihet se budallenjtë janë marrë kudo seriozisht sepse janë të rrezikshëm dhe mënjanohen, ajo na çoi në pikën që na detyroi që edhe budallallëqe si këto t’i marrim seriozisht, sepse vallahi nuk qeshet më me kësi zullumesh. Karburanti i gallatës duket të ketë mbaruar e me të edhe efekti manipulues i saj në raport me një shoqëri që është indiferente ndaj një narrative që nuk mban më sepse ajo administrohet nga një kastë që referon vlera morale dhe perspektivë të cilat i përgënjeshtron me vetë ekzistencën. Në këtë kuptim, edhe sukseset, edhe shqetësimet e ngritura janë një proces masturbimi, e asgjë më shumë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Sabriu (not verified) on

Shqiperia - kenete, polarizimi politik - masturbim! Sikur te mos isha kaq i lodhur, do merrja pisqollen te vrisja veten, po nuk kam. Pertoj ta blej. Me mire po shkruaj se laptopin e kam afer.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.