Të ushqesh me gji/ Historia e profesionit më të vjetër në botë

Postuar në 13 Janar, 2022 12:29

Historia e ushqyerjes me gji është sa mahnitëse, aq edhe e mbushur me të papritura. Që në krye të herës, qumështi i gjirit është konsideruar si alternativa më e mirë për të ushqyer një të porsalindur. Egjiptianët e lashtë e shihnin si nektari i perëndive që jepte jetë, forcë dhe lidhej me jetëgjatësinë. Në mitologjinë greke, ishte vetë perëndesha Hera ajo që i dha gji Herakliut dhe përmes qumështit i dha forcë hyjnore. Sipas mitit, foshnja i kafshoi gjirin dhe ajo e shtyu duke derdhur qumështin e saj nëpër qiellin e natës, që çoi në formimin e Rrugës së Qumështit.

Lashtësia greko-romake është plot me referenca për gjirin. Ajo që ka ardhur deri në ditët e sotme flet për falenderimin që grekët dhe romakët u bënin perëndive për shërimin e sëmundjeve të gjirit, ose për të parit si simbole të fertilitetit. Në shoqëritë ku nuk ekzistonte asnjë alternativë tjetër për qumështin e gjirit, gjetjet arkeologjike flasin për mirënjohjen për laktacionin e suksesshëm.

Në lashtësi, nëse dështohej me laktacionin, opsionet ishin pak, megjithatë, janë disa tekstet mjekësore që flasin për opsione të zëvendësimit të qumështit të gjirit. Marulja (lactuca nga latinishtja - fjalë për fjalë ‘bima qumështore’) ishte një prej tyre. Lëngu i saj i bardhë në ngjyrë qumështi mendohej se rrit prodhimin e qumështit, shpjegon Dr Laurence Totelin, studiues i farmakologjisë dhe gjinekologjisë në Universitetin e Cardiff-it. "Një shembull tjetër është një bimë e quajtur polugalon në greqisht, që fjalë për fjalë do të thotë "shumë qumësht". Edhe sot emri i kësaj bime lidhet direct me qumështin, gjë që tregon jetëgjatësinë e këtyre besimeve”.

Tesktet e lashta flasin edhe për natyrën e qumështit të gjirit. "Qumështi i parë", që e njohim ndryshe si kulloshtra, në Greqinë dhe Romën e lashtë refuzohej. Ka dëshmi se foshnjeve u jepej mjaltë ose qumështi i një gruaje tjetër si zëvendësim, pasi kulloshtra shihej si e papërshtatshme për konsum. Por në fakt, studimet kanë konfirmuar të kundërtën: Lëngu i trashë dhe i verdhë që i paraprin qumështit është më i pasuri me antitrupa, mbron foshnjat nga infeksionet dhe siguron lëndë ushqyese thelbësore.

Megjithatë, në disa vende të botës, ky refuzim vijon edhe sot e kësaj dite. Ka popullata që ende e respektojnë këtë besim arkaik, bazuar në të njëjtin arsyetim si Soranus pothuajse 2000 vjet më parë, i cili e përshkroi atë si të pashëndetshëm, pasi ka dalë nga trupi i trazuar i nënës pas lindjes dhe për këtë arsye është i vështirë për t'u tretur nga foshnja.

Mjekët e dikurshëm duket se kanë qenë të vetëdijshëm për ndikimin e një diete të shëndetshme në prodhimin e qumështit të shëndetshëm.

“Kishte një sërë rregullash rreth ushqyerjes me gji si shmangia e marrëdhënieve seksuale dhe shmangia e disa ushqimeve dhe pijeve, të cilat tregojnë gjithashtu faktin se ushqyerja me gji duhej të mësohej, se ishte një praktikë e ndërtuar nga shoqëria”, thotë Totelin për Haaretz.

Pikëpyetje mbi qumështin uniseks

Plini i Vjetër në "Historinë Natyrore" shkruante se cilësia ushqyese e qumështit përcaktohej nga gjinia e foshnjës për të cilën ishte prodhuar. “Qumështi i një gruaje që kishte pasur një djalë konsiderohej si një substancë shumë e fuqishme në lashtësi. Kjo për shkak se djemtë në përgjithësi shiheshin si superiorë ndaj vajzave: mbajtja e një djali gjatë shtatzënisë supozohet se çoi në prodhimin e një lloji më të mirë qumështi,” thotë Totelin.

Qumështi i prodhuar për një foshnje vajzë vlerësohej më pak. Ai përdorej për qëllime kozmetike, veçanërisht për shërimin e akneve (dhe këtu gjejmë atë lidhjen mes akneve dhe dashurisë, që duket se paska një histori shumë të gjatë). Pavarësisht se e kishin gabim në lidhje me kulloshtrën, njerëzit e lashtësisë mund të kenë pasur të drejtë për aspektin gjinor të qumështit. Për herë të pare, mizogjinia e shkrimtarëve të lashtë i çoi ata në disa supozime të sakta. Studiuesit kanë konfirmuar se përbërja e qumështit ndryshon në varësi të gjinisë së foshnjës dhe gjendjes fizike të nënës (të kuptuarit e këtyre dallimeve mund të japë plot njohuri për evolucionin njerëzor).

Përbërja e qumështit jo vetëm që ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e foshnjës, por gjithashtu ndikon në temperamentin e foshnjës përgjatë jetës si i rritur. I përshtatur nga natyra për të përmbushur nevojat e ndryshme të zhvillimit të gjinive, qumështi i gjirit është një produkt i personalizuar, prandaj disa ekspertë besojnë se formulat industriale të qumështit duhen ndarë mbi bazë gjinore.

"Kemi arsye bindëse për të qenë skeptikë ndaj një formule të vetme që u përshtatet të gjithëve," tha Prof Katie Hinde, drejtore e Laboratorit Krahasues të Laktacionit në Qendrën për Evolucionin dhe Mjekësinë dhe Shkollën e Evolucionit Njerëzor dhe Ndryshimeve Sociale në shtetin e Arizonës. "Recetat e qumështit për djemtë dhe vajzat mund të jenë të ndryshme dhe ndryshimi mund të jetë më i madh në varësi të vendit ku ndodhet nëna në karrierën e saj riprodhuese," tha Hinde, duke folur në takimin e Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës në Çikago.

Djemtë dhe vajzat kanë trajektore të ndryshme zhvillimi, kështu që nëse nuk marrin atë që u nevojitet, zhvillimi i tyre nuk do të jetë optimal. Pavarësisht provave të padiskutueshme, kompanitë shumëkombëshe të ushqyerjes së foshnjave, ndër të cilat gjiganti Nestlé, ende ofrojnë vetëm formula unisex për bebe.

Një nga profesionet më të vjetra në botë

Nënat në lashtësi nuk kishin shumë alternativa për ushqyerjen me gji. Kur një grua nuk kishte qumësht ose ku ajo vdiste në lindje, një grua tjetër e ushqente atë me gji. Në Babiloninë e lashtë, ai i mëndeshës mund të kenë qenë profesioni tjetër më i vjetër (pavarësisht supozimit se aktiviteti seksual i kompensuar ishte i pari). Në Greqinë e lashtë, mëndesha ideale ishte jo më e re se 20 dhe jo më e vjetër se 40 vjeçe. Ajo duhej të kishte bërë të paktën dy lindje, të kishte ushqyer në mënyrë ideale fëmijë të të njëjtit seks dhe fizikisht të ishte e mbushur dhe me gjoks në madhësi mesatare. Gjithashtu, ajo nuk duhej të kryente marrëdhënie seksuale të mos pinte verë.

Një mëndeshë e mirë duhej të kishte edhe temperament të qetë, të ishte e matur, e pastër, e ushqyer mirë dhe të mos ishte e huaj. Megjithatë, ka një paradoks mes bindjes se ushqyerja me gji transmetonte tipare gjenetike dhe përzgjedhjes së mëndeshave. Mjekët e lashtë nuk e merrnin parasysh statusin social të tyre. Mëndeshë mund të bëhej një grua e lirë, por edhe një skllave.

 “Duke qenë se ushqyerja me gji në antikitet besohej se kishte një efekt kontraceptiv, familjet e klasës së lartë mund të kishin vendosur që gratë të mos ushqenin fëmijët e tyre me gji, në mënyrë që të mbeteshin përsëri shtatzëna më shpejt”, thotë Totelin.

Arsyet pse punësoheshin mëndesha mund të kenë qenë edhe të tjera, që nga burrat dhe gratë që shqetësoheshin për transformimin e gjinjve nga ushqyerja e foshnjes, burrat që kishin frikë se gratë mund tyre humbnin interesin për ta duke i dhënë përparësi fëmijës, deri te vënia në rrezik e fertilitetit të grave të tyre.

"Punësimi" i skllaveve si mëndesha nënkupton se nuk u bë asnjë diferencim fizik dhe moral mes tyre dhe grave të lira. Besohet se skllavet punësoheshin si mëndesha për t'u kujdesur për fëmijët skllevër nën "patronazhin" e familjeve të pasura. Kjo mund mund të jetë parë si zgjidhje në mënyrë që një grua të ushqente me shumë foshnje, ndërkohë që të tjerat të ktheheshin në punë dhe të bëheshin fertile më shpejt (të zotërosh dikë do të thoshte gjithashtu të zotëroje edhe ciklet e saj trupore).

Historianët kanë zbuluar kontrata për këtë lloj profesioni që datojnë nga viti 18 p.e.s. deri në vitin 308 të e.s. Nga 34 të tilla, shtatë kanë të bëjnë me foshnjat e lira dhe 27 të tjerët janë fëmijë skllevërish (ky grup ndahet më tej midis 'të lindurve' dhe 'pasardhësve të skllevërve'). 

Një prej këtyre kontratave daton në vitin 13 p.e.s. dhe thotë se një mëndeshë do të ushqejë me gji një vajzë jetime të marrë si skllave nga një grua e quajtur Isidora. Kontrata përcakton kohëzgjatjen e shërbimit të saj (16 muaj), pagën dhe specifikon se mëndesha duhet të kujdeset siç duhet si për veten ashtu edhe për fëmijën, nuk do t'i dëmtojë qumështin, nuk duhet të ketë aktivitet seksual dhe të mos ushqejë fëmijë tjetër me gji. Në çdo rast, këto gra është e sigurt se kanë shpëtuar shumë jetë, shpesh duke paguar një çmim të lartë. Pa dyshim, shumë sakrifikuan edhe mirëqenien e fëmijëve të tyre.

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Marsi (not verified) on

A s'ka qene ai tjetri pak me i vjeter?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.