Omicron konfirmon se vaksina nuk mund të jetë me detyrim

Postuar në 04 Dhjetor, 2021 15:06

Ta themi qysh në fillim: vaksina është një ndër mjetet më të mira për të ruajtur shëndetin kundër CoVid-19. Kjo për të hequr çdo llj dyshimi. Por vaksina nuk mund të jetë me detyrim, jo në këtë fazë dhe me mënyrën si po përparon sëmundja. Dalja në skenë e variantit Omicron ka ndërlikuar propagandën e vaksinimit me detyrim. Sot që flasim, Greqia ka ndaluar hyrjen nga vendet e treta, Zvicra kërkon test negative PCR edhe për të vaksinuarit me dy doza, ndërkohë që në Britani raportohet se 50% e të infektuarve me variantin e ri, janë mes njerëzve që kanë bërë vaksinim të plotë.

Padyshim që kjo situatë nuk mundet të hedhë poshtë përpjekjen për vaksinim, por ajo e relativizion ndjeshëm vlerën e saj të paktën në planin epidemiologjik. Pra ndonëse mundet të mos ketë raste të rënda, të vaksinuarit konfirmohen se janë përhapës dhe se zhvillojnë gjendje klinike. Si mund ta mbështesësh atëherë vaksinimin e detyruar në këtë situatë? Askush nuk di ta mbrojë siç duhet këtë tezë, pasi në veprim hyn frika dhe interesi. Aq më shumë mplekset çështja kur deri më tan inga të gjithë të infektuarit me Omicron nuk ka asnjë të vdekur e të shtruar në gjendje kritike.

Dje qarkulloi një studim i paredaktuar sipas të cilit Omicron ka 3 herë më shumë gjasa që të riinfektojë edhe ata që e kanë kaluar CoVid-19 sesa dy variantet fillestare të virusit. Nëse është kështu, pse atëherë vaksinimi i detyruar u kërkua edhe për ata që ishin rikuperuar, ose pse publikuan studime që vendosnin në krahasim imunitetin natyral me atë të fituar nga vaksinimi?

Pse sot, vetëm pak ditë pas prezantimit të variantit të ri si realitet mediatik, po flitet për infektueshmëri të shtuar të tij te fëmijët dhe foshnjet?

Ka disa vende, si SHBA p.sh që e kanë kulturë të vetën trajtimin medikamental edhe nëse të kapin kur vret mushkonja, por menaxhimi i një pandemie nuk bëhet me analogji kulturore. Në kushtet kur vetë shkenca nuk po di të japë përgjigje shteruese për këtë që po ndodh, mbi cilat premisa atëherë aplikohet represioni i vaksinimit të detyruar?

Vaksina është një ndër mjetet e vëna në dispozicion, askush nuk mund të japë atë me detyrim. Në fund të fundit, dikush që infektohet mund të zgjedhë edhe mos të kurohet fare dhe cili ligj atëherë do të ndërhynte për ta zgjidhur një situatë të tillë? Është e vërtetë se politika të tilla udhëhiqen përgjithësisht nga situata e përgjithshme, por tema e vaksinës e bën të detyrueshme për çdo qeveri të përgjegjshme që të shikojë me shumë vëmendje, perspektivën individuale sepse po flasim për kufirin e fundëm mes individit dhe shoqërisë që është Trupi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.