Edi, si Haber i mirë për Shqipërinë

Postuar në 17 Tetor, 2021 17:04

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për revistën franceze “Beaux - Arts” përmes së cilës flet për karrierën e vet si artist dhe politikan. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka përkthyer intervistën e cila vjen me një hyrje panegjirike për z. Rama që i duket gazetarit francez “një kolos i ëmbël, një krijesë poetike, një politikan artist!” për të vijuar me një rrëfim.

Ky është problemi në të vërtetë me intervistat e z. Rama, që janë të shumta dhe për gjithfarë mediesh anembanë Europës: ato rindërtojnë një portret. Më saktë ato publikojnë një autoportret të kryeministrit të Shqipërisë, i cili për një dalldi me të “veçantën” apo vanitet, tërheq përherë vëmendjen e mediave të ndryshme. Por edhe venerimin e papërmbajtur në plan professional të gazetarëve si ky i “Beaux-Arts” që “ndihet shumë i vogël përballë këtij gjiganti”.

Intervista është aty, me të gjithë dispozitivin monoton të memuarit statik të z. Rama që rrëfen se çfarë ka bërë sipas tij, jo nse çfarë ka ngjarë. Është e vështirë të gjesh një rast të dytë në historinë e vendit, të paktën pas 1990-ës, kur për audiencën e huaj, Shqipëria identifikohet me një njeri në hiperinflacion marketingu.

Piktor, basketbollist, rebel, pedagog, kkundër regjimit, pastaj në Francë duke shitur piktura, kryetar bashkie dhe kryeministër. Orgazma prej kësaj jete të pazakontë është e siguruar kur ia rrëfen atë një audience europiane, e mësuar prej kohësh të jetojë nën sigurinë e një sistemi të konsoliduar.

E që këtej edhe modelimi i dikujt që bën sukses në një periferi të mbaruar europiane, jo me dhunë e represion, dredhi dhe intrigë, por me art, kulturë. Qasje të tilla mëtojnë ndërtimin e një metafore europiane për një vend që në veshët e të huajve identifikohet me një njeri të vetëm. Madje vetë integrimi I kësi zonash në Europë mirëkuptohet më mirë ndoshta duke popullarizuar figurat eminente dhe vokacionin e tyre perëndimor, europian.

Është e qartë se edhe sikur intervista të jetë një kërkesë e sinqertë gazetareske, ajo dështon në këtë drejtim, duke u reduktuar në një lojë propagandistike, ku kryeministri përdor një dritare të huaj për të rievidentuar veten.

Në mediat franceze ne kemi dy lloj lajmesh për Shqipërinë: azilkërkimin dhe një kryeministër artist.

Më tej mund ta hasësh bunkerët, mafien dhe vrasjet, trafikun drejt Britanisë, Enver Hoxhën dhe ndonjë reportazh për hashashin. Përtej kësaj, Shqipëria i mungon syve dhe veshëve të Europës që nuk është çudi të peshkohet nga rrengje të tilla si këto marifetet me art e kulturë të një njeriu që po vezullon mes barbarisë. E të akordojë edhe ndonjë Nobel, apo ndonjë çmim çfarëdo, sa për statistikë dhe inkurajim, ndonëse këtë narrativë suksesi e përgënjeshtron dështimi tërësor i Shqipërisë. Të cilën vetë këto media të huaja e pikturojnë si grafitet urbane.

Paradoksi i kësaj lloj gazetarie është se z. Rama e përdor dyfish atë kur autorizon thuajse përherë përkthimin e rrëfimeve të tilla litanike në mediat shqip. Dhe ne duhet të lexojmë në shqip jo vetëm sesa i veçantë dhe i mençur është ky njeri, por edhe sesi aftësitë e tij impresionojnë italianët, spanjollët, gjermanët, francëzët, belgët dhe serbët, për t’u bindur më në fund të gjithë se ky është Fati ynë. Fat i cili me kalimin e kohës shndërrohet në histori. Ne duhet të mësojmë megjithatë ta marrim shumë seriozisht historinë tonë, jo për dinamikën e ngjarjeve, por për lehtësinë me të cilën gagarelët kërcejnë brenda saj për të veshur kostumin e liderit. Dhe duhet të shqetësohemi sesi shkarravina si këto në media të huaja, referohen nesër si burime të besueshme dhe bibliografi dominuese.

s.zaimi

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ju keni shume te drejte, por fakti qe gagarele si puna e ketij hipin me lehtesi ne majat e pushtetit ne Shqiperi dhe pastaj lene kakerdhite e tyre ngado qe shkojne duke i paraitur per perla demonstron qe ne indin e kombit shqiptar (flas per Shqiperine, se per te tjeret nuk di) ka diçka shume te rendesishme qe ose ka pushuar se funksionuari, ose nuk ka egzistuar ndonje here. E ç'mund te themi tjeter veç Zoti na ruajte nga më e keqja, ose o djem rrembeni pushket (eh. kjo mund te denohet si thirrje per dhune.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.