Flakët do të shuhen, por Flama nuk shqitet nga ky vend

Postuar në 07 Gusht, 2021 20:55

Shqipëria ka disa ditë që po piqet nga zjarret. Nga jugu në veri, flaka ka mbuluar një pjesë të Shqipërisë e cila me këtë dramë tanimë globale po prodhon si përherë komedinë e vet.

Heronjtë janë të parët në inskenimin komik. Zjarrëfikësit, ushtarakët, janë heronj sepse po shuajnë zjarret.

Qeveritarët janë palaçot e padurueshëm të kësaj që po shohim. Me surretërit që i kemi patur nëpër këmbë me dekada, e sidomos me ato që thonë.

Ministri i Mbrojtjes dhe tani drejtori i Kadastrës, po flasin për djegie të qëllimshme sepse synohet sipas tyre kthimi i pyjeve në troje dhe mandej legalizimi. Por sipas tyre legalizimi është histori e së shkuarës, ai ishte një amnisti e detyrueshme.

Pastaj kemi paralajmërimin për hetime. Për ndalime. Vit për vit ky zanat.

Grotesku i kësaj që shohim qëndron në faktin se pyjet po digjen, sepse ende nuk janë privatizuar dhe aty ku janë privatizuar jepen leje gjithfarëshe.

Cili mjet demokratik, cila fjalë, cila logjikë e mposht dot këtë ligësi apo këto alibi që na shpërfaqen herë si Niko, herë si Artan, herë si Erjon e shumë herë si Edi?

Shqipëria digjet, kudo. Prishet dhe plaçkitet, përditë dhe ngado. Të vjen keq ta shohësh kështu, të vjen turp se nuk bën dot gjë. Se nuk je i fuqishëm. Se nuk je i aftë. Por sapo për këto fatkeqësi flet Niko, Edi, Luli, Erjoni, Tualanti, Belinda e me radhë, sepse të duket se ato nuk të përkasin. Janë larg, janë thjesht një nga ato lajmet që të bezdisin. Sepse mbi to mbivendoset fatkeqësia e fytyrave të vrerosura që kudo, në vaki e gëzim, të ndjellin ndjesinë se diçka po duan të marrin edhe aty ku nuk ka mbetur gjë.

Ndaj le të ksehasemi me këtë fatkeqësi të mbytur nga alibitë dhe ligësia e një politike që literalisht të sjell zorrët në grykë. Siç literalisht ka nisur të sjellin zorrët në grykë fytyra të këtilla, kur i sheh në media, apo edhe kur i has në rrugë. Është një refluks patologjik që duket se po paralajmëron se i vetmi imunitet ndaj kësaj skote halldupësh të padin, është vetëm kriza gastrike.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.