Parashikimi i FMN: Rritja ekonomike 6% për 2021, pandemia rëndon mbi vendet në zhvillim

Postuar në 01 Gusht, 2021 12:53

Për vitin 2021, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rritje ekonomike prej 6.0% në 2021 dhe 4.9 % për vitin 2022. Aksesi në vaksina vijon të mbetet një nga elementët kryesorë që do të përcaktojë rimëkëmbjen globale. Në kët pikë, vendet ndahen në dy grupe: ato që mund të presin normalizimin e mëtejshëm të aktivitetit më vonë këtë vit (pothuajse të gjitha ekonomitë e përparuara) dhe ato që do të përballen akoma me përhapjen e infeksioneve dhe rritjen e vdekjeve nga COVID.

Krahasuar me parashikimin e fundit, atë të prillit të këtij viti (World Economic Outlook), sipas raportit të FMN-së, perspektivat për tregun në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim janë ulur për vitin 2021, veçanërisht për vendet e Azisë. Ndërsa, parashikimi për ekonomitë e përparuara është rishikuar. Përmirësimi prej 0.5 pikë përqindjeje për vitin 2022 rrjedh kryesisht nga azhurnimi i parashikuar për ekonomitë e përparuara, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, dhe reflekton rishikimin e mbështetjes shtesë fiskale në gjysmën e dytë të 2021 dhe situatën e përmirësuar shëndetësore.

Sa u takon çmimeve, priten zhvillime të pazakonta të lidhura me pandeminë dhe mospërputhje kalimtare të kërkesës me ofertën. Inflacioni pritet të kthehet në kufijtë e tij para pandemisë në shumicën e vendeve në vitin 2022, megjithëse pasiguria mbetet e lartë. Rritje e inflacionit pritet edhe në disa tregje në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, i lidhur pjesërisht me çmimet e larta të ushqimeve. Sipas raportit, bankat qendrore në përgjithësi duhet të shikojnë presionet kalimtare të inflacionit dhe të shmangin shtrëngimin derisa të ketë më shumë qartësi mbi dinamikën e çmimeve. Megjithatë, ekziston rreziku që presionet kalimtare mund të bëhen më të vazhdueshme dhe bankat qendrore mund të kenë nevojë të ndërmarrin veprime parandaluese.

Përkeqësimi i pandemisë, për shkak të varianteve të reja, mund të rëndojë më shumë në ekonomitë dhe tregjet në zhvillim. E kombinuar me shtrëngimin e kushteve financiare nga jashtë, kjo do të frenonte rëndë rimëkëmbjen e tyre dhe do ta tërhiqte rritjen globale nën bazën e këtij parashikimi.

Në këtë pikë, FMN sheh si zgjidhje të vetme veprimin shumëpalësh, përmes të cilit zvogëlohen divergjencat dhe forcohet perspektiva globale. Prioriteti i menjëhershëm mbetet shpërndarja e vaksinave në mënyrë të barabartë në të gjithë botën. Një propozim i stafit të FMN -së prej 50 miliardë dollarësh, i miratuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetit, Organizata Botërore e Tregtisë dhe Banka Botërore, jep objektiva të qarta dhe përcakton aksione pragmatike me një kosto të mundshme për t'i dhënë fund pandemisë.

Ekonomitë e kufizuara financiarisht kanë nevojë për qasje të papenguar në likuiditetin ndërkombëtar. Alokimi i Përgjithshëm i të Drejtave të Tërheqjes speciale prej 650 miliardë dollarësh në FMN do të rrisë asetet rezervë të të gjitha ekonomive dhe të ndihmojë në lehtësimin e kufizimeve të likuiditetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.