Krokodilë në dy këmbë

Postuar në 25 Korrik, 2021 12:30

Krokodilët janë ndër speciet e rralla që kanë mbetur të pandryshuar për miliona vjet. Këta grabitqarë të fuqishëm janë për t'u përshtatur në mënyrë të përsosur me ndryshimet e mjedisit. Ata i mbijetuan shfarosjes, duke tejkaluar dinosaurët dhe shumë specie të tjera zvarranikësh me të cilët dikur ndanin planetin. Për këtë arsye, atyre shpesh u referohen si "fosile të gjalla". Një zbulim i fundit në Korenë e Jugut sugjeron që një i afërm i krokodilit të sotëm ecte mbi dy këmbë.

Kjo provohet nga fosilet e gjurmëve të gjetura në Formacionin Jinju, Koreja e Jugut. Aty gjenden gati njëqind gjurmë këmbësh 24 centimetra të shenjuara gjatë periudhës së Kretaceut të Hershëm (110–120 milion vjet më parë) në sedimentet e baltës. Studiuesit fillimisht mendonin se këto ishin gjurmë të një pterosauri, një zvarranik fluturues që jetoi në atë periudhë.

"Gjurmët e krokodilit fosil janë mjaft të rralla në Azi, kështu që gjetja e rreth njëqind gjurmëve ishte e jashtëzakonshme", tha në një njoftim Anthony Romilio, paleontolog në Universitetin e Queensland dhe anëtar i ekipit kërkimor.

Gjurmët e gjetura ishin të sheshta dhe kishin më shumë presion në thembra, që do të thotë se nuk ishin lënë nga dinosaurët ose të afërmit e tyre shpendë. Studiuesit thonë se kjo lloj ecjeje është karakteristike e krokodilëve.

Ata arritën në përfundimin se gjurmët e këmbëve i përkisnin Batrachopus-it, një lloj krokodilomorfi që zakonisht gjendej në Amerikën e Veriut të epokës mesozoike. Por ka diçka unike në këto gjetje. Një krokodil tipik lë një vazhdë të gjerë pas, për shkak të posturës së mbledhur. Por çuditërisht ajo që kanë lënë pas këto kafshë në Jinju janë vazhda të ngushta. Studiuesit e krahasojnë këtë me "një krokodil që mban ekuilibrin mbi litar". Vendi ruan ende shenjat e tërheqjes së bishtit dhe gjurmët e “duarve” mungojnë dukshëm.

Të marra së bashku, provat sugjerojnë se këta krokodilomorfë ecnin në dy këmbë. Bazuar në madhësinë e gjurmëve të këmbëve dhe distancën e tyre, studiuesit thonë se kjo specie mund të ketë qenë mbi tre metra në gjatësi dhe ecte në këmbë me të njëjtën lartësi si ajo e një njeriu të rritur.

Gjetjet janë publikuar në “Scientific Reports”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.